“Gjërat tona”/ Vrasja misterioze e ndërtuesit Eduart Reçi, si e organizoi krimin oficeri i policisë

schedule20:55 - 1 Dhjetor, 2024

schedule 20:55 - 1 Dhjetor, 2024

Gjithçka dukej e qetë atë mbrëmje të 13 nëntorit.

Herë pas here qetësia prishej nga zhurma e fishekzjarrëve, që në fakt kishin filluar të hidheshin prej 5 ditësh.

Dhe në fakt jo pa qëllim. Çfarë Policia zbuloi më pas, shpjegonte se hedhja e fishekzjarrëve ishte pjesë e një plani vrasjeje. Aq sa banorët e zonës të mësoheshin me atë zhurmë e të mos kuptonin shkrepjen e një arme.

Eduart Reçi, një ndërtues 52-vjeçar, kishte dalë dhe po ecte në sheshpushimin e pallatit që kishte ndërtuar vetë, në rrugën “Faik Konica”, përballë Fakultetit të Histori-Filologjisë.

Diçka po shikonte në telefon ose po tentonte të bënte një telefonat, kur papritmas u rrëzua përtokë.

Ishte ora 22:40 kur u dëgjua një krismë që nuk dihej se nga erdhi dhe që për të gjithë u duk si ndonjë fishekzjarr që ishin mësuar për 5 ditë të dëgjonin aty rrotull.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregonin se dikush e kishte vënë në shënjestër dhe e kishte qëlluar në distancë, pasi askush nuk shihej afër tij, por as rreth e rrotull.

Rreth orës 23:00, të datës 13 nëntor është bërë një telefonatë në sallën operative të Policisë së Tiranës, që është njoftuar për një person të shtrirë, para pallatit dhe që ishte i gjakosur në kokë. Kur shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, aty kanë gjetur disa banorë dhe bashkëshorten e viktimës që po i jepnin ndihmën e parë. Është bërë menjëherë transportimi i tij në spital, por me gjithë ndihmën e dhënë, rreth orës 04:00 ai ka ndërruar jetë.

Policia ka vijuar me këqyrjen  e vendit të ngjarjes, por nga ana tjetër ka rezultuar se nuk ka pasur shumë dëshmitarë që t’i vinin në ndihmë grupit hetimor. Në këto rrethana, puna është përqendruar më tepër tek verifikimi i të gjitha kamerave të sigurisë në zonë, që në fakt kanë qenë të shumta. Për disa orë me radhë, Policia nuk kishte gjetur as gëzhoja dhe as predha. Viktima, Eduart Reçi, ishte qëlluar nga një plumb i vetëm në kokë, por predha është gjetur një ditë pas ngjarjes, pasi Policia është rikthyer aty për një këqyrje më të detajuar.

Në bazë të predhës së gjetur, Policia arriti në përfundimin se krimi ishte kryer me një armë që nuk ishte e tipit të zakonshëm, jo nga ato armët që ndeshen shpesh. Bëhej fjalë për një armë të kalibrit të vogël, 5.56 milimetër. Një kalibër që në rast se do e kishte goditur në ndonjë vend tjetër viktimën dhe jo në kokë, mund të mos kishte pasur pasoja për jetën.

Policia bëri disa eksperimente hetimore në vendin e ngjarjes, për të përcaktuar vendin dhe këndin e qitjes. Fillimisht arriti në përfundimin se qitja ishte kryer nga një distancë afro 20-30 metra.

Paralelisht, grupi hetimor nisi punën me burime informacioni, duke verifikuar fillimisht të shkuarën e viktimës, që nuk rezultonte me ndonjë të kaluar kriminale. Në një periudhë, shumë vite më parë, Eduart Reçi kishte qenë pjesë e strukturave të Shërbimit Informativ Kombëtar, sot SHISH.

Grupi hetimor verifikoi çdo pistë të mundshme për disa ditë me radhë, duke nisur që nga e shkuara e viktimës, problemet që ai mund të kishte pasur, personale, për shkak të detyrës si ish-oficer i SHISH, apo edhe si biznesmen.

Erion Ismaili, zv.drejtor i Policisë së Tiranës

Nisur nga profili i viktimës, për të cilin ne kemi bërë një analizë analitike dhe dinamike duke e shtrirë në kohë, për problematikat, ngjarjet, rekordet, punësimet dhe gjithçka që përfaqësonte viktima në jetën e vet. Na ka rezultuar që një nga problemet, kanë qenë problemet mbi pronësinë, që lidheshin me vendin, aty ku ekzekutua. Gjë të cilën na rezultonte se viktima kishte disa problematika me komshinjtë, me personat përreth pronës së tij, të cilat herë pas here kishin agravuar, kishin pasur denoncime në Polici, kishin pasur shqetësime të shprehura tek punonjësit e Policisë së zonës, besoj edhe në institucione të tjera, e pakonfirmuar kjo, pavarësisht se ne jemi duke kryer të gjithë procesin e verifikimit të problematikave të tij, të shtrira ndër vite.

Në arkivat e Policisë së Tiranës, si për koincidencë, rezultonte vetëm një konflikt i ndodhur në vitin 2011, në të njëjtin vend dhe në të njëjtën datë që ai u ekzekutua.

