Kancelarja gjermane Angela Merkel është shprehur të mërkurën se rregullat për distancimin social në Gjermani do të vazhdojnë të zbatohen të paktën deri më 3 maj. Gjithsesi, kancelarja shtoi se disa nga bizneset mund të rihapen javën tjetër.
Duke folur pasi kishte diskutuar me guvernatorët e 16 shteteve të Gjermanisë, Merkel u tha gazetarëve se masat kanë sjellë një “sukses i brishtë” në luftën kundër pandemisë.
Merkel shtoi gjithashtu se qeveria ka rekomanduar që qytetarët të mbajnë maska mbrojtëse për fytyrën gjatë blerjes dhe përdorimit të transportit publik.
Sipas kancelares gjermane, shkollat në të gjithë vendin do të nisin të hapen gradualisht, duke filluar nga 4 maji. Ndërkohë, Ministria e Brendshme ka njoftuar të mërkurën se kontrollet e kufirit me pesë vendet fqinje, Austri, Francë, Zvicër, Luksemburg dhe Danimarkë, janë zgjatur po ashtu deri më 4 maj. Udhëtarët që kërkojnë të lëvizin pa një arsye të vlefshme nuk lejohen të kalojnë kufirin.
Gjermania ka numrin e pestë më të lartë të të infektuarve me COVID-19 në botë, duke u renditur pas SHBA-ve, Spanjës, Italisë dhe Francës.
Deri më tani, Gjermania numëron 132,718 raste të konfirmuara me koronavirus si dhe 3,592 viktima. /abcnews.al/