Gjërat Tona/ Ilir Meta-Monika Kryemadhi, të përdorësh pushtetin për të vjedhur shtetin

schedule20:30 - 3 Nëntor, 2024

schedule 20:30 - 3 Nëntor, 2024

Në 34 vjet pluralizëm në Shqipëri, është dikush që ka provuar pothuajse të gjitha detyrat më të rëndësishme shtetërore. Ky është Ilir Meta. Nga viti 1992 Ilir Meta, është zgjedhur pa ndërprerje deputet në të gjitha legjislaturat e Kuvendit të Shqipërisë.

Ka qenë 4 herë zëvendëskryeministër dhe për 4 vjet kryeministër. Ka provuar të drejtojë tri ministri, atë të Koordinimit Qeveritar për një vit, të Punëve të Jashtme dy herë, dhe të Ekonomisë, Tregtisë e Energjetikës. Ka drejtuar Kuvendin e Shqipërisë dhe në fund është zgjedhur edhe President i Republikës së Shqipërisë.

Pra ka provuar gjithçka. Pa përmendua Partinë që e themeloi vetë, e iu rikthyer me një emër të ri, pasi u largua nga posti i Presidentit.

Sot, ky njeri që për vite e vite me radhë ishte në krye të vendit, po provon skutat e errëta të shtetit, qelinë e paraburgimit 313.

Hetimi ndaj ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili u arrestua më 21 tetor 2024 për korrupsion, nisi pas një kallëzimi të vitit 2018 nga Romeo Kara, jurist i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë. Në atë kohë, kallëzimin e mori në dorë Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe pas shkrirjes së saj, me krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë, i kaloi për hetim SPAK-ut. Në këtë kallëzim pretendohej për akte korruptive nga ana e Metës, gjatë kohës që mbante detyrën e ministrit të Jashtëm, e më pas të Ekonomisë, mes viteve 2009-2013.

Por ky nuk ishte kallëzimi i vetëm. Dy te tjerë u depozituan më vonë në Prokurorinë e Posaçme. Më 10 qershor të vitit 2022, ishte ish-deputeti Halit Valteri që paditi Metën në SPAK, me pretendimin se në kohën që drejtonte partinë Lëvizja Socialiste për Integrim, kishte firmosur kontrata lobimi me kompani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shpenzuar shuma të konsiderueshme parash, disa prej të cilave nuk janë deklaruar.

Ndërsa në shtator të po atij viti, ishte avokati Idajet Beqiri që kallëzoi çiftin Meta Kryemadhi, me pretendimin se kishte shpenzuar shuma të mëdha parash për shërbime mjekësore dhe të kirurgjisë estetike, që nuk justifikoheshin me të ardhurat e tyre.

Në vitin 2022, SPAK i regjistroi këto kallëzime në një vend. Ndërsa në shkurt të vitit 2023, Ilir Meta u thirr për herë të parë në Prokurorinë e Posaçme për të dhënë deklarime. E ndonëse për të gjithmonë kishte qenë e rëndësishme ruajtja e qetësisë, pasi doli nga SPAK pas afro tri orësh Ilir Meta nuk dukej edhe aq i qetë. Madje në ditët në vazhdim nuk do ta fshihte me shqetësimin, duke shënjestruar vetë kreun e SPAK Altin Dumani.

Metës nuk i doli e keqja as ditën që u arrestua, kur bëri rezistencë dhe forcat e Policisë u detyruan ta nxirrnin me forcë nga makina për ta prangosur e madje as në sallën e gjyqit, kur u përball me 3 prokurorët e çështjes, Sotir Kllapin, Altin Dumanin dhe Arben Krajën. Edhe pse “inatin” e kishte vetëm me njërin në veçanti. Me Altin Dumanin.

Për ditë me radhë të gjithë zgjodhën të komentojnë momentin e arrestimit të tij, nëse e meritonte një ish-president atë lloj shfaqje. Madje edhe vetë Monika Kryemadhi nuk nguroi të sulmonte policët që e arrestuan.

Ndoshta jo pa qëllim ishte kjo zgjedhje, për të lënë disi në hije dosjen me akuzat e ngritura ndaj Ilir Metës, Monika Kryemadhit, Pirro Xhixhos e Ema Çokut. Por edhe sa mund të zgjaste kjo. Fashikujt e një dosje voluminoze të SPAK herët a vonë do të bëheshin publike. Ashtu sikurse edhe ndodhi.

