Gjërat Tona/ Portale që shantazhojnë e vënë gjoba

schedule23:07 - 2 Qershor, 2024

schedule 23:07 - 2 Qershor, 2024

Fuqia e medias për të ngritur dhe ulur një figurë, për të orientuar masa dhe për të përcaktuar shpeshherë fatin e një personazhi në jetën e tij publike apo edhe të një force politike, i ka dhënë asaj emrin e pushtetit të katërt.

Gazetaria si një nga mekanizmat më të fortë të medias për të qenë pushteti i katërt, ecën mbi disa parime etike të forta, bazë e të cilave është “interesi i publikut”.

Ky i fundit sfidon edhe sekretet hetimore e shtetërore, prandaj edhe tradhtia ndaj tij ndanë rrugën mes gazetarit dhe një individi që vishet me petkun e tij për përfitime personale. Ndan gazetarinë nga gjobëvënia, të mirën nga e keqja dhe të drejtën nga e padrejta.

Një hetim i Policisë së Tiranës për disa lajme të publikuara në portalin Shqipnews.info, si të bazuara në dokumente të fabrikuara dhe falsifikuara, coi në arrestimin e gazetarit Ervis Hasanaga, i cili dyshohet për falsifikim të dokumenteve.

Policia thotë se ai ka bashkëpunuar  me shefin e Sektorit në Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Kushtrim Selimi, i shpallur në kërkim dhe një tjetër punonjëse të kësaj Agjencie, në ngritjen e portalit dhe publikimin e lajmeve me dokumente false.

Por edhe pse në mes të një akuze të diskutueshme për gazetarin, situatë penale që e ka në dorë ta ndajë dhe sqarojë Prokuroria si i vetmi organ që ngre akuza, dëshmia e gazetarit dhe shtetases tjetër të arrestuar, nxori në dritë për herë të parë në dokumente zyrtare dhe të pranuar nga vetë personat, përdorimin e medias dhe gazetarisë, për qëllime private e madje kriminale.

Nëse qëllimi ishte gjobëvënia me kërkesë të personave të tretë, apo dëshira e një shefi për t’u bërë drejtor, kjo do të duhet të sqarohet nga hetimet.

Policia e Tiranës: Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve kibernetike dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Antonimet”. 

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit: Rexhina Omeri, 34 vjeçe, punonjëse në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në Drejtorinë Rajonale Durrës  dhe Ervis Hasanaga, 35 vjeç, me profesion gazetar. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi Kushtrim Selimi, 39 vjeç, me detyrë shef sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se këta tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ndryshonin dhe fshinin të dhëna kompjuterike në formate teksti, pa të drejtë, për krijimin e të dhënave të rreme ndaj disa titullarëve të institucioneve të ndryshme, duke denigruar figurën e tyre, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, në një faqe interneti. 

Ngjarja mori përmasat e një skandali edhe për faktin se në këtë skemë shantazhi e gjobëvënie, rezulton të jetë edhe një zyrtar i Shërbimit Informativ Shtetëror. Në dosjen hetimore është edhe emri Kreshnik Selimit, i cili është vëllait i shefit të Sektorit të AMP, Kushtrim Selimi. Kreshnik Selimi, mban detyrën e shefit Kundër Narkotikëvë në SHISH dhe dyshohet se i jepte informacione vëllait të tij Kushtrim Selimit. Ky i fundit përmes Rexhina Omerit dhe gazetarit Ervis Hasanaga i publikonin në portalin e tyre. Një lajm të tillë kanë publikuar edhe për zv.drejtorin e Policisë së Durrësit Bujar Deliallisi. Kushtrim Selimi është njohur me Rexhina Omerin në kohën kur të dy punonin në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në Durrës. Ndërkohë dhe bashkëshorti i Rexhinës, Fisnik Omeri punon në Shërbimin Informativ Shtetëror në Kavajë.

Ngjarja është denoncuar nga drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore të Tiranës, Dritan Pjetri, i cili ka bërë kallëzim më 29 maj 2024. Në kallëzimin e tij, Pjetri thotë se në rrjetin social Facebook, konkretisht në profilin me emrin “shqip.news”, ka konstatuar një lajm me kontekst denigrues.

