Gjermania lejon një dozë përforcuese të vaksinës kundër COVID-19

schedule20:17 - 2 Gusht, 2021

schedule 20:17 - 2 Gusht, 2021

Nga muaji shtator Gjermania do të ofrojë dozë shtesë të vaksinës kundër COVID-19 tha Ministria e Shëndetësisë të hënën (2 gusht), pas shqetësimeve që ka shkaktuar përhapja e variantit Delta të koronavirusit.

Ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë, Jens Spahn dhe 16 ministrat e landeve u pajtuan se të moshuarit që janë në rrezik nga infektimi do të mund të marrin një dozë përforcuese të vaksinës.

Zyrtarët e morën vendimin në bazë të informacioneve për një “rënie të shpejtë të përgjigjes imunitare ndaj sëmundjes” te disa grupe njerëzish.

Ministria tha se ekipet e vaksinimit duhet të dërgohen në shtëpitë e kujdesit dhe pleqve për të ofruar dozë përforcuese Pfizer/BioNTech ose Moderna, pavarësisht se me cilën vaksinë janë imunizuar fillimisht banorët e këtyre qendrave.

Mjekëve gjithashtu do t’iu lejohet të injektojnë një dozë përforcuese për njerëzit me sistem imunitar të dobësuar.

Një dozë përforcuese do t’i ofrohet gjithashtu kujtdo që ka marrë vaksinat me dy doza AstraZeneca ose një dozë të vetme Johnson & Johnson, thuhet në dokumentin e lëshuar nga ministria.

Zyrtarët e lartë të Shëndetësisë në Gjermani ranë dakord të hënën për të inkurajuar vaksinimin midis adoleshentëve nga 12-17 vjeç.

Ministrat theksuan se imunizimi është vullnetar, por thanë se vaksinimi i fëmijëve dhe adoleshentëve mund të “kontribuojë ndjeshëm në një kthim të sigurt në shkolla pas pushimeve verore”.

Edhe pse në krahasim me vendet fqinje, Gjermania aktualisht po shënon nivele relativisht të ulëta të rasteve të reja me COVID-19, numri është rritur shumë javët e fundit kryesisht për shkak të variantit më ngjitës Delta./Rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!