Një javë nga arrestimi i tij në rrugë në Tiranë, Ilir Meta nisi mbrojtjen përmes rrjeteve sociale, në pamundësi të mjeteve të tjera. E para ishte mënyra e prangosjes, që Meta preferoi ta krahasojë me një politikan italian, ish – kryeministër në disa mandate apo poste ministrore, Aldo Moro. Por nga ana tjetër, nuk hezitoi që të adresojë akuzat kundër Monika Kryemadhit, si për shpenzimet shëndetësore, ashtu edhe për favoret ndaj biznesmenit shqiptaro-amerikan, Adrian Shatku.

Ilir Meta: A nuk e rrëmbyen edhe Aldo Moron, brigadat e kuqe me uniformë policie do t’i pyesja të gjithë ata pseudoanalistë, që janë të shqetësuar nga kundërshtimi im ndaj këtij akti kriminal dhe mafioz, pa asnjë dokument juridik, pa etikë dhe duke përdorur një forcë kafshërore, që vjen nga instiktet shtazore të atij që i urdhëron. Rrëmbimi i Ilir Metës nga mafia në pushtet, me urdhër të tre mercenarëve të saj, Altin Dumani, Arben Kraja edhe Sotir Kllapi, u bë me qëllim që të më pamundësojë sa më shumë mbrojtjen në publik, në media e debate nga akuzat qesharake dhe të stisura të cilat nuk përmbajnë asnjë fakt apo provë penale kundër meje.

Janë të paktën 6 episode, që Prokuroria e Posaçme ka gjetur prova të korrupsionit dhe pastrimit të parave dhe ka ngritur akuza ndaj Ilir Metës e Monika Kryemadhit.

  1. Çez – DIA, kur Ilir Meta ishte ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë
  2. Fibrat optike, kur Ilir Meta ishte kryetar i Kuvendit të Shqipërisë
  3. Marrëdhëniet korruptive me një biznesmen për ndryshimet ligjore në favor të tij, veprime të kryera në bashkëpunim nga çifti Meta – Kryemadhi
  4. Shërbime konsulence në SHBA, kur Meta ishte kryetar i LSI
  5. Blerja e një apartamenti dublex nga Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe Fatime Kryemadhi
  6. Shpenzimet mjekësore të çiftit Meta – Kryemadhi

Të gjitha këto do i trajtojmë në këtë episod të “Gjerat Tona”.

PËRFITIMET E ILIR METËS NGA MARRËVESHJA ÇEZ – DIA

Afera që shoqëroi Ilir Metën që prej vitit 2009 e në vazhdim, ishte ajo e marrëveshjes ÇEZ – DIA, për të cilën Kastriot Ismailaj bëri 9 vite burg. Sot, Prokuroria e Posaçme e konsideron Metën si arkitekt të kësaj afere, pa çka se gjatë gjithë periudhës që Ismailaj qëndronte në burg si i dënuar, pa çka se prokurorët e mëparshëm nuk kishin shkuar dot deri te emri i tij. Sipas SPAK, në cilësinë e ish-ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, Ilir Meta ka influencuar në lidhjen e kontratës mes DIA-s dhe ÇEZ-it.

Prokuroria e Posaçme, mbi bazën e akteve të procedimit penal nr.14, viti 2018, të transferuar nga Prokuroria për Krime të Rënda, ka regjistruar procedim penal nr.55, viti 2019, për veprat penale “”Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorim i detyrës” dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor”. Ky procedim është regjistruar mbi bazën e kallëzimit penal të Romeo Kara, i cili ka depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme ndaj, Ilir Metës, Sali Berishës, Kastriot Ismailaj, Tomas Pleskash dhe Bujar Nepravishta, për akte korruptive në lidhje me çështjen ÇEZ – DIA, duke filluar nga lidhja e kontratës së parë, datë 01.09.2010 dhe në vijim.

Dosja e SPAK

Ilir Meta ka favorizuar dhe mbështetur shtetasin Kstriot Ismailaj të krijonte kontaktet me përfaqësuesit e ÇEZ – Pragë dhe për më tepër, të krijonte besueshmëri para tyre si njeri i besuar i qeverisë shqiptare, rrjedhimisht duke qenë kështu njeriu i favorizuar për të marrë kontratën për mbledhjen e borxheve nëpërmjet DIA-s, sikurse rezultoi më pas. Këtë favorizim të shtetasit Kastriot Ismailaj rezulton se, shtetasi Ilir Meta e ka kryer kundrejt kërkimit apo marrjes së një përfitimi të parregullt prej shtetasit Kastriot Ismailaj.

Pas gjithë të dhënave të administruara në dosje, SPAK cilëson se të çojnë në konkluzionin se mes Kastriot Ismailajt dhe Ilir Metës, ka pasur një marrëdhënie të ngushtë dhe kjo shpjegohet nga numri i konsiderueshëm i komunikimeve mes tyre. Për më tepër, në dy numrat celularë në përdorim nga Ismailaj, rezulton se ai bashkë me Ilir Metën, gjatë periudhës prill 2010 – 17 shtator 2010, kanë komunikuar mes tyre në të paktën 115 raste. Periudha në fjalë korrespondon me kohën kur fillon të diskutohet dhe më pas krijohet shoqëria DIA për të përfunduar më 17 shtator 2020, ku tashmë Meta ishte bërë ministër i Energjisë.