Dritan Pjetri: Më datën 27 maj 2024, rreth orës 10:00 më kanë kontaktuar disa miq dhe familjarë, që më kanë bërë me dije se një portal në rrjetin social Facebook ka publikuar një lajm me kontekst denigrues në lidhje me figurën time. Ky postim kishte të vendosur një foto timen personale dhe logon e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ku unë punoj. Në lidhje me faqen, e cila e ka publikuar, sqaroj se ajo mban emrin Shqipnews. Ky portal ka abuzuar ndaj figurës time duke publikuar gjëra të pavërteta sikur kam qenë i dënuar në shtetin italian për prostitucion dhe se jam i papërshtatshëm në detyrën e titullarit të Drejtorisë Rajonale të Agjencisë Mbikëqyrjes Policore Tiranë. Ky lajm është lexuar nga shumë të afërm dhe njerëz të ndryshëm duke më denigruar imazhin dhe shpërndarë në mënyrë jo ligjore fotografi, të cilat i kanë marrë nga burimet e hapura të informacionit, duke i vendosur përshkrime fyese dhe denigruese, me qëllim që të dezinformojnë publikun dhe të hedhin baltë mbi mua personalisht por edhe mbi detyrën që mbaj.

Në këto kushte, si pasojë e një stresi të pa menaxhueshëm në familje dhe në shoqëri, ai sqaron se është paraqitur të bëjë kallëzim penal, ku kërkon identifikimin e përdoruesit të profileve të mësipërme, identifikimin e personit që e ka shtyrë këtë person drejt publikimit të këtyre materialeve, si dhe kërkon që autorët të mbajnë përgjegjësi ligjore për të gjitha veprimet e kryera.

Pas marrjes së kallëzimit penal është bërë këqyrja e portalit “shqipnews.info” ku janë dokumentuar të dhënat që shtetasi Dritan Pjetri ka shprehur në kallëzim. Pas marrjes së kallëzimit penal, është bërë shoqërimi i shtetasit Ervis Hasanaga, i cili ka deklaruar se punonte në një televizion në Tiranë dhe para rreth një muaji e ka kontaktuar një mikeshë e bashkëshortes, e cila quhet Rexhina Zeqiri ose Omeri. Omeri sipas tij është mbiemri që ka marrë pas martese.

Ervis Hasanaga: Rexhina më ka thënë se punon sekretare në Sektorin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në Drejtorinë e Policisë së Durrësit. Me Rexhinën jam njohur që prej vitit 2013, po ashtu njoh edhe bashkëshortin e saj, i cili quhet Fisnik Omeri, që mesa di unë punon në Shërbimin Informativ Shtetëror dhe mbulon qytetin e Kavajës. Para rreth 2 muajsh, Rexhina më ka thënë se është e interesuar se si funksionon menaxhimi dhe mirëmbajtja e një faqeje web me lajme, si dhe rrjetet sociale të lidhura me këtë portal. Duke qenë se ky kam njohuri në menaxhimin e tyre, kam filluar t’i shpjegoj pjesën e funksionimit të portalit dhe rrjeteve sociale. Pasi i kam shpjeguar nga ana teknike funksionimin e tyre, Rexhina më ka thënë se ishte një person që kishte një faqe web dhe rrjetet sociale, që do t’i lidhë me këtë faqe (Instagram, Facebook, Tik Tok etj.). Më ka pyetur nëse mund të jem i lirë për mirëmbajtjen, menaxhimin, hedhjen e lajmeve dhe rritjen e vizitorëve të faqes. Ndërsa më ka thënë se person që disponon këtë faqe, e ka për punët e veta. Më tha që nëse nuk doja unë të merrsha me të, ta orientoja tek ndonjë person tjetër.

Ervis Hasanaga i ka thënë se e merr përsipër për të bërë një gjë të tillë, por paraprakisht duhet të flisnin për një pagesë në lidhje me punën që do bënte. Rexhina Omeri i ka thënë që ta mendojë dhe të vendosë një shumë të arsyeshme dhe t’i thoshte. Ai e ka menduar dhe ka vendosur që ta marrë përsipër këtë punë, duke kërkuar një pagesë mujore prej 50 mijë lekësh të reja minimalisht. Të dy kanë rënë dakord dhe është vendosur që puna të fillonte menjëhërë. Rexhina Omeri i ka dhënë gazetarit Hasanaga kredencialet e identifikimit të faqes “shqipnews.info”. Aty kishte akses administratori i portalit dhe edituesi, që në këtë rast do të ishte gazetari Ervis Hasanaga.