Njoftimi i Policisë

Më datë 13 nëntor 2011, rreth orës 15:00, në vendin e quajtur Rruga e Elbasanit, brenda një banese private, shtetasit Nazmi Peka, Xim Baraku, Sali Alia dhe tre persona të tjerë të paidentifikuar e kanë goditur me grushte, shkelma dhe mjete të forta të zotin e shtëpisë, shtetasin Eduart Reçi dhe nipin e tij Erald Myftari, duke i shkaktuar dëmtime.

Dyshimi kryesor i Policisë në atë kohë lidhej me një konflikt pronësie që Eduart Reçi kishte me një nga personat që e dhunoi. Madje Reçi u kishte vënë në dispozicion oficerëve të Policisë në vitin 2011 edhe dokumentacionin përkatës me njërin prej personave me të cilin ka pasur problematikë. Është bërë kallëzim, ekspertim mjeko-ligjor, por çështja më pas u pushua.

Por kishte edhe një koincidencë tjetër, që lidhej me vendin e ngjarjes por edhe me mbiemrin dhe origjinën e njëjtë, nga Dibra. Në të njëjtin vend, më 5 mars të vitit 2007, aty ishte ekzekutuar 45-vjeçari Agim Reçi, një tjetër biznesmen, që po ashtu ishte dibran. Ai ishte administrator i një bingoje në kryeqytet dhe në atë kohë u dyshua se u vra për hakmarrje. Agim Reçi u qëllua për vdekje me armë me silenciator, nga një makinë në lëvizje, në momentin kur ka qenë në rrugë pranë Fakultetit të Histori-Filologjisë në Tiranë.

Megjithatë, siç rezultoi nga veprimet e shpejta hetimore, Eduart Reçi, përveç origjinës së njëjtë, nuk kishte asnjë lidhje me Agim Reçin. E duke vepruar me teorinë e përjashtimit, grupi hetimor i përqendroi veprimet për problemet e fundit që ai mund të kishte pasur. Dhe siç rezultoi 10 ditë më vonë, kur Policia e Tiranës njoftoi se kishte zbardhur ngjarjen, bëhej fjalë për një konflikt pronësie me persona që jetonin po aty, në të njëjtën zonë.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Jetës bazuar në provat e grumbulluara nga hetimi intensiv, arrestuan shtetasit Shkëlqim Dukaj, 48 vjeç, oficer Policie në Komisariatin nr.2 në Tiranë dhe vëllain e tij Florjan Dukaj, 45 vjeç, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” e kryer ne bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Njoftimi i Policisë

Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 13 nëntor 2024, ku në rrugën “Faik Konica”, u plagos me armë zjarri shtetasi Eduart Reçi, i cili si pasojë e plagëve marra ndërroi jetë në spital. Vihen në pranga dy vëllezër, të dyshuar si autorë të ngjarjes. Sekuestrohen prova materiale që shërbejnë për dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve, ishin vënë në pranga vëllezërit Shkëlqim dhe Florjan Dukaj. Arrestimi i tyre, sipas Policisë është kryer në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, shfrytëzimit të inteligjencës policore, administrimit të provave dhe ekzaminimeve të ndryshme kriminalistike, administrimit të dokumenteve, etj.. Në këtë formë është bërë dokumentimi ligjor i implikimit të personave si autorë të dyshuar të kësaj ngjarje.

Njoftimi i Policisë

Në zbatim të vendimit të Gjykatës, më datë 23 nëntor 2024, është ushtruar kontroll në ambientet e lokalit dhe banesës së 2 vëllezërve dhe në magazinën e lokalit janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pjesërisht e dëmtuar, gjashtë objekte cilindrike te ngjashme me silenciatorë me përmasa të ndryshme, pjesë dhe mekanizma të ndryshëm që përdoren për silenciatorët, dy jelekë antiplumb dhe pajisje të ndryshme elektronike, të cilat dokumentojnë veprimtarinë dhe dinamikën e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se Eduart Reçi po angazhohej për të ndërtuar një pallat, ndërtimi i të cilit kërkonte bashkëpunim dhe dakordësim edhe me persona të tjerë, kufitar me pronën e viktimës. Ndër personat me të cilët Reçi kishte diskutuar lidhur me këtë problematikë dhe ka pasur konflikt mbi pronësinë e truallit, janë vëllezërit Florjan dhe Shkëlqim Dukaj. Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

Erion Ismaili

Një nga konfliktet që viktima kishte me personat e dyshuar, tashmë të arrestuar, ishte konflikti mbi pronësinë, sepse prona e autorëve të dyshuar kishte një mur ndarës me pronën e viktimës. Gjë të cilën ndër vite viktima e kishte shprehur për pjesën e territorit të pronësisë, që ishte një pjesë brenda kufijve të pronës që pretendonin vëllezërit e arrestuar. Ky ishte një nga versionet, tek i cili ne u fokusuam, për të parë që deri ku është zhvilluar konflikti dhe kush ishin personat e përfshirë e që kishin dijeni për këtë konflikt.