Është administruar kopje e procesverbalit të transkriptit të bisedave të datës 28 qershor 2009, ku ndër të tjera rezulton se më 22 qershor 2009, ora 17:27, nga numri që përdorej në atë kohë nga Ilir Meta, është dërguar një sms në numrin që përdorej nga Kastriot Ismailaj me përmbajtje:

“Nesër në darkë duhet të takohemi patjetër. Më duhen 200 mijë patjetër. Mos Harro”.

 Dosja e SPAK

Nga hetimi i deritanishëm janë grumbulluar të dhëna dhe prova që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se Ilir Meta ka kërkuar dhe ka marrë përfitim të parregullt nga Kastriot Ismailaj në shkëmbim të ndihmës së dhënë për përfitimin e kntratës që kompania e të gjykuarit Ismailaj, DIA, të lodhje me shoqërinë ÇEZ.

SPAK thotë se të dhëna të rëndësishme janë përftuar nga një procesverbal i datës 23 shtator 2021, i transkriptit të bisedave, video dhe audio të regjistruara në 2 USB të shtetasit Elvis Mataj. Në këtë regjistrim, Elvis Mataj, ish-kreu i LRI, në cilësinë e drejtorit ekzekutiv të DIA, dëshmon për një serë rrethanash lidhur me çështjen ÇEZ – DIA, shtetasin Kastriot Ismailaj, njohjet e tij me shtetasin Ilir Meta dhe marrëdhëniet me të. Duke cituar dëshminë e ish-shefit ekzekutiv të ÇEZ Josef Hejsek dhënë para arbitrazhit në Vjenë:

Elvis Mataj

Kontraktimi i DIA-s erdhi pas një diskutimi me përfaqësuesin e METE-s, ku qeveria shqiptare propozoi për të instruktuar një person, i cili kishte njohuri të mira biznesi në Shqipëri. Qazim Tepshi, pas diskutimeve me eprorin e tij Ilir Meta, rekomandoi shtetasin Kastriot Ismailaj si mbledhës borxhi. Kam dijeni mbi premtimet për shuma parash që Kastriot Ismailaj i kishte bërë disa personave , një prej të cilëve ishte Ilir Meta. Kastriot Ismailaj i kishte premtuar edhe Petrit Ahmetit dhe anëtarëve të bordit të ERE shumën prej 500 mijë eurove, me të cilën do të sigurohej ulja e çmimit të energjisë që ÇEZ blinte nga KESH. Ismailaj i premtoi Petrit Ahmetit që do i paguante 15 milionë lekë, shumë e cila iu pagua pjesërisht.   

Elvis Mataj ka dhënë detaje edhe rreth takimit që Ilir Meta ka bërë me ÇEZ-in gjatë një vizite që ka zhvilluar në Çeki.

Elvis Mataj

Ilir Meta, gjatë vizitës së punës që ka pasur në Çeki, është takuar me përfaqësues të ÇEZ. Në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe Josef Hejsek, Kastriot Ismailaj dhe numri dy i ÇEZ-it në Pragë. Në këtë takim, Ilir Metaj e ka prezantuar Ismailajn si mikun e tij, duke i siguruar kështu mbështetje para ÇEZ-it për të marrë kontratën për mbledhjen e borxheve të ÇEZ. Për mbështetjen, Ismailaj i kishte premtuar Metës 1.5 milionë euro dhe mbështetje për zgjedhjet e vitit 2011. Por me gjithë këtë premtim, Ismailaj nuk po e mbante fjalën dhe po i fshihej Metës dhe mund t’i ketë dhënë ndonjë “lek të vogël”.

Sipas SPAK ky deklarim i Elvis Matajt përputhet me të dhënat e përfituara nga intervista e bashkëshortes së Kastriot Ismailajt, Vojsava Ismailaj, e cila tregon se Ilir Meta i kërkonte para Kastriotit.

Elvis Mataj ka treguar se në lidhje me mbështetjen për fushatën politike, që Kastriot Ismailaj i kishte premtuar Ilir Metës, ai ka kryer pagesat 116 milionë e 800 mijë kundrejt shoqërisë së Agron Çelës.