Gjithashtu ajo i ka dhënë dhe kredencialet e identifikimit të llogarisë të faqes “shqipnews.info” në rrjetin social Instagram. Pasi ka marrë kredencialet ai është identifikuar dhe ka filluar të mbushte faqen e internetit me lajme të përditshme, për të mbushur historikun, me lajme rozë, kronikë, etj. Ai ka deklaruar se lajmet fillimisht i merrte nga portale të ndryshme shqiptare dhe nga televizioni ku ai punonte. Këto lajme i hidhte dhe në rrjetin social Instagram. Pas kësaj ai sqaron se personalisht ka hapur faqen e “shqipnews.info” në rrjetin social Facebook, pasi nuk kishte një të tillë, ku edhe në këtë rrjet social hidhte lajmet e përditshme.

Pasi faqja u mbush me disa lajme, Rexhina Omeri e ka kontaktuar nëpërmjet Whatsapp dhe i ka sjelle lajme të ndryshme për t’i postuar në faqen e internetit “shqipnews.info” dhe në rrjetet sociale në Facebook e Instagram.

Ervis Hasanaga: Ajo më ka nisur edhe linqe të faqeve të ndryshme për të kopjuar disa lajme nga këto portale dhe t’i hidhja tek portali ynë. Në lidhje me  postimin e lajmit të kallëzuesit, sqaroj se ma ka sjellë Rexhina Omeri, së bashku me foton e shtetasit Dritan Pjetri dhe 2 vendime që ishin të shkruara në gjuhën Italiane, të cilat i përkisnin shtetasit Valdrin Pjetri. E kam pyetur Rexhinën se si ta lidh lajmin kur vendimet janë për të vëllain dhe ajo më ka thënë se do shkruhet siç ta kam sjellë unë se nuk ka vend ku te rrijë, se si të qëndrojë në detyrën e Drejtorit të AMP së Tiranës një shtetas i dënuar siç është Dritani. Nuk bëra asnjë koment por përgatita lajmin bashkë me fotografinë dhe ia nisa Rexhinës për konfirmim sepse kështu bënte më çdo lajm që sillte dhe ajo ma ka konfirmuar për ta postuar. Pas konfirmimit të saj, unë e kam postuar lajmin në faqen e internetit dhe në rrjetin social Facebook.

Gazetari Ervis Hasanaga ka sqaruar gjithashtu se shtetasja Rexhina Zeqiri i ka dërguar lajme për zëvendësdrejtorin e Policisë së Durrësit, Bujar Delialliasi, drejtuesit e Policisë Neritan Nallbati e Rebani Jaupi, si dhe për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, drejtorin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florjan Sulejmani, shoferin e Drejtorin të Përgjithshëm të Policisë Altin Brahja, etj., që ai nuk i mbante mend. Pra konkretisht lajmet nga administrata e Policisë që janë botuar në faqen “shqipnews.info”, ia ka sjellë të gjitha Rexhina Omeri. Ai ka përmendur disa nga titujt e lajmeve që ka publikuar si: “Si u shitën gradat e policisë nga Muhamet Rrumbullaku dhe Florjan Sulejmani”, “Ç’pritet të dalë nga përgjimet e Prokurorisë”, “Ortakët e krimit dhe tradhtarët e amerikanëve si kupola e Policisë së Shtetit dekonspiron operacionet e SPAK”, “Drejtori i Policisë Kriminale Neritan Nallbati kapet në përgjime nga DEA” dhe lajme të tjera titujt e të cilave nuk i kujtohen për momentin.