Ngjarja u komentua gjerësisht si një krim i kryer nga profesionistë dhe me një armë që kishte preçizion të lartë. Megjithatë, as sot, arma e krimit nuk është gjetur. Ndërsa sa i përket autorëve të dyshuar, të paktën njëri prej tyre, oficeri i Policisë, Shkëlqim Dukaj, rezultonte se kishte pasion për armët dhe herë pas herë bënte qitje në poligone. Një fotografi e dyshimtë e gjetur në telefonin e tij, e cila më pas ishte fshirë, por u rikthye nga grupi hetimor, përforcoi edhe më shumë dyshimet e Policisë. Ai shfaqej i pozicionuar, gati për qitje, me një armë të gjatë, të dyshuar snajper.

Por si ndodhi ngjarja dhe cilat ishin veprimet e grupit hetimor që arritën të zbardhnin vrasjen dhe të identifikojnë e arrestojnë autorët e dyshuar?

Më datë 13 nëntor 2024, rreth orës 22:40, është marrë njoftim nga salla operative se në rrugën “Faik Konica”, në Tiranë, është konstatuar i shtrirë në tokë me dëmtime në kokë, shtetasi Eduart Mahmur Reçi, 52 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë. Ai është transportuar për marrjen e ndihmës së specializuar mjekësore në Spitalin e Traumës.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, është krijuar grupi hetimor, i përbërë nga oficerë të Policisë Gjyqësore, ekspertë kriminalistë dhe nga kryerja e veprimeve paraprake hetimore si: këqyrja e vendit të ngjarjes, administrimi dhe këqyrja paraprake e kamerave të sigurisë, marrja e të dhënave nga personat që kanë dijeni për rrethanat e hetimit. Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se, në momentin e ngjarjes, Eduart Reçi ka qenë duke qëndruar i vetëm në sheshpushimin e disa pallateve të ndërtuara prej tij, pas një lokali dhe përballë një lokali tjetër. Në këtë moment, persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, në distancë, një herë të vetme dhe si pasojë e të shtënës Eduart Reçi ka marrë një plagë në kokë, duke u plagosur rëndë.

I plagosuri është konstatuar i shtrirë në tokë përpara pallatit që ai ka ndërtuar në rrugën “Faik Konica” nga banorë të lagjes dhe bashkëshortja, të cilët kanë njoftuar shërbimin e urgjencës, që e kanë transportuar në Spitalin e Traumës në gjendje kritike për jetën. Pavarësisht ndihmës së specializuar mjekësore, i plagosuri ka ndërruar jetë disa orë më pas, më datë 14 nëntor 2024, në spital.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, i cili ndodhet në sheshpushimin e hyrjes së pallatit, në pjesën e pasme të një lokali, janë gjetur, fiksuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, dy atlete, 2 tamponë steril, 2 bidona plastik uji, 2 flakadanë të mbështjellë me natriban, 2 flakadanë me përmasa pak më të mëdha dhe një flakadan tjetër në formë cilindrike.

Gjatë rikëqyrjes së vendit të ngjarjes, në dyshemenë e oborrit, në distancë dy metra nga ana verilindore, disa metra nga tenda dhe gardhi në pjesën e brendshme të një supermarketi, është gjetur, fiksuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një copë metali e deformuar, me ngjyrë gri të errët, si ajo e plumbit me përmasat 1 me 0.6 centimetër.

Nga administrimi dhe këqyrja paraprake e kamerave të sigurisë, të marra nga një subjekt privat në vendin e ngjarjes, rezulton se më datë 13 nëntor, në orën 22:39, Eduart Reçi ka qenë duke lëvizur në këmbë në sheshpushimin përpara pallatit të tij dhe nga audio e videos dëgjohet një e shtënë si ajo e armëve të zjarrit dhe në këtë moment Eduart Reçi rrëzohet në tokë. Paraprakisht, nga këqyrja e pamjeve filmike, nuk konstatohet që pranë viktimës të afrohet ndonjë autor i dyshuar, çka ngre dyshimin që qitja në drejtim të viktimës është realizuar në distancë. Referuar këqyrjes së vendit të ngjarjes, këqyrjes së kufomës, pamjeve filmike, pozicionit të viktimës në momentin e rrëzimit në tokë, dëmtimeve në kokë, dëmtimit të tendës së supermarketit, etj., mendimit paraprak të ekspertëve kriminalistë mbi drejtimin e qitjes, rezulton se autori mund të ketë qenë pozicionuar në kafazin e katit të dytë të shkallëve metalike të emergjencës në pjesë e pasme të një hoteli.

Erion Ismaili

Nuk ishte vetëm ky konflikti mbi pronësinë që kishte viktima me persona të tjerë komshi me të. Ne u fokusuam tek të gjitha konfliktet por pastaj duke analizuar në tërësi të gjithë pamjet filmike të autorit të dyshuar të ngjarjes, i cili siç thashë dinamika e ngjarjes ka filluar në datën 8 nëntor dhe ka vazhduar deri në datën 13 nëntor, ditën që është ekzekutuar personi, Eduart Reçi. Na rezultonte që vendi, pozicioni ku ishte pozicionuar gjatë ditëve qitësi, ishte pranë pronës, në një shkallë metalike të një objekti, pranë pronës së vëllezërve të dyshuar, Dukaj.