Romeo Kara, nga shpjegimet që ka dhënë në Prokurori, shpjegon se Ilir Meta i ka kërkuar Kastriot Ismailajt që ÇEZ duhet t’i japë si shpërblim shumën 5 milionë euro, për ndërhyrjen që Meta ka bërë te ERE për të ulur çmimin e blerjes së energjisë nga KESH. Për këtë ndërhyrje ka qenë në dijeni edhe bashkëshortja e Ismailajt, Vojsava, e cila në një intervistë të dhënë shprehet se këtë kërkesë ia kishte Ilir Meta bashkëshortit të saj gjatë një darke në shtëpinë e Metës, ku sipas saj Ismailaj duhej të komunikonte me drejtues të ÇEZ-it për t’i dhënë këtë shumë.

Me një shkresë të datës 27 shtator të vitit 2015, Komisioni i Sigurisë i ka dërguar informacion Prokurorisë së Përgjithshme, Presidentit të Republikës, kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë dhe Ambasadës Amerikanë, në lidhje me informacionin për destabilitet që mund të krijohet për shkak të kërcënimeve në lidhje me kontratën ÇEZ – DIA. Nga ana tjetër, edhe Drejtoria e Policisë së Shtetit, me një shkesë të datës 9 tetor 2015, ka dërguar aktet proceduriale në lidhje me detyrat e lëna për marrjen e deklarimeve të Vojsava Ismailajt, Tom Doshit, Dritan Priftit, etj. Ismailaj, Doshi dhe Prifti pranonin që ishin takuar, por jo se ishin kërcënuar apo të kishin bashkëpunuar për ndonjë organizim apo krijim destabiliteti. Pranonin se ishin takuar dhe kishin biseduar për Kastriot Ismailajn që ndodhej në burg, por sipas tyre nuk ka pasur biseda të karakterit destabilizues apo të kishin ushtruar presion ndaj njëri-tjetrit dhe të kenë kërcënuar ndonjë person.

Në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho ka dhënë deklarime më 3 nëntor 2023, për shkak të një letre që u kishte drejtuar disa zyrtarëve të lartë të shtetit për ekzistencën e një skenari destabilizimi mes Tom Doshit, Dritan Priftit, në lidhje me Kastriot Ismailajn dhe bashkëshorten e tij, Vojsavën.

Spartak Braho

Mbaj mend që në atë kohë, para letrës, unë kam pasur një bisedë me Ilir Metën, i cili ishte kryetar i Kuvendit. Në bisedë më tha që unë, në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, duhej të informoja institucionet kryesore, pasi po flitet për jetën e disa personave të rëndësishëm të shtetit, ndër të cilët ishte edhe vetë ai. Në bisedë me Ilirin, ai më tha se pati marrë kërcënime nga Tom Doshi. Iliri më pati thënë se po i kërcënohet jetë atij vetë, bashkëshortes së tij Monikës, si dhe gruas së Kastriot Ismailaj. Nuk më shpjegoi konkretisht burimin e konfliktit që kishte me Tom Doshin, por për këto arsye, ai parashtroi shqetësimet e tij dhe kërkoi që unë, me cilësitë që kisha, të informoja organet kryesore. Dhe kështu unë më pas, duke i besuar këtyre shqetësimeve që ai kishte, e kalova në rrugë zyrtare, duke bërë edhe informacionin përkatës.

Sipas Prokurorisë, kjo është një e dhënë tjetër që mbështet dyshimet mbi Ilir Metën, pasi ai në atë kohë, duke qenë i interesuar për të larguar vëmendjen e përfshirjes së tij në çështjen e asaj kohe ÇEZ – DIA, i ka kërkuar Spartak Brahos që t’i drejtohej me letër institucioneve kryesore, që t’i informonte mbi një skenar apo kërcënime nga personat në fjalë.

SPAK ka arritur në konkluzionin se ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se personi nën hetim, Ilir Meta, duke kërkuar dhe marrë prej Kastriot Ismailajt shuma të konsiderueshme parash, në kohën që ka qenë ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Ministri që kishte si detyrë funksionale, një pjesë të procedurës së privatizimit të ÇEZ, mbikëqyrjen e kontratës nëpërmjet caktimit të përfaqësuesve në Këshillin Mbikëqyrës, si dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë, duke kërkuar dhe pranuar shuma monetare nga Kastriot Ismailaj, i cili njëkohësisht ishte dhe administrator i DIA-s, që ka lidhur një kontratë fitimprurëse me ÇEZ pikërisht në sajë të influencës dhe imponimit të ministrit Ilir Meta.

Shpenzimet familjare të pajustifikuara Meta – Kryemadhi

Prokuroria e Posaçme ka hetuar një sërë faktesh penale dhe konkretisht burimet financiare të kontratave të lobimit dhe konsulencës së subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim të kallëzuara nga ish-deputeti Halit Valteri.

