Gjermania mbrohet para GJND për “gjenocidin” në Gaza

schedule15:09 - 9 Prill, 2024

schedule 15:09 - 9 Prill, 2024

Nikaragua e ka paditur Gjermaninë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë duke e akuzuar atë për lehtësimin e gjenocidit në Gaza. Gjermania i ka hedhur poshtë akuzat.

Gjermania të martën fajësoi Nikaraguan për një pikëpamje “të njëanshme” të luftës midis Izraelit dhe Hamasit.

Berlini po mbrohet para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) kundër akuzave të bëra nga Nikaragua se mbështetja e Gjermanisë për Izraelin mundëson gjenocid dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar në Gaza.

Kryetarja e ekipit ligjor gjerman, Tania von Uslar-Gleichen, tha se çështja e Nikaraguas injoron “faktet dhe ligjin”. Ajo përmendi mbështetjen e vazhdueshme humanitare për civilët.

“Në rastet kur Gjermania i ka ofruar mbështetje Izraelit, përfshirë në formën e eksporteve të armëve dhe pajisjeve të tjera ushtarake, cilësia dhe qëllimet e këtyre furnizimeve janë shtrembëruar rëndë nga Nikaragua”, tha Tania von Uslar-Gleichen. Ajo tha gjithashtu se “ndryshe nga Nikaragua, Gjermania nuk është e verbër ndaj faktit se edhe Hamasi ka detyrime sipas ligjit ndërkombëtar humanitar”.Nikaragua i ka kërkuar gjykatës më të lartë të OKB-së, e njohur gjithashtu si Gjykata Botërore, të ndalojë eksportet gjermane të armëve ushtarake në Izrael dhe të anulojë vendimin e saj për të ndaluar financimin e agjencisë së refugjatëve palestinezë të OKB-së UNRWA. Kjo pason një çështje, kur gjykata urdhëroi Izraelin të marrë “të gjitha masat e mundshme” për të parandaluar aktet gjenocidale në luftën e tij kundër militantëve palestinezë në Gaza, pasi Afrika e Jugut akuzoi Izraelin për gjenocid.

Izraeli ka mohuar se operacioni i tij në Gaza është gjenocid, dhe ka thënë se po vepron në vetëmbrojtje, pasi militantët e udhëhequr nga Hamas hynë në jug të Izraelit më 7 tetor dhe vranë më shumë se 1200 njerëz, duke përfshirë rreth 800 civilë.

Nikaragua argumenton se rreziku i gjenocidit është i qartë

Të hënën, Nikaragua argumentoi se Gjermania po shkel Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër gjenocidit të vitit 1948.

Më shumë se 33.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë vdekur në gjashtë muajt e fundit në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të territorit të drejtuar nga Hamasi. Disa agjenci të OKB-së dhe të tjera të ndihmës humanitare kanë paralajmëruar se Gaza është në prag të urisë.

“Nuk ka dyshim se Gjermania […] ishte shumë e vetëdijshme dhe është shumë e vetëdijshme për të paktën rrezikun serioz që do të kryhej një gjenocid,” i tha gjykatës ambasadori i Nikaraguas Carlos José Argüello Gómez.

Nikaragua e padit Gjermaninë para GJND-së për furnizimin me armë të Izraelit. Nikaragua i kërkoi GJND-së të vendosë “masat e përkohshme” për të urdhëruar Gjermaninë që “të pezullojë menjëherë ndihmën e saj për Izraelin, veçanërisht ndihmën e saj ushtarake, duke përfshirë pajisjet ushtarake, në masën që kjo ndihmë mund të përdoret në kundërshtim me Konventën e Gjenocidit dhe ligjin ndërkombëtar. Ajo gjithashtu kërkon që gjykata të urdhërojë Gjermaninë që të rifillojë financimin për UNRWA-n në Gaza.

Gjykatës ka të ngjarë t’i duhen javë të nxjerrë vendimin e saj paraprak dhe çështja në tërësi mund të kërkojë vite për t’u zgjidhur.

Gjermania është furnizuesi kryesor i armëve për Izraelin

Gjermania ka qenë një nga aleatët më të vendosur të Izraelit pas sulmeve të Hamasit.

“Historia jonë, përgjegjësia jonë që rrjedh nga Holokausti, e bën detyrë të përhershme për ne mbrojtjen e sigurisë së shtetit të Izraelit”, tha kancelari Olaf Scholz disa ditë pas sulmit.

Por Berlini ka ndryshuar gradualisht tonin gjatë gjashtë muajve të fundit, duke u bërë gjithnjë e më kritik ndaj situatës humanitare në Gaza dhe duke folur kundër një ofensive tokësore në Rafah.

Nikaragua kujtoi se Berlini vazhdon të jetë një nga eksportuesit kryesorë të armëve në Izrael.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë, në vitin 2023 Gjermania eksportoi 326.5 milionë euro (353.70 milionë dollarë) pajisje ushtarake dhe armë në Izrael.

Gjermania është furnizuesi i dytë më i madh i armëve për Izraelin pas SHBA, sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimit të Paqes në Stokholm. /DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!