Nga hetimi rezulton se Eduart Reçi, ndër vite ka ndërtuar në Tiranë dy pallate dhe një vilë që është kthyer lokal dhe të gjitha njësitë e banimit, garazhe, njësi tregtare, vila, etj. i ka dhënë me qira tek persona të ndryshëm.

Të pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e krimit, bashkëshortja dhe dy djemtë e viktimës, në mënyrë të përmbledhur kanë deklaruar se shumë klientë kanë qenë korrekt me marrëveshjet, kontratat e qirave dhe me disa klientë të tjerë, Eduart Reçi ka pasur mosmarrëveshje. Sipas tyre, mes personave që Reçi ka pasur mosmarrëveshje dhe debate lidhur me kontratat ka qenë një person me origjinë nga Berati, i cili banon pranë vendit të ngjarjes. Të tjerë persona, me të cilët ai ka pasur mosmarrëveshje për çështje pronësie janë dy vëllezër, pronarë të lokal “Polis” ose “Çikos” afër vendit të ngjarjes, pasi një pjesë e këtij lokali është ndërtuar në pronën e tyre. Gjithashtu, Eduart Reçi ka pasur mosmarrëveshje edhe me pronarin e hotelit aty afër, lidhur me kufirin ndarës të hotelit dhe pronës së tij, që është sheshpushimi i pallatit. Një tjetër konflikt që Reçi ka pasur ka qenë edhe me një tjetër person, lidhur me një sipërfaqe toke të llojit arë, në fshatin Zdojan, në Dibër, të regjistruar në pronësi të viktimës dhe që posedohej nga personi që kishte konflikt.

Më datë 15 nëntor, familjarët e Eduart Reçit kanë dorëzuar në Polici celularin që përdorej prej tij, një “Iphone 12 Por Max”, i cili është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Nga këqyrja paraprake e këtij celulari, komunikime, foto, dokumente, rezulton se viktima po përgatitej për të ndërtuar një pallat, ndërtimi i të cilit kërkonte bashkëpunim dhe dakordësim edhe me persona të tjerë, kufitar me pronën e viktimës.

Nga të dhënat e siguruara në rrugë operativ dhe proceduriale, ndër personat me të cilët Eduart Reçi ka diskutuar lidhur me këtë problematikë dhe nuk ka gjetur dakordësinë për ndërtimin e pallatit janë vëllezërit Florjan dhe Shkëlqim Dukaj, pronarë të një lokali të ndërtuar me tendë dhe pronari i hotelit. Lidhur me këtë problematikë, Eduart Reçi ka komunikuar me vëllezërit Dukaj, si dhe persona të tjerë, që ai shkruan se ata janë të pabesë.

Nga këqyrja e pamjeve filmike të hotelit, rezulton se më datë 7 nëntor 2024, në orën 14:44, në ambientet e parkingut, në pjesën e pasme të hotelit, futet Florjan Dukaj, i cili lëviz në këmbë duke vështruar rreth 5-6 minuta pjesën e shkallëve metalike të emergjencës, murin rrethues që ndan rrethimin e hotelit me lokalin e tij, si dhe pjesën e sipërme të lokalit që ishte ndërtuar nga vetë Eduart Reçi. Gjithashtu, nga këqyrja e pamjeve filmike, rezulton se më 8 nëntor 2024, në intervalin kohor, nga ora 19:30, deri në orën 21:00, në hapësirën e sheshpushimit të pallatit të ndërtuar nga viktima, që është edhe vendi i ngjarjes, hidhen fishekzjarre. Kjo situatë është përsëritur dhe evidentuar edhe më datën 9 dhe 10 nëntor, si dhe ditën e ngjarjes, më 13 nëntor.

Nga këqyrja e pamjeve filmike, më datë 8 nëntor, në orën 20:18, në shkallët metalike të emergjencës, në pjesën e pasme të hotelit, shihet silueta e një personi të paidentifikuar dhe në dukje një dritë e vogël, që vjen nga celulari ose veshje fosforeshente, që qëndron në katin e dytë të kafazit të shkallëve të emergjencës. Rreth orës 22:27, shihet reflektimi i hijes së duarve të një personi, i dyshuar si autori dhe të tytës së një arme të gjatë, që në dukje mbushet. Nga këqyrja e kamerës, që fokuson sheshpushimin e pallatit të ndërtuar nga Eduart Reçi, shikohet që ky i fundit është duke pastruar oborrin dhe në këtë kohë vërehet një re e vogël tymi, që krijohet në faqen e murit të pallatit, në drejtimin ku ndodhet Eduart Reçi.

Bazuar në pamjet filmike, më 21 nëntor 2024 është rikëqyrur vendi i ngjarjes, ku në distancë rreth 1.5 metra nga niveli i dyshemesë, në faqen e murit, është konstatuar një dëmtim si ato që shkaktohen nga predhat e fishekut të armëve të zjarrit. Silueta e autorit shfaqet në të njëjtin vend, në katin e dytë të kafazit të shkallëve të emergjencës së hotelit edhe në datën 12 nëntor, si dhe ditën e ngjarjes më 13 nëntor.