Burimet financiare të tyre, financimi i shërbimeve mjekësore të marra nga anëtarët e familjes së Ilir Metës dhe Monika Kryemadhi, fakte të kallëzuara nga Idajet Beqiri. Sipas kallëzuesve, shpenzimet në fjalë janë financuar me të ardhura të siguruara nga burime jo të ligjshme, kryesisht të përfituara nga korrupsioni.

Sipas kallëzuesve, këto pretendime janë të bazuara dhe në faktin se shpenzimet në fjalë nuk janë deklaruar në deklaratat vjetore të pasurisë nga çifti Meta – Kryemadhi, të cilët kanë pasur detyrim për deklarimin në zbatim të ligjit dhe shpenzimet e lobimit dhe të konsulencës në favor të LSI-së nuk janë deklaruar në deklarimet periodike para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në këto rrethana, pjesë e hetimit është bërë edhe hetimi financiar – pasuror i Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, si dhe anëtarëve të tjerë të familjes së tyre, apo personave të tjerë me të cilët kanë rezultuar transaksione financiare. Për këtë qëllim i janë dërguar disa letërporosi autoriteteve gjyqësore të disa vendeve, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Qipros, Austrisë, Italisë, San Marinos, Britanisë së Madhe, etj.

Në kuadër të veprimeve hetimore dhe kontrolleve të ushtruara, janë sekuestruar 25 dokumente, përfshirë këtu edhe një celular i-Phone, i cili i është nënshtruar ekspertimit teknik kompjuterik në Sektorin e Ekspertizës në SPAK. Nga akti i ekspertimit ka rezultuar se ky telefon është përdorur nga Monika Kryemadhi për periudhën 2013 – 2015 dhe numri i fundit i përdorur në këtë telefon na qenë një numër që përfundon me 077. Në telefon ka qenë i instaluar aplikacioni WhatsApp dhe nga të dhënat e ruajtura në telefon janë evidentuar biseda të zhvilluara mes Monika Kryemadhit dhe shtetasve: Ilir Meta, Adrian Shatku, Ema Çoku, , Pirro Xhixho, etj.

Më 24 shtator 2014, Monika Kryemadhi i shkruan Adrian Shatkut se ka shkuar në San Marino, në nëntor do të shkojë në Lanserhof dhe se Bora do të vazhdojë Universitetin në Angli, jo në Amerikë. Të nesërmen, Kryemadhi ndërsa ndodhet në San Marino, ka tentuar të bëjë blerje në “Ferreti Boutique”, por karta American Express nuk kishte punuar dhe për këtë fakt informon nëpërmjet një mesazhi në WhatsApp.

Nga këqyrja që iu bë llogarisë bankare të Monika Kryemadhit, rezulton se më 25 shtator 2014, ajo ka bërë blerje në dyqanin “Ferreti boutique”, në vlerën 3 mijë euro, paguar me kartën e lidhur me llogarinë e saj bankare, e cila është debituar.

Në vijim ajo ka bërë blerje në një tjetër dyqan por karta përsëri nuk është pranuar. Lidhur me këtë refuzim, Shatku i thotë se kompania e kartës ka menduar se ka qenë e vjedhur dhe pasi bën një telefonatë i thotë Monikës që ta përdorë. Dhe pasi sërish nuk funksion, Shatku i thotë se kjo mund të ndodhë ngaqë nuk e ka përdorur asnjëherë. Më pas i thotë se kompania bëri reset të kartës dhe mund ta përdorte. Nga bisedat rezulton se pagesa për blerjen 12 mijë euro është kryer me sukses.

Më datë 16 maj 2014, Adrian Shatku dhe Monika Kryemadhi shkëmbejnë mesazhe për të mbyllur çështjet e hapura. Ndërsa Kryemadhi bie dakord, duke e porositur që të interesohej për universitetin e vajzës së saj, Borës.

Shatku: Vajti ok? Nga java tjetër është mirë të jem andej? Të mundohemi të mbyllim çfarë është hapur? Berisha përdor ofensivën si diferencë. Mos i shkoni në agjendën e tij. E di mirë ti…

Kryemadhi: Po shumë mirë, hajde.

Kryemadhi: Për Berishën Varja. Mendo ca universitete për Borën.

Shatku: Ok, shihemi javës që vjen. Me Borën flasim andej. Do ishte mirë të vije këtej për ca ditë.

Kryemadhi: Po patjetër, por kur të vish që t’i fiksojmë të gjitha dhe më pyet pak si mund të sigurojmë bursë, se ne bëjmë edhe deklarim.

Shatku: Dakord. Gjithçka është e mundur. Flasim Atje.

Kryemadhi: Ok, mirë ardhsh.