Në dosje flitet edhe për një person tjetër, ende të paidentifikuar, i cili ka kryer edhe pagesën e gazetarit. Policia po kryen të gjithë verifikimet në drejtim të identifikimit të tij. Vetë gazetari Ervis Hasanaga, në deklarimin e tij ka sqaruar se pagesën për këtë shërbim e ka marr nga një person i panjohur për të, i cili e ka kontaktuar në aplikacionin “Whatsapp”. Personin e panjohur ia ka dërguar Rexhina Omeri, e cila e ka telefonuar më parë dhe i ka thënë që do ta merrte dikush në telefon për të bërë pagesën e muajit për mirëmbajtjen e faqes së internetit dhe hedhjen e postimeve. Këtë person e ka takuar tek zona e ish-Bllokut në fillim të muajit maj 2024 dhe pasi e ka takuar ai i ka dhënë 600 euro duke përfshirë këtu hedhjen e lajmeve në portalin “shqipnews.info” dhe në rrjetet sociale, si dhe mirëmbajtjen e tyre. Gazetari ka dhënë edhe karakteristikat e tij, duke e përshkruar si një person të moshës rreth 35 vjeç. Ai mbante kapele sportive, me mjekër të zezë, jo shumë të gjatë dhe që kishte dialekt nga Jugu. Ishte pak ezmer, mbante veshje sportive dhe në momentin që i ka dhënë paratë ka qenë i ulur në një lokal pranë kryqëzimit te “Libri Universitar”. Vetë gazetari pretendon se personi i panjohur mund të jetë IT që mund të ketë ndërtuar faqen “shqipnews.info”, por për këtë nuk mund të fliste me siguri.

Nga deklarimet e Ervis Hasanagës evidentohet edhe një tjetër person, të cilin ai nuk e ka parë, por vetëm ka komunikuar në aplikacionin Telegram, ndërsa si kontakt i ka lënë një numër me prefiks të Italisë, duke i thënë se ishte jashtë shtetit. Ky person nuk i është prezantuar, por ka folur me të vetëm për pagesën që do të kryhej me cryptovalute. Policia nuk e përjashton mundësinë që në fakt ky person mund të jetë financuesi real i portalit ku publikoheshin lajmet denigruese.

Ervis Hasanaga: Më datë 28 maj 2024 Rexhina më ka thënë që do të më kontaktojë një numër në telefon. I thashë se përse do më merrte, por ajo më tha të rrija pa merak se nuk ishte për ndonjë gjë të keqe. Pas kësaj bisede Rexhina më tha që të instaloj aplikacionin Telegram dhe pasi e instalova, rreth orës 20:45 më ka telefonuar një numër italian në këtë aplikacion. Pa u prezantuar më tha se e hapëm portalin pasi donim të kishim diçka tonën dhe se për pjesën e pagesës nëse të pyesin si e ke marr, thuaj që e ke marr me cryptovalute (kriptomonedhë digitale). Ndërsa për pagesën e muajit maj të cilën s’ma kishte dhënë akoma, më tha se ishte jashtë shtetit dhe se do ma jepte kur të kthehej dhe se do lidhesha me “vajzën” (që nënkuptonte Rexhinën) pasi emrin nuk ia përmendi në asnjë moment. Më pas më tha që mbaje numrin tim për çfarëdolloj gjëje dhe se numri ishte një numër me prefiks Italie.

Pasi i është marrë deklarim gazetarit Ervis Hasanaga, Policia e Tiranës ka bërë shoqërimin e Rexhina Omerit, e cila është pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, ku në deklarimin e saj, lidhur me portalin “shqipnews.info”, si dhe dy të dyshuarit Kushtrim Selimi dhe Ervis Hasanaga, ka deklaruar se nuk i lexonte me detaje informacionet që i niste gazetarit për t’i publikuar si lajme. Nga ana tjetër, është shprehur se nuk e njeh pronarin e këtij portali dhe se lidhte me të i ka pasur përmes kolegut Kushtrim Selimi.

Rexhina Omeri: Me Kushtrimin kam rreth 3 vjet që njihem pasi ka qenë specialist në Drejtorinë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në Durrës. Para rreth 2 muajsh Kushtrimi më ka thënë që i duhej një djalë që merr vesh nga faqet e internetit dhe rrjetet sociale për të menaxhuar një faqe të tillë. Pasi jam menduar i kam sugjeruar Ervis Hasanagën, të cilin e njoh pasi ish-bashkëshortja e tij, është shoqja ime e ngushte. Ervisi me sa kam dijeni, punon si gazetar në një televizion në Tiranë. Kam kontaktuar me Ervisin dhe e kam pyetur nëse kishte mundësi të menaxhonte një faqe interneti së bashku me rrjetet sociale. Ai më është përgjigjur se e merr përsipër këtë pjesë por duhej të diskutonin për pagesën mujore dhe unë i kam thënë që të vendoste një shifër të pranueshme. Ervisi ka vendosur për shumën 50 mijë lekë të reja në muaj dhe pasi jam konsultuar me Kushtrimin i kam thënë që pagesa mujore që kërkohet është kaq dhe ai ka rënë dakord. Duke qenë se nuk marr vesh nga portalet, Ervisi ka filluar të hedhë të dhëna në portalin “Shqipnews.info” duke plotësuar fillimisht kategoritë e kronikës që përfshin lajmet e fundit nga Shqipëria, lajmet rozë, showbizz, lifestyle etj.