Më konkretisht, më 13 nëntor, rreth orës 20:30, shihet silueta e një personi të paidentifikuar dhe në dukje një dritë e vogël, që ngjitet dhe qëndron në katin e dytë të kafazit të shkallëve të emergjencës. Në orën 20:43 hidhet lëndë piroteknike, ndërsa në orën 22:39 dëgjohet një e shtënë si ajo e armëve të zjarrit dhe në këtë moment Eduart Reçi rrëzohet në tokë. Afro 3-4 minuta më vonë, shikohet që fiken dritat e lokalit në pronësi të vëllezërve Shkëlqim dhe Florjan Dukaj.

Nga këqyrja dhe analizimi paraprak i regjistrimeve filmike, rezulton se i gjithë vendi ku ka ndodhur ngjarja është i monitoruar me kamera sigurie dhe pasi viktima qëllohet në distancë nga kati i dytë i kafazit të shkallëve të emergjencës në pjesën e pasme të hotelit, nuk konstatohet që autori të largohet në asnjë drejtim. Nga kontrolli i territorit dhe këqyrja rezulton se i vetmi drejtim që nuk mbulohet me kamera dhe mundësi që autori të largohet, është ngushtica që të çon tek lokali i vëllezërve Shkëlqim dhe Florjan Dukaj.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës, në datë 23 nëntor 2024 është ushtruar kontroll në ambientet e lokalit dhe banesës së vëllezërve Dukaj, ku në magazinën e lokalit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një objekt metalik në gjendje të ndryshkur me tytë metalike të palosur, në dukje si armë zjarri pa krehër, dy hard disqe, një DVR dhe një çantë e zezë brenda së cilës ndodheshin disa objekte, në formë cilindrash metalik të përmasave të ndryshme. Në vijim të kontrollit të banesës së Shkëlqim Dukajt, është sekuestruar një bluzë e zezë, një palë tuta të zeza, një armë zjarri pistoletë me 2 krehra dhe 16 fishekë, për të cilat është bërë vendim ekspertimi për faktorë plotësues. Gjithashtu është gjetur edhe një jelek antiplumb  si ato që përdoren nga punonjësit e policisë, me ngjyrë kamuflazhi ushtarake.

Erion Ismaili

Duke u nisur edhe nga pozicioni i qitësit, që ishte vendosur në shkallët metalike të një objekti që ishte ngjitur me territorin e pronës së vëllezërve Dukaj, por ngjitur edhe me territorin e pronës së viktimës, duke analizuar të gjitha pamjet filmike përreth vendit të ngjarjes, përreth vendit ku ishte viktima, Eduart Reçi dhe u ekzekutua, na rezulton që nuk kemi asnjë hyrje dhe asnjë dalje për rreth 7 ditë që autori i dyshuar ishte pozicionuar për të ekzekutuar viktimën. Na rezulton që nuk kemi asnjë hyrje dhe asnjë dalje të tij në këtë territor. Dhe për këtë arsye ne u fokusuam se cili ishte vendi më i përshtatshëm për autorin, për t’u pozicionuar, në mënyrë që t’u shmangej pamjeve filmike në hyrje dhe në dalje. Por nga shqyrtimi i pamjeve filmike, kemi parë që një ditë para vendosjes së qitësit në shkallët metalike, i cili vendosej rreth orëve të muzgut të natës dhe qëndronte aty deri rreth orës 23:30, një ditë më përpara kemi parë njërin nga vëllezërit Dukaj, i cili verifikonte të gjitha kamerat, në vendin që ishte pozicionuar qitësi, rreth e rrotull. Shikonte drejtimet dhe pamjet vizuale të tyre. Kjo na bëri të dyshojmë dhe të vazhdojmë më tej, sepse kemi të bëjmë me pronën e vëllezërve Dukaj. Këtu ka filluar zanafilla që ne kemi krijuar një bindje që jemi në këtë drejtim dhe më pas kemi vazhduar me veprime të tjera hetimore, që janë pjesë e hetimit, derisa shkuam në ditën e ndalimit të autorëve të dyshuar.

Nga këqyrja e celularit të personin në hetim, Shkëlqim Dukaj, ndër të tjera janë gjetur foto të një arme pushkë, CZ 452 dhe CZ 457, model 22LR, të realizuara në datën 6 nëntor 2024 dhe të fshira më datë 10 nëntor 2024. Këto armë të pasqyruara në foto janë të ngjashme me llojin e kalibrit të armës së përdorur në ngjarjen e datës 13 nëntor 2024, ku është vrarë me armë zjarri Eduart Reçi. Gjithashtu, nga këqyrja e këtij telefoni, vihen re dhe bisedat që ka kryer ky person me kontaktin e regjistruar “K1 Komshi Eduart Reçi”, në lidhje me ndërtimin që ata do të kryenin. Nga këqyrja e një tableti të sekuestruar, vihet re në aplikacionin WhatsApp biseda prej datës 31 tetor 2024 deri më 21 nëntor 2024, me kontaktin “Çimi 041”, ku ka linqe për lloje të ndryshme armësh zjarri.