 

Shpenzimet e padeklaruara në “klinikën e jetëgjatësisë”

Me shkresën e datës 10 tetor 2022 i është kërkuar autoriteteve gjyqësore- austriake, të dhënat dhe dokumentacionin shëndetësor që lidhet me pacientët Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Bora Meta, Besar Meta dhe Era Metaj, të dhënat për dokumentacionin financiar duke përfshirë fatura shpenzimi, mandate arkëtimi, mandate bankare, identifikim të numrave të llogarive bankare nga ku janë bërë transfertat, informacion mbi mbajtësin e llogarive bankare, etj. Këto të dhëna u kërkuan të merren pranë klinikës private “Goldenes Kreuz” dhe në spitalin shtetëror të Vjenës.

Nga verifikimi i llogarive bankare që Monika Kryemadhi ka në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, nuk rezulton asnjë pagesë në vlerën 7984 Euro në vitin 2014. Iu kërkua autoriteteve gjyqësore te Republikës së Austrisë informacion mbi shpenzimet financiare te kryer në qendrën (llixhën) Lanserhof nga Monika Kryemadhi, Ilir Meta, etj. gjatë periudhës 21 Mars 2013-16 Maj 2013, ndërkohë që një pjesë e shpenzimeve me shumë mbi 300 mijë lekë duhet të deklaroheshin si zë më vete.

Nga këqyrja e aktit të ekspertimit rezultoi se në 6 Tetor 2014, zyra e rezervimit të qendrës Lanserhof i ka kërkuar Monika Kryemadhit nëpërmjet e-mail- it, që të bëjë parapagim për rezervimin dhe bashkëlidhur e-mail-it i ka dërguar të dhëna për llogarinë bankare të Lanserhof.

Nga bisedat e zhvilluara nga Monika Kryemadhi, rezulton se Monika ka kryer trajtime mjekësore në Lanserhof prej datës 2 Nëntor 2014 deri në 16 Nëntor 2014. Pacienti Bora Meta… ka paguar cash në datën 22 Mars 2013, shumën prej 8.114 Euro nga të cilat 6.000 Euro parapagim.

Ilir Metaj, ka qenë i shtruar në klinikën Konfraternitat nga data 21 Mars 2013 deri në datën 25 Mars 2013 dhe për trajtimin mjekësor që ka marrë, ka paguar cash në datën 22 Mars 2013, shumën prej 7.341 Euro nga të cilat 6.000 Euro parapagim.

Monika Kryemadhi ka qenë e shtruar në klinikën Konfraternitat nga data 22 Mars 2013 dhe për trajtimin mjekësor që ka marrë, ka paguar shumën prej 1.474 Euro. Pagesa nuk jep detaje për mënyrën se si është kryer.

Nga shqyrtimi i deklaratave periodike/vjetore të shtetasve Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi për vitin 2013 rezulton se janë deklaruar pakësim i gjendjes cash me 10.000 Euro dhe pakësim i gjendjes së llogarisë së pagës në vlerën 243.000 lekë. Në rubrikën shpenzime të deklarueshme nuk kanë deklaruar shpenzime mjekësore në vlerën 17.429 Euro të shpenzuara

Në përgjigje të letërporosisë është informuar se për periudhën 28 Korrik 2013 -15 Tetor 2023, Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe Bora Meta kanë qëndruar në Lanserhof (që reklamohet si klinika e jetëgjatësisë) gjithsej 8 herë. Sipas dokumenteve të qëndrimit, pagesave për rezervim dhe pagesave për trajtimin, rezultoi se këta shtetas kanë shpenzuar për qëndrimin e tyre në këtë resort, shumën prej 98.677 Euro e ndarë sipas viteve si më poshtë:

  1. Monika Kryemadhi, nga data 28 korrik 2013 deri në 4 Gusht 2013, ka paguar gjithsej 7.258 Euro nga të cilat 4.000 Euro me transfertë bankare dhe shumën 3.258 Euro me para në dorë.
  2. Monika Kryemadhi, nga data 2 Nëntor 2014 deri në 16 Nëntor 2014, ka paguar gjithsej 10.375 Euro me para në dorë.
  3. Ilir Meta, nga data 9 Nëntor 2014 deri në 16 Nëntor 2014, ka paguar shumën 7.984 Euro me transfertë bankare
  4. Monika Kryemadhi, nga data 26 Korrik 2015 deri në 8 Gusht 2015, ka paguar gjithsej 13.244 Euro, nga të cilat 6.000 Euro janë paguar me transfertë bankare nga Fatime Kryemadhi dhe 7.244 Euro me para në dorë.
  5. Bora Metaj ka qëndruar në Lanserhof nga data 26 Korrik 2015 deri në datën 02 Gusht 2015, dhe ka paguar 3.509 Euro, me para në dorë.
  6. Ilir Meta, nga data 2 Gusht 2015 deri në datën 8 Gusht 2015, ka paguar gjithsej 4.359 Euro, me para në dorë.
  7. Monika Kryemadhi, nga data 11 Janar 2017 deri në datën 21 Janar 2017, ka paguar gjithsej 13.133 Euro, nga të cilat 1.250 Euro janë paguar me transfertë bankare dhe 10.238 Euro me para në dorë.
  8. Monika Kryemadhi, nga data 15 Tetor 2023 deri në datën 27 Tetor 2023, ka paguar gjithsej 19.881 Euro, me transfertë bankare.
  9. Ilir Meta, nga data 15 Tetor 2023 deri në datën 27 Tetor 2023, ka paguar gjithsej 18.934 Euro, me transfertë bankare nga karta Visa.