Në dëshminë e saj, Rexhina Omeri sqaron se i ka nisur Ervisit edhe disa lajme dhe linqe të ndryshme nga portale të tjera që ai të bënte lajmet. Ajo i ka nisur një lajm për Altin Brahjën, shoferin e drejtorit të Përgjithëm të Policisë së Shtetit, dhe një lajm për drejtorin e Agjensisë së Mbikqyrjës Policore Tiranë, Dritan Pjetrin. Të dyja këto lajme deklaron se ia ka nisur Kushtrim Selimi. Gjithashtu shprehet se ajo nuk është se i ka lexuar me detaje përmbajtjen e lajmeve por thjesht siç ia niste Kushtrim Selimi ja dërgonte Ervis Hasanagës për publikim në faqen “shqipnews.info” dhe në rrjetet sociale të lidhura me këtë faqe. Të gjitha lajmet që i vinin nga Kushtrimi ajo ia dërgonte Ervisit nëpërmjet aplikacionit Whatsapp.

Rexhina Omeri është pyetur nëse i ka bërë ndonjë pagesë gazertarit Ervis Hasanaga dhe nëse po në çfarë mënyre e ka bërë atë.

Rexhina Omeri: Unë personalisht nuk e kam paguar shtetasin Ervis Hasanaga, por pas 1 muaji Kushtrimi ka diskutuar me mua për mënyrën e pagesës së Ervisit dhe më tha që t’i thosha se do e merrte në telefon një djalë dhe do t’i çonte pagesën në Tiranë. Unë kam telefonuar Ervisin dhe i kam thënë që do ta merrte dikush në telefon për të t’i dërguar pagesën dhe Ervisi ka rënë dakord. Ervisi ka folur personalisht dhe ka takuar këtë djalin dhe më ka konfirmuar se ka marrë shumën për 600 euro por unë nuk e njeh se cilin djalë i ka çuar Kushtrimi për të bërë pagesën dhe aktualisht nuk e kam as numrin tij të telefonit.

Rexhina Omeri është shprehur se nuk është paguar ndonjëherë në lidhje më shërbimin që ka kryer për faqen “shqipnews.info”, pasi siç ka treguar nuk ishte aq aktive në këtë pjesë, thjeshtë i dërgonte lajmet që i sillte Kushtrimi Selimi, gazetarit Ervis Hasanaga. Omeri është pyetur gjithashtu se cila ka qenë arsyeja që Selimi kërkonte të publikoheshin lajme të tilla, por sipas saj ajo nuk ishte në dijeni të motiveve të tij, por në disa biseda të shkurtra që ka kryer me të, pa interes nga ana e saj, ai i ka thënë se i bënte për arsye personale pune.

Është pyetur dhe nëse ka dijeni për ndonjë person tjetër të përfshirë në administrimin, futjen e ndryshimin apo fshirjen e të dhënave në portalin në fjalë por ka deklaruar se nuk ka dijeni dhe as nuk ka qenë e interesuar që ta dinte.

Ndërsa pretendon se nuk e dinte që po konsumonte vepër penale për publikimin e këtyre të dhënave dhe gjithashtu nuk njihte asnjë nga personat, për të cilët janë bërë lajmet, që asaj ia dërgonte Kushtrimi Selimi, siç ishte Dritan Pjetri, Altin Brahja dhe drejtues të tjerë të Policisë. Ndërsa shprehet e penduar në lidhje me veprimet që ajo ka kryer, por pretendon se i ka bërë pa i menduar dhe pa pasur informacionin e nevojshëm për pasojat që mund të sillnin më pas, sepse mendon që këto lajme mund t’i kenë publikuar edhe portale të tjera.