Është marrë në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen shtetasi Florjan Dukaj, i cili ka deklaruar:

Florjan Dukaj

Eduart Reçin e njoh prej afro 30 vitesh, pasi jemi komshinj në të njëjtin vendbanim. Njohja dhe marrëdhënia jonë është forcuar nga muaji gusht 2024, kur Eduart Reçi na ka propozuar mua dhe vëllait tim, që në truallin e lokalit tonë dhe vilën 2-katëshe të Eduartit të ndërtonim bashkë një pallat. Gjatë kësaj kohe kemi qenë në bisedime për të përfunduar kontratën e pallatit dhe për të diskutuar modalitetet e nevojshme. Truallin e kemi pasur pa letra dhe Eduarti na ka ofruar ndihmë për legalizimin, por më pas është tërhequr pasi nuk ka pasur njohje.

Gjatë këtyre takimeve dhe bisedave të zhvilluara, sipas vëllezërve Dukaj, ata vërenin një lloj nxitimi nga ana e Eduart Reçit, për ta përfunduar sa më shpejt procedurën e dokumentacionit që të fillonin me ndërtimin, gjë e cila u kishte shkaktuar një lloj shqetësimi se për çfarë ishte kjo lloj ngutjeje. Në një nga takimet e tyre, në fillim të muajit tetor, Eduart Reçi u kishte thënë që ndërtimi në pronën e vëllezërve Dukaj të bëhej pa leje dhe ata të paguanin ryshfet nëpër instititucionet përkatëse. Kjo gjë nuk është pëlqyer nga Florjani dhe vëllai i tij, për shkak të nxitimit dhe mënyrës së përshpejtuar që donte Eduarti për të bërë ndërtimin. Gjithashtu, në takimin e fundit që ata kanë bërë një javë para se të vritej Eduart Reçi, kanë rënë dakord që të prisnin procedurën zyrtare të legalizimit.

Florjan Dukaj

Nuk kemi pasur mosmarrëveshje apo konflikt me Eduart Reçin. Për ngjarjen kemi marrë dijeni nëpërmjet mediave dhe kur kanë ardhur punonjësit e Policisë për të marrë pamjet filmike, që nuk i kemi pasur, për arsye se na është prishur hard disku para 20 ditëve. Nuk kam dijeni për konfliktet e Eduartit me persona të tjerë, me përjashtim të një episodi me pronarit e hotelit, që është ngjitur me pronën time, ku vetë Eduarti na ka thënë që pronari i hotelit i ka marrë 0.5 metër në pronën e tij, por ka qenë mosmarrëveshje që e kanë zgjidhur. Në datën 13 nëntor, rreth orës 21:30 kam dëgjuar zhurma si ato të fishekzjarrëve që vinin nga pjesa afër derës së lokalit dhe ambienteve përreth. Këto zhurma i kam dëgjuar gjithë javës në orët e mbrëmjes. Në ambientet e hotelit, tek parkingu dhe tek shkallët e jashtme kam shkuar herë pas here për të kontrolluar tendën e lokalit, telin e gardhit anës dhe kondicionerët. Arma dhe pjesët e silenciatorit që keni gjetur janë të vëllait, pasi është i apasionuar pas armëve të gjuetisë dhe ka aplikuar për leje arme. Ai vetë ka njohuri të përgjithshme për armët e zjarrit dhe për herë të fundit ka kryer qitje përpara shumë vitesh në një poligon privat.

Në lidhje me një link të dërguar në datën 6 nëntor 2024 nga ana e vëllait të tij nga numri i telefonit në tabletin që qëndron në banakun e lokalit të tyre, ku shfaqet një video e një snajperi me dylbi të markës “Hikmicro”, Florjan Dukaj deklaron se i vëllai, Shkëlqimi, e ka dërguar këtë link videoje me qëllim që ta shikonte më vonë vetë në tablet, pasi është ekrani më i madh dhe cilësia më e mirë dhe i shikon ato herë pas here.

Erion Ismaili

Disa nga provat janë duke u ekzaminuar në laboratorin kriminalistik dhe jemi në pritje të akteve të ekspertimit. Kemi verifikuar një fakt që në datat 8, 9, 10, 12 dhe 13 që është bërë ekzekutimi, personi i dyshuar, që ne dyshojmë se është edhe ekzekutori, ka qenë i pranishëm në ambientet e lokalit të vet. Në datën 11, nga analizimi i pamjeve filmike, konstatojmë që qitësi nuk është pozicionuar në shkallët metalike dhe nuk kemi hyrje – dalje të qitësit në atë pozicion, personi i dyshuar ka qenë me detyra të tjera, pasi ka qenë i planizuar me shërbime të tjera dhe nuk ka qenë në ambientet e lokalit atë ditë. Ishte një indicie, për të cilën më pas ne kërkuar veprime të tjera, në bashkëpunim me Prokurorinë kërkuar vendime për kontroll dhe veprime të tjera për të kryer në ambientet e lokalit, pronë e dy vëllezërve Dukaj, gjë e cila na solli më pas pjesën finalizuese që ne krijuam bindjen bazuar në fakte dhe disa prova, që shkuam deri në arrestimin e tyre.

Gjithashtu është marrë në pyetje si person që ka dijeni për ngjarjen edhe Shkëlqim Dukaj, i cili ka deklaruar se e njeh Eduart Reçin dhe familjen e tij, bashkëshorten dhe dy djemtë, si komshi prej 30 vitesh.

