Sondazh

Berisha bëri protestë me flamur gjerman. Por ndaj dhunës së saj reagon ashpër Gjermania:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Gjergj Sulioti, zëri që nuk shuhet/ Procesi i digjitalizimit nisi nga arkiva familjare

schedule20:14 - 11 Prill, 2026

schedule 20:14 - 11 Prill, 2026

Dy vite pas ndarjes nga jeta të tenorit të njohur të Teatrit të Operas dhe Baletit, Gjergji Sulioti, trashëgimia e tij artistike po rikthehet në jetë përmes një procesi të plotë digjitalizimi. Një arkiv i pasur, i shpërndarë mes familjes dhe institucioneve shtetërore, tashmë është mbledhur, restauruar dhe ruajtur për brezat që do të vijnë.

Nisma për këtë punë voluminoze u ndërmor nga nipi i tij, Aleksandër Sulioti – Ikonomidhi, i cili përtej lidhjes familjare, e konsideron këtë një mision për të ruajtur kujtesën artistike.

Procesi nisi nga arkiva familjare, fotografi, dorëshkrime dhe partitura të ruajtura me kujdes ndër vite nga vetë tenori. Mes tyre, edhe materiale të rralla, si partitura me shënime origjinale të kompozitorit Tish Daija, një operë që nuk u vu kurrë në skenë për shkak të ndryshimeve politike të viteve ’90.



Hapi i dytë ishte arkiva muzikore. Një pjesë e konsiderueshme e materialeve rrezikonin zhdukjen për shkak të dëmtimeve nga koha. Veçanërisht të rrezikuara ishin veprat e censuruara gjatë regjimit, të cilat Sulioti i kishte ruajtur në mënyrë private.

Mes tyre, krijimet e kompozitorit korçar Vangjo Nova, bashkëpunëtor i afërt i tenorit, veprat e të cilit u ndaluan dhe u hoqën nga transmetimi për një periudhë të gjatë.

Pjesë e digjitalizimit u bë edhe materiali i ruajtur në institucionet shtetërore: kartela personale në Teatrin e Operas dhe Baletit, fotografi nga rolet, si dhe regjistrime të rralla audio dhe video nga Radio Televizioni Shqiptar.

Gjatë karrierës së tij, Gjergji Sulioti interpretoi 42 role në skenën e operas, ndërsa aktiviteti i tij artistik u shtri edhe në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve, Ansamblin e Ushtrisë, si dhe në festivalet dhe programet muzikore të Radio Tiranës.Në vitet e fundit të jetës, ai u rikthye në Korçë, aty ku kishte hedhur hapat e parë në muzikë, në korin “Lira”, duke mbyllur kështu një rreth artistik që kishte nisur dekada më parë, në të njëjtin qytet dhe në të njëjtën traditë familjare.Sot, përmes këtij digjitalizimi, zëri dhe kujtimi i tij nuk mbeten më vetëm në arkiva, por bëhen pjesë e një trashëgimie të aksesueshme për publikun dhe historinë e muzikës shqiptare.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!