Policia e Tiranës ka konstatuar se dy personat e arrestuar, Ervis Hasanaga e Rexhina Omeri, si dhe personi i shpallur në kërkim Kushtrim Selimi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, fusnin, ndryshonin dhe fshinin të dhëna kompjuterike, në format teksti dhe fotografie, pa të drejtë, për krijimin e të dhënave të rreme, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike në server.

Lajmet e rreme apo siç njihen ndryshe si fenomeni i “FakeNews” nuk janë raste të izoluara në botën e medias digjitale. Pa diskutim nuk janë as në Shqipëri. Megjithatë nuk kishte ndodhur më parë që të arrestohej një gazetar për këtë arsye. Duket se pas arrestimeve të fundit, tashmë ka nisur lufta ndaj portaleve të tilla dhe personave që i financojnë e i përdorin për shantazh apo edhe thjeshtë për të denigruar persona të caktuar.

Ngjarja e fundit merr përmasat e një skandali edhe për faktin se në skemë janë të përfshirë zyrtarë të institucioneve që konsiderohet shërbime sekrete, siç është Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, por indirekt edhe Shërbimi Informativ.

Përfshirja e një gazetari në këtë histori shantazhi, ka hapur tashmë një debat që në fakt nën zë ishte hapur me kohë, por deri më sot nuk ka pasur veprime konkrete në këtë drejtim. Edhe pse duket se në skemën e shantazhit përmes portalit, gazetari ka pasur më tepër rolin e një shkruajtësi tekstesh, sesa realisht atë që përfaqëson profesioni i tij, verifikimin e fakteve, ballafaqimin e të dhënave dhe provimin e vërtetësisë ose jo. Ai ka pranuar që këtë punë e ka bërë pasi i duheshin paratë, megjithëse ka pasur dyshime për atë që po bënte. Pra, ai pranon se po i bënte një shërbim dikujt për para, por duke dëmtuar imazhin e dikujt tjetër. Në këtë rast më shumë se gazetari, është vetë institucioni shtetëror, siç është APM, që supozohet të hetojë punonjësit e Policisë, madje si rregull duhet të jenë të pajisur edhe me certifikatë sigurie, që po cenojnë sigurinë dhe po keqpërdorin në mënyrën më të rendë atributet që u ka dhënë detyra shtetërore.

Rasti konkret e tejkalon atë që rëndom e quajnë shpifje. Dhe jo vetëm sepse bëhet fjalë për drejtues të lartë Policie. Ajo që ka kryer personat e arrestuar duke si një ngjarje kriminale, madje që i ngjason krimit të organizuar. Vërtetë në Shqipëri ende nuk ka një ligj që rregullon funksionimin e atyre që i quajnë portale, por ndaj veprimeve që kryejnë persona të caktuar që i financojnë apo i kanë në përdorim, mund të kryhen hetime penale, ashtu si në rastin konkret. Me veprimet e tyre këta persona nxjerrin në pah mekanizma kriminalë, që kanë të bëjmë zyrtarë të korruptuar, që përdorin portalet për të luftuar ndaj njëri-tjetrit. Por mund të shkojë edhe më tej. Portalet të ndryshme mund të përdoren edhe nga vetë krimi i organizuar, që ka si qëllim të godasë Policinë, Prokurorinë, Gjykatat, apo edhe vete grupet rivale. Dhe në këtë rast situata bëhet edhe më serioze nga çfarë është zbuluar në rastin e fundit.

E gjithë kjo nuk është gjë tjetër veçse një industri shantazhi, ku fatkeqësisht mund të bëjë pjesë edhe ndonjë gazetar, por që përfaqëson vetëm veten e tij dhe jo gazetarinë. Ashtu sikurse çdo punonjës Policie që mund të arrestohet e është arrestuar kohët e fundit për krime të rënda, që veprimet i ka personale dhe nuk mund të dëmtojë gjithë Policinë e Shtetit. Në rastin konkret, një person që pranon të shkruajë, apo thjeshtë të postojë në portal një lajm të rremë, denigrues, me qëllim shantazhi e gjobëvënie, duket se është thjeshtë një armë në dorën e krimit. Një shërbëtor që pranon të denigrojë figurën e një funksionari publik, apo qoftë edhe të dikujt që i ka shkelur në kallo atij që financon një media online, vetëm e vetëm për një grusht para. E mesa duket “lufta” kundër këtyre “strukturave” të organizuara që hiqen si media sapo ka nisur./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!