Shkëlqim Dukaj

Me Eduartin kohët e fundit, që prej muajit gusht, kemi pirë disa herë kafe me njëri-tjetrin, me të cilin kemi pasur një diskutim për të ndërtuar një objekt, pallat, ku lejen do e merrte Eduarti dhe objekti do të ndërtohej në pjesën e Eduartit dhe të oborrit të banesës tonë. Nëpërmjet meje dhe vëllait tim Florjanit, me shtetasin Eduart Reçi nuk ka pasur mosmarrëveshje në lidhje me pronësinë e tokës, por kishim rënë dakord që me marrjen e lejes së ndërtimit, ta shfrytëzonim të gjithë hapësirën e mundshme që kishim ne të dy palët dhe ta ndanim sipas proporcionalitetit.

Shkëlqim Dukaj ka deklaruar së më 13 nëntor 2024, në fillim ka qenë në punë dhe ka kryer disa veprime proceduriale në Komisariatin e Policisë Nr.2, deri rreth orës 18:00, më pas ka shkuar në shtëpi, ka marrë bashkëshorten dhe e ka çuar për vizitë në një klinikë private afër maternitetit të ri tek “Bërryli”. Ndërsa rreth orës 20:00 kanë shkuar në banesë dhe që prej asaj ore nuk ka dalë më.

Shkëlqim Dukaj

Për ngjarjen që i ka ndodhur Eduart Reçit e kam mësuar nga mediat, pasi isha në ambientet e lokalit me familjarët e mi duke parë televizor. Rreth orës 01:00, kemi dëgjuar lëvizje tek dera e pasme e lokalit tonë. Në këtë kohë kam dalë jashtë dhe kam parë punonjësit e Policisë, të Drejtorisë Vendore Tiranë, me të cilët jam takuar. Më pas kam hyrë përsëri në lokal dhe vazhduam bisedën me familjarët. Në lidhje me vrasjen e Eduart Reçit, unë dhe familjarët e mi nuk kemi dëgjuar ndonjë krismë arme, pasi atë ditë dhe ditë të tjera më përpara, janë hedhur fishekzjarre në mënyrë të përsëritur gjatë pasdites dhe darkës. Unë në dijeninë time nuk di të ketë pasur konflikte me banorë të tjerë, pasi dalja e banesës time nuk përkon me daljen e banesës së Eduart Reçit. Por gjatë një momenti kur kemi qenë duke pirë kafe me njëri-tjetrin, me sa kujtoj ka qenë ditë e shtunë, para se të ndodhte ngjarja dhe me ka shprehur se ka pasur një debat me pronarin e hotelit, për një çështje prone, ku sipas bisedës të dy palët pretendonin për pronësinë mbi një pjesë të sipërfaqes së parkimit të hotelit. Këtë fakt në lidhje me debatin me pronarin e hotelit, ma ka thënë edhe një herë tjetër kur kemi pirë kafe nga muaji gusht e këtej, pasi nuk me kujtohet saktësisht koha.

Pra siç shihet nga dëshmitë e dy vëllezërve, Shkëlqim dhe Florjan Dukaj, ata kishin përgatitur alibinë e tyre, madje duke hedhur edhe një motiv të mundshëm si ide për vrasjen e tij dhe duke përjashtuar konfliktin e tyre. Nga këto deklarime, vëllezërit Dukaj rezulton se kanë pasur bisedime me Eduart Reçin për të ndërtuar një pallat në pronën e tyre të përbashkët, por mohojnë të kenë pasur ndonjë konflikt me të.

Erion Ismaili

Unë e kam thënë edhe më përpara në lidhje me profilin e ish-punonjësit të Policisë të dyshuar për ngjarjen, që ka pasur një problematikë vite më parë, është arrestuar në flagrancë për një kallëzim të bërë nga një shtetase e huaj. Por dua të theksoj që për këtë rast ka marrë pafajësinë, sepse me aq sa kam informacion, shtetasja që ka bërë kallëzimin është tërhequr nga kallëzimi në një kohë shumë të shpejtë dhe punonjësi i Policisë ka marrë pafajësinë në rastin konkret. Nuk kam dijeni në lidhje me masat administrative, profilin në punë apo anën profesionale të tij, pasi unë e kam njohur vetëm tani në rastin e ngjarjes si punonjës Policie, nuk e kam njohur më përpara. Kam marrë informacion se këtë punonjës Policie e kemi pasur ndër punonjësit më të mirë në këto stërvitjet vjetore që bëjmë qitje, ku rezulton që nga qitja me armë zjarri pistoletë dhe armë zjarri të gjata, është një nga qitësit më të mirë në strukturat e Policisë të Drejtorisë Vendore Tiranë.

Në bazë të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, të datës 23 nëntor 2024, janë marrë kampione ADN-je të shtetasve Shkëlqim Dukaj, Florjan Dukaj dhe bashkëshortes së njërit prej tyre. Është marrë me procesverbal planëzimi i shërbimit të gatishmërisë së Komisariatit të Policisë Nr.2, në datë 11 nëntor 2024, ku Shkëlqim Dukaj ka qenë i gatshëm atë ditë dhe në pamjet filmike të sekuestruara nuk duken të hidhen fishekzjarre. Në këto kushte, Policia Gjyqësore ka bërë dhe arrestimin në flagrancë të vëllezërve Shkëlqim dhe Florian Dukaj.

