Fati i ka buzëqeshur një peshkatari të varfër taijlandez, i cili është bërë milioner brenda natës pasi ka gjetur në plazhin pranë shtëpisë së tij, një masë të madhe lëndës ambergris –substanca e çmuar e gjetur vetëm në stomakun e zorrët e balenave, që vjen në formën e jashtëqitjes ose të vjellës së tyre.
60 vjeçari Naris Suwannasang e gjeti lëndën e çmuar të përdorur në prodhimin e parfumeve në plazhin e Nakhon Si Thammarat, në jug të Tailandës. Ambergris çmohet për zgjatjen e aromave të parfumeve aq sa një version sintetik i saj është prodhuar nga industria.
Mediat e huaja bëjnë me dije se për ta dërguar ngarkesën në banesë ai ka kërkuar ndihmen e të afërmve të tij. Ai ishte siguruar që kishte gjetur ambergris, kur kishte testuar një pjesë të saj dhe pa që merrte flakë. Vlera e copës së tij të ambergris llogaritet në 2.5 milionë euro.
Mediat bëjnë me dije se ai ka thënë se do të shkojë në polici që ta deklarojë lëndën e gjetur pasi ka frikë që mos ta vjedhin.
Ai shtoi se një biznesmen vendas i ka ofruar të 960,000 baht tailandezë (rreth 30 000 euro) per kilogram, për copën e tij rekord prej të vjelle të balenës.
Ambergris njihet si “floriri i detit”. Fosile të substancës datojnë deri 1.75 milionë vjet më parë dhe me shumë gjasa njerëzit e përdorin prej rreth 1000 vjetësh.
Lënda ka qenë mjaft misterioze deri në vitet kur nisi gjuetia masive e balenave në vitet 1800, kur u kuptua se prodhuesi i vetëm i saj ishte balena e spermës (Physeter macrocephalus).
Balenat e spermës hanë sasi të mëdha cefalopodësh si sepje e oktapodë. Në shumicën e rasteve pjesët e patretshme të presë së tyre “villen” jashtë para tretjes.
Në disa raste këto pjesë lëvizin në zorrë dhe bashkohen me njëra-tjetrën, duke krijuar gradualisht masën e ambergris. Kjo e fundit krijohet në zorrët e balenës gjatë disa viteve, të cilën ato më pas e nxjerrin si jashtëqitje apo nga sipër aparatit tretës./abcnews.al