Gjermania ndjek penalisht ish-rojën 98 vjeçar të kampit nazist

schedule16:25 - 1 Shtator, 2023

schedule 16:25 - 1 Shtator, 2023

Prokurorët gjermanë kanë akuzuar një 98-vjeçar për bashkëpunim në vrasjen e rreth 3300 personave në një kamp përqendrimi nazist në Luftën e Dytë Botërore.

Burri, ende i paidentifikuar, ishte një adoleshent kur shërbeu si roje në Sachsenhausen midis korrikut 1943 dhe shkurt 1945, sipas aktakuzës.

Ai dyshohet se ka ndihmuar në vrasjen masive “mizore dhe tinëzare” të të burgosurve.

Që nga viti 2011, Gjermania ka akuzuar ish-nazistët për bashkëpunim, jo vetëm për vrasje apo tortura si individë.

Por është një garë me kohën, pasi të paditurit kanë qenë shumë të moshuar dhe disa kanë vdekur para se të dalin në gjyq.

Nazistët SS burgosën më shumë se 200,000 njerëz në Sachsenhausen, duke përfshirë të burgosur politikë, hebrenj, ushtarë sovjetikë të kapur, romë dhe sinti (ciganë).

Dhjetëra mijëra të burgosur vdiqën nga uria, puna e detyruar, eksperimentet mjekësore dhe vrasja nga SS. Kampi u ndërtua në veri të Berlinit në vitin 1936.

Çështja do të trajtohet nga një gjykatë për të miturit, duke qenë se personi ishte adoleshent në momentin e krimeve. Ai tani jeton në Main-Kinzig, një lagje rurale në Gjermaninë qendrore.

Vitin e kaluar, një 101-vjeçar, Josef Schütz, u shpall fajtor për asistim në vrasjen masive në Sachsenhausen. Ai u dënua me pesë vjet burg, por vdiq në prill të këtij viti, ende në pritje të rezultatit të një apeli.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!