Shumë pak skuadra ja kanë dalë t’i kenë të dyja. Kampionia e Botës në fuqi në basketboll për meshkuj, Gjermania, fitoi edhe titullin europian.
Turqia e fortë u mund pas një finaleje dramatike në Arenën e Rigës, në Letoni, ku ishte shitur çdo biletë e kapacitetit prej mbi 11 000 vendesh.
Në një tjetër paraqitje kolektive, siç kanë bërë gjatë gjithë turneut, gjermanët ia dolën 88-83, të udhëhequr nga Isak Bonga me 20 pikë, 5 topa në tabela e 3 asistë.
Ai u shpall edhe lojtari më i mirë i finales. Franc Vagner realizoi 18 pikë dhe kapi 8 topa në tabela, ndërsa Denis Shrëder pati dabëll dabëll me 16 pikë e 12 asistë.
Pikërisht, Shrëder mori çmimin e lojtarit më të mirë të Europianit, përpara turkut Alperen Shengyn apo superyllit të Sllovenisë, Luka Doncic.
Tek Turqia nuk zhgënjeu Alperen me 28 pikë, e po ashtu Xhedi Osman shtoi 23 pikë e 5 topa në tabela, me amerikanin e natyralizuar Shejn Larkin që shënoi 13 pikë e Adem Bona 12.
Për fat të keq, nuk ishte mbrëmja e tropojanit Erxhan Osmani, që realizoi vetëm dy pikë, dhe e lojtarit tjetër me origjinë shqiptare, Kenan Spahiu që pati tri pikë.
Ky ishte titulli I dytë kampion I kontinentit për Gjermaninë pas atij në 1993 kur mundën Rusinë në finale.
Vetëm katër skuadra ia kanë dalë të jenë edhe kampione të Europës, edhe të botës, Bashkimi Sovjetik, Jugosllavia dhe Spanja dhe tani “pancerët”./abcnews.al

