Gjermania: Nuk do t’i detyrojë refugjatët ukrainas të kthehen dhe të luftojnë

schedule12:53 - 22 Dhjetor, 2023

schedule 12:53 - 22 Dhjetor, 2023

Ukrainasit që jetojnë në Gjermani nuk do të preken nga telashet e Ukrainës për grumbullimin e ushtarëve për ta parandaluar pushtimin rus, tha ministri gjerman i Drejtësisë, Marco Buschmann, të premten.

“Ne nuk do t’i detyrojmë njerëzit të kryejnë shërbime të detyrueshme ushtarake, apo shërbime ushtarake kundër vullnetit të tyre”, tha Boschmann për agjencinë e lajmeve DPA.

Ushtria ukrainase dëshiron t’i thërrasë 450.000 deri në 500.000 burra për të luftuar kundër Rusisë, e cila e nisi pushtimin e paprovokuar të saj në shkurt 2022.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës është duke u bërë thirrje burrave ukrainas që jetojnë jashtë vendit të kthehen dhe ta mbrojnë atdheun.

Duke folur të enjten në një konferencë për media në Kiev, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se komandantët e tij po kërkojnë “450.000 – 500.000 burra”, duke e pranuar se kjo çështje është “e ndejshme” dhe e kushtueshme.

Komentet e tij kanë ardhur teksa rrezikohet ndihma e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për vendin e tij. Republikanët në Kongresin amerikan e kanë bllokuar fillimisht një paketë ndihme në vlerë të 60 miliardë dollarëve për Ukrainën.

Këtë javë, përfaqësuesit e Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit amerikan të Shtetit, kanë thënë se planifikojnë të dërgojnë më shumë pako të ndihmës për Ukrainën – mirëpo kanë pak kapacitet për të çuar diçka përpara, në mungesë të gatishmërisë së Kongresit.

Bllokada në SHBA u përcoll me një bllokadë që Hungaria ia ka vënë BE-së për të dërguar ndihmë në vlerë të 50 miliardë eurove për Ukrainën.

Megjithatë, liderët e BE-së kanë thënë se Ukraina nuk do të mbesë pa mbështetje. Ukraina po përballet me mungesë municioni, teksa vazhdon të luftojë me ushtrinë ruse, pas nisjes së luftës së Moskës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Kundërofensiva e Kievit nuk ka arritur rezultatet e kërkuara përgjatë verës.

Presidenti rus, Vladimir Putin, insiston se Moska do ta vazhdojë pushtimin dhe është zotuar se do të arrihen të gjitha synimet./rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!