Florenc Çapja i kërkuar nga drejtësia shqiptare për porositjen e vrasjes së babë e bir, Nezir dhe Gentjan Beqiri u arrestua në Dubai dhe pritet që të ekstradohet për t’u gjykuar. Por anëtari i familjes Çapja në Elbasan nuk është i vetmi që është fshehur dhe arrestuar në Dubai.
Në harkun e 9 muajve në këtë vend janë arrestuar tre personazhe të njohur të akuzuar për drogë dhe vrasje. Në 17 shtator të vitit të kaluar u prangos Eldi Dizdari nga një operacion ndërkombëtar droge.
Një hetim i nisur prej vitit 2015 lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës të drejtuar nga një shqiptar, pronar i kompanisë “KOMPANIA BELLO” u finalizua në shtator në 10 shtete të ndryshme. Eldi Dizdari u arrestua në Dubai.
Në 11 Dhjetor u arrestua po në Dubai Plaurent Dervishaj. Ai u shpall në kërkim nga SPAK për vrasjet e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut në vitin 2005, por nuk u ekstradua në Shqipëri duke shpëtuar. Në 6 shkurt ai u lirua nga qelia në Emiratet e Bashkuara Arabe (lexo ketu).
Ndërkohë që i treti i arrestuar në Dubai është Florenc Çapja. Autoritetet shqiptare pritet që të nisin procedurat për ekstradimin e tij për t’u gjykuar për akuzat që janë ngritur kundër tij.
Por përse kanë zgjedhur Dubain për t’u fshehur?
Pak muaj më parë gazetari investigativ Artan Hoxha shprehej se bosët e drogës në Shqipëri kanë ndërtuar një parajsë fiskale në Dubai duke ikur nga drejtësia por edhe rivalët e tyre që mund të tentojnë t’i ekzekutojnë./ db/ Abcnews.al