Kërkesa e Prokurorisë

Për sa më sipër, ekziston dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova se të arrestuarit kanë kryer veprat penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Gjykata në caktimin e llojit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues ndaj të arrestuarve, duhet të ketë parasysh se në rastin konkret, rrezikshmëria shoqërore e veprës dhe autorit të saj plotëson kushtet dhe kriteret e përgjithshme dhe të veçanta për caktimin e masave të sigurimit personal të karakterit shtrëngues të “arrestit në burg”.

Kërkesa e Prokurorisë u pranua nga Gjykata Penale e Tiranës, e cila me vendimin e datës 26 nëntor 2024, e cilësoi të ligjshëm arrestimin dhe vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për të dy vëllezërit. Nga ana tjetër, përmes avokatit, por edhe vetë personalisht, Shkëlqim dhe Florjan Dukaj kanë këmbëngulur se nuk janë ata autorë të vrasjes. Por akuza pretendon të kundërtën, madje thotë se ka prova që i implikojnë, duke konsideruar si ekzekutor, efektivin e Policisë Shkëlqim Dukaj, ndërsa i vëllai dyshohet të jetë personi që e ka ndihmuar në kryerjen e krimit.

Erion Ismaili

Në momentin e parë që ne i kemi intervistuar nuk kanë mbajtur qëndrim mohues, të paktën ish-punonjësi i Policisë. Nuk ka dhënë shpjegime. Ka qenë i paqartë në raport me çfarë e pyesnim dhe unë mendoj që duhej të ishte më i qartë për sa i përket kësaj, për shkak edhe të profesionit që ai ka. Dhe vëllai i vet ka qenë në pozicion mohues, duke ngritur versione dhe alibi të ndryshme lidhur me situatën e ngjarjes, konfliktet që kishin me viktimën. Pastaj në momentin final që janë pyetur me procesverbal zyrtar hetimor nuk kanë dhënë shpjegime, kanë thënë që nuk do japim shpjegime por do t’i japim në një seancë tjetër pyetjesh. Grupi hetimor, pavarësisht se ku jemi sot lidhur me këtë ngjarje, ne kemi pistat tona të hetimit dhe mendojmë që në këtë ngjarje duhet të ketë edhe persona të tjerë të përfshirë, për të cilën ne jemi duke punuar dhe shumë shpejt do të dalim në një version zyrtar për të reja të tjera lidhur me këtë ngjarje.

 

Me gjithë indiciet, provat e gjetura dhe pamjet e kamerave të sigurisë, ka dhe një element tjetër thelbësor për zbardhjen e plotë të një krimi, që është arma me të cilën është kryer. Kjo armë ende nuk është gjetur. Megjithatë hetimet vijojnë ende dhe kontrollet po ashtu. E gjithashtu pritet edhe përgjigja e analizave biologjike që konsiderohen si një provë e rëndësishme shkencore për të vulosur përfundimisht fatin e dy vëllezërve, njëri prej të cilëve oficer Policie.

E në fakt dyshimet se vrasësi është pikërisht punonjësi i Policisë, e bëjnë edhe më të rëndë atë çfarë ka ndodhur.

“Së bashku për një komunitet të sigurt”.

Ky është vizioni i Policisë së Shtetit e për rrjedhojë i çdo punonjësi që mban veshur uniformën blu.

Garantimi i një mjedisi të sigurt për qytetarët, është misioni i tyre.

Por ditë pas ditë, të paktën në ngjarjen e fundit, dalin në skenë, si të implikuar direkt apo indirekt në krime, shumë punonjës Policie, që mesa duket e kanë humbur edhe vizionin edhe misionin, për të cilin janë betuar kur kanë veshur uniformën shtetërore.

Përveç emrave të oficerëve e madje edhe drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit, që po ekspozon aplikacioni SKY, si të lidhur e bashkëpunëtor të grupeve e organizatave kriminale, në një hark kohor prej më pak se 30 ditësh, disa emra policësh po lakohen në tri vrasje të rënda. Disa të dyshuar për mosveprim, siç ishin 4 policët e Shqiponjave që u arrestuan për “Masakrën e Dobraçit”, që vazhdojnë të jenë në hetim, edhe pse të liruar nga qelia. Disa të tjerë, dëshmitarë dhe të shoqëruar deri para se të ekzekutohej me djalin e ish-gjyqtarit në Tiranë. Ndërsa i fundit, i dyshuar si vrasës i biznesmenit Eduart Reçi.

Sigurisht që ata nuk përfaqësojnë të gjithë Policinë e Shtetit, por fakti që herë pas here emra të veçuar shfaqen në ngjarje të rënda kriminale, dëshmon nevojën për një reformim të thellë. E duket se diçka ka nisur. Në fillim ishte radha e drejtuesve të lartë, por duket se vëmendja duhet të shkojë edhe tek ata që përballen çdo ditë dhe direkt me qytetarët dhe kriminelët.

Shkëlqim Dukaj, nuk është oficeri i parë dhe as i fundit që akuzohet për një krim të rëndë. Por një vrasje e tillë, në mes të Tiranës, padyshim që lëkund besimin, duke vënë në dyshim edhe punën e kolegëve të tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!