 

Nëna pensioniste e Kryemadhit, futi në sistem 846 mijë euro

 

Sinkron- Fatime Kryemadhi në dalje te SPAK 11 Prill 2024: Çdo gjë e kam me banke, kam punuar gjithë jetën…

Edhe pse Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit, pretendoi përballë mediave se kishte punuar gjithë jetën për të vënë pasuritë që kishte, për SPAK, nga analiza e pasurisë dhe transaksioneve, zonja rezulton pa burime të ligjshme për transaksionet që ka kryer.

Për hetuesit është e pabesueshme që puna e një jete për zonjën Fatime Kryemadhi të konkretizohet dhe bëhet e dukshme gjatë viteve 2008-2010, kohë kur ka një numër të lartë transfertash bankare, shpesh me burim të padeklaruar.

Zanafilla e transaksikoneve merr jetë për blerjen e një apartamenti Dublex, i deklaruar nga çifti Meta-Kryemadhi sini blerë për 400 mijë euro me burim shitjen e një banese në Golem dhe një kredi bankare.

DOSJA E SPAK

Pasuria e llojit apartament me sipërfaqe prej 200 m2 ndodhur në rrugën “Vaso Pasho” nuk është financuar nga 200.000 Euro të cilat shtetasit Ilir Meta / Monika Kryemadhi, kanë deklaruar se i kanë pasur gjendje cash nga shitja e vilës në Qerret-Kavajë dhe 200.000 Euro kredi bankare, por burim i financimit janë 100,000 Euro nga kredia në vlerën 335.000 Euro e marrë në datën 29 Mars 2010 prej shtetases Fatime Kryemadhi, 100.000 Euro nga para të depozituara cash nga Fatime Kryemadhi në datën 17 Maj 2010, dhe 200.000 Euro kredi bankare. Kjo dhe për faktin se jo vetëm që nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi deri në këtë kohë nuk është deklaruar ndonjëherë gjendje cash, por dhe për faktin që në këtë periudhë kohore me gjithë transkasionet financiare të kryera, nuk ka asnjë depozitim cash nga Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta. Ndërkohë që vetë Fatime Kryemadhi dhe 1 vit më parë, rezulton se ka pasur pamundësi financiare.

SPAK thotë se për të fshehur burimin e vërtetë të parave që janë përdorur për të blerë apartamentin, i cili në të vërtetë ka kushtuar më shumë se 400 mijë euro, janë përdorur kreditë bankare, që më pas janë shlyer nëpërmjet kreditimeve të llogarive me para kesh dhe burim të padeklaruar.

DOSJA E SPAK

Lidhja e kontratës me shtetasen Kozeta Fino nga ana e Fatime Kryemadhit, marrja prej saj e kredisë bankare, si dhe financimi me këto të ardhura i një pjese të apartamentit të blerë nga Ilir Meta e Monika Kryemadhi, ndërkohë që vetë Fatimja në këtë kohë ishte pensioniste, krijon dyshimin e arsyeshëm se është bërë me qëllim për të futur në sistemin bankar shuma monetare që burojnë nga veprimtari të paligjshme sikurse është dhe vepra penale e “Korrupsionit”. Me qëllim për të mos përdorur për blerjen e apartamenteve këto shuma parash me origjinë korruptive, është përdorur si truk marrja fillimisht e dy kredive bankare, dhe më pas shlyerja e kredive nëpërmjet depozitimit Cash pa burim të ligjshëm nga Fatime Kryemadhit, me deklarimin e burimeve të paqena sikurse është rasti i shtetasit G.S., me qëllim shlyerjen e kredive, është arritur që të futen në sistemin bankar një shumë e pajustifikuar parash prej 846,000 Euro.

Hetuesit e posaçëm rendisin 14 arkëtime cash me shuma që nisin nga 2 mijë euro deri në 246 mijë euro të kryera në dy vite nga Fatime Kryemadhi. Për shumën e fundit që deklarohet burim blerja e një toke nga një kompani private, SPAK ka dalë në përfundimin se zonja Kryemadhi ka gënjyer.

