Gjermania forcon kontrollin kufitar me Poloninë

schedule08:53 - 25 Tetor, 2021

schedule 08:53 - 25 Tetor, 2021

Kufiri gjermano-polak është shndërruar në një pikë të nxehtë të kalimeve të migrantëve nga Bjellorusia. Gjermania po mendon mundësinë e kontrollit më të rreptë të kufirit.

Duke pasur parasysh faktin që mijëra refugjatë dhe emigrantë po lëvizin nga Bjellorusia për në Poloni, e më pas në Gjermani, ministri i Brendshëm gjerman Horst Seehofer dëshiron të forcojë kontrollet kufitare. “Në kufirin gjermano-polak ne tashmë e kemi përforcuar rojen kufitare me tetëqind policë të tjerë federalë”, tha politikani i CSU për gazetën “Bild am Sonntag” (BamS).

“Nëse është e nevojshme, unë jam gati të shtoj edhe më shumë numrin e efektivit policor për kontrollin e kufirit. Ne do të monitorojmë nga afër zonën kufitare dhe kufirin e gjelbër me Poloninë”, theksoi Seehofer. Ai vuri në dukje se 6.162 persona kanë kaluar gjatë këtij viti në mënyrë të paligjshme kufirin dhe kanë ardhur nga Bjellorusia përmes Polonisë deri në Gjermani. Sipas informacioneve të tyre, Policia Federale regjistroi më shumë se 3.750 kalime ilegale kufitare vetëm në tetor. Sipas autoriteteve, shumë prej emigrantëve dhe refugjatëve që mbërrijnë përmes Bjellorusisë vijnë nga Afganistani, Siria, Irani dhe Pakistani.

Berlin PK Innenminister Horst Seehofer
Horst Seehofer

Kontrollet edhe në kufi me Austrinë

Seehofer theksoi, se zyrtarët përgjegjës kanë njoftuar zgjatjen e kontrolleve edhe në kufirin gjermano-austriak me gjashtë muaj të tjerë. “Nëse situata në kufirin gjermano-polak nuk qetësohet, duhet të shqyrtohet edhe mundësia e vendosjes së kontrolleve shtesë në zonën kufitare mes Polonisë dhe Brandenburgut”, shpjegoi Seehofer për BamS. Ky vendim duhet të merret nga qeveria e ardhshme.

Në kufijtë e vendeve të zonës Shengen nuk ka në fakt kontrolle të palëvizshme kufitare. Seehofer thotë: “Sipas mundësive nuk duhet të ketë kontrolle kufitare brenda Evropës.” Por kjo funksionon vetëm nëse funksionon mbrojtja e kufirit të jashtëm.

Polonia ka vendosur tashmë mijëra ushtarë në kufirin e saj të jashtëm të BE-së me Bjellorusinë. Përveç kësaj, qeveria në Varshavë njoftoi ndërtimin e një sistemi të fortifikuar kufitar që kushton më shumë se 350 milionë euro.

Frankfurt (Oder) | Polizeikontrollen an deutsch-polnischer Grenze

Lideri i partisë së të Gjelbërve, Robert Habeck, mendon se duhet të bëhet dallimi mes refugjatëve dhe emigrantëve që vijnë nga Polonia në Bashkimin Evropian. Është e rëndësishme të ndihmosh Poloninë, tha Habeck për gazetën “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung”.

“Ne duhet të kujtojmë se standardet humanitare duhet të përmbushen.” Më parë edhe kishat katolike dhe protestante në Gjermani kanë bërë thirrje gjithashtu që njerëzit në kufirin polako-bjellorus të mos liheshin vetëm.

Bashkimi Evropian e akuzon sundimtarin bjellorus, Aleksander Lukashenko, për sjelljen e qëllimshme të mijëra emigrantëve dhe refugjatëve në kufi me Poloninë dhe kontrabandimin e tyre në territorin e Bashkimit Evropian, si reagim ndaj sanksioneve më të rrepta ndaj këtij vendi nga BE dhe vendet tjera perëndimore.

Seehofer i ka propozuar së fundit homologut të tij polak Mariusz Kaminski që këto dy vende të bëjnë patrulla të përbashkëta gjermano-polake në kufi. Por deri tani nuk ka ndonjë përgjigje të qartë nga Varshava.

Operacioni policor kundër ekstremistëve të djathtë në kufirin me Poloninë

Në zonën Guben në Brandenburg, policia ka zbuluar 50 të dyshuar në kufirin me Poloninë, të cilët ishin të lidhur me partinë ekstremiste të krahut të djathtë, Rruga e Tretë. Sipas policisë, radikalët e djathtë donin të ndëmerrnin vetë masa kundër emigrantëve në kufi. Policia bën të ditur se këta persona ishin të armatosur me sprej, bajoneta, shpata, shkopinj dhe gjëra të tjera. /DW