SHBA e kishin kërcënuar Gjermaninë me sanksione në rast të vazhdimit të ndërtimit të gazsjellësit Nord Stream 2, që do sillte gaz nga Rusia. Pas ndërprerjes gati një vit Rusia rifillon vendosjen e tubacioneve.
Një zëdhënës i projektit të gazsjellësit Nord Stream 2 ka bërë të ditur, se sipas planit punimet kanë vazhduar. Ditët e mëparshme kishte pasur shenja për rifillimin e punimeve. Fundjavën e kaluar dy anije speciale ruse, „Fortuna” dhe „Akademik Tsherski” kishin marrë rrugën për në kantierin e ndërtimit. „Fortuna” do të vendosë në det në një gjatësi prej 2,6 kilometër tubacione në zonën ekskluzive ekonomike gjermane, në një thellësi më pak se 30 metra, ka thënë zëdhënësi i projektit. „Të gjitha proceset e punimeve pasojnë në ujdi të plotë dhe me lejet e duhura”, theksoi ai. Për punime të tjera në det, sipërmarrja ka për të „njoftuar” në kohën e duhur, u tha.
94% gati
Sipas të dhënave të konsorciumit të gazsjellësit për përfundimin e tij kanë mbetur vetëm 6% e punimeve dhe bëhet fjalë për një gjatësi prej 120 km në ujërat gjermane dhe daneze. Nord Stream 2 do duhet të sjellë gaz nga Rusia në Gjermani, dhe është një projekt veçanërisht i kontestuar në Europën Lindore. Këto vende e kundërshtojnë projektin nga frika e dobësimit të gazsjellësve të tjerë dhe shteteve tradicionalisht transit të gazit, si Ukraina.
Qeveria e SHBA e refuzon hapur ndërtimin e gazsjellësit Nord Stream 2. Sipas Uashingtonit, Europa bëhet shumë e varur nga gazi rus. Në të njëjtën kohë vetë SHBA dëshiron të shesë gaz në Europë. Në fund të vitit 2019 punimet u ndalën, pasi SHBA vendosi sanksione. Të dyja anijet zvicerane që merreshin me vendosjen e tubacioneve u tërhoqën nga punimet. Kërcënime për sanksione ka pasur edhe kundër portit gjerman Sassnitz-Mukran në Rügen, ku ruhen tubacionet e gazsjellësit. Pas lajmit për rifillimin e punimeve vlera e aksioneve të koncernit energjitik rus, Gazprom u rrit me 3,5%. Gazprom është pjesë e një konsorciumi ndërkombëtar të projektit Nord Stream 2./DW