Nëpërmjet depozitimeve cash, Fatime Kryemadhi rezulton të ketë shlyer edhe një kredi të marr nga Monika Kryemadhi, si dhe nëpërmjet kartës së vet bankare, që hetuesit thonë se nuk është deklaruar, ajo ka bërë pagesat për shkollën e mbesës në Britaninë e Madhe.

DOSJA E SPAK

Nga shtetasit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi nuk është deklaruar në deklaratën e interesave periodike/vjetore të vitit 2018 (e dorezuar në mars 2019) dhe në vazhdim, llogaria e përbashkët që Era Meta ka me gjyshen, Fatime Kryemadhi, dhe as shuma prej 100.000 Pound që ndodhen në këtë depozitë. Kjo llogari bankare nuk është deklaruar në asnjë prej deklaratave vjetore të interesave private prej subjekteve Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Shuma prej 44.000 Pound është financuar nga paratë që Tahir Çelmanaj ka blerë apartamentin ish pronë e Fatime Kryemadhit dhe konsiderohen si produkt i pastruar i veprës penale. E njëjta vlen edhe për shumën prej 11.554 Pound të paguara nga Fatimja për llogari të arsimimit të Bora Metj.

 

Magjia e zhdukjes së burimit të 369.785 dollar për  lobime

Lobimi, një mjet i vënë në duart e grupeve të interesit për të ndikuar në politikë bërje dhe që e ka origjinën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nga koha kur biznesmenë por jo vetëm në lobin e një hoteli pranë Shtëpisë së Bardhë takonin presidentin për të shtyrë para projekte të tyre, duket se i ka krijuar problemin më të madh ish-presidentit Ilir Meta.

 

Ai dyshohet nga SPAK se nuk ka deklaruar fatura të majme lobimi në SHBA dhe se pagesat i ka kamufluar përmes kompanive offshore dhe miqve të tij, duke pastruar kështu para dhe fshehur origjinën e tyre.

Hetimi për lobimin u shtri në kalimin në sitë nga ana e SPAK të 3 kontratave të lidhura nga Lëvizja Socialiste për Integrim, në atë kohë e drejtuar nga Ilir Meta.

E para ajo me kompaninë GSIS, në fuqi nga janari 2016 deri në dhjetor 2017, tregoi se realisht LSI, kishte paguar mbi 463 mijë dollarë për takime dhe njohje me anëtarë të qeverisë amerikane, por në të vërtetë kishte paguar nga llogaria e saj 93 mijë dollarë dhe po kaq kishte deklaruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

DOSJA E SPAK

Nga krahasimi i të dhënave lidhur me shpenzimet e kryera nga Lëvizja Socialiste për Integrim për qëllime konsulence dhe lobimi të administruara në tre burime: Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe bankave të nivelit të dytë, rezulton se Lëvizja Socialiste për Integrim në periudhën janar 2016-dhjetor 2017, i ka paguar kompanisë GSIS LLC për qëllime konsulence dhe lobimi 463 546 dollarë dhe ka deklaruar shpenzime për kosulencë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe i ka paraqitur grupit të hetimit vetëm tri fatura të paguara në shumën 93 761 dollarë. Diferenca prej 369 785 dollarë është paguar nga një entitet i padeklaruar nga LSI.

Në korrespondencën që SPAK ka kryer me autoritetet amerikane dhe që e sqaron për gjyqtarin e hetimit paraprak, burimi i kësaj shume është edhe për ta i pa identifikueshëm.

Adrian Shatku, shfaqet sërish. Biznesmeni amerikan, i cili në komunikimet e gjetura në një telefon të Monika Kryemadhit, sekuestruar në banesën e nënës së saj, krijon idenë e një lidhje të ngushtë të çiftit Meta-Kryemadhi, rezulton të  ketë paguar dhe lëvizur gurë për të krijuar lidhje që ai i konsideron të rëndësishme për ta.

Në cilësinë e një miku-këshilltari dhe bashkëpunëtori, Shatku rezulton të ketë paguar shërbime të tjera për personat që kanë ardhur në Shqipëri si rezultat i marrëveshjeve të lobimit të lidhura mes LSI dhe kompanisë amerikane GSIS.

DOSJA E SPAK

Adrian Shatku dhe kompania UNIFI Communication Inc kanë kryer pagesa në shumën 253 285 lekë për llogari të partisë Lëvizja Socialiste për Integrim me qëllim mbulimin e shpenzimeve që lidhen me ekzekutimin e kontratës së këshillimit që LSI kishte lidhur me kompaninë Global & Innovative Strategies LLC.

Këto pagesa lidhen me faturat e qëndrimit në një hotel në qendër të Tiranës, për 3 personaliteteve që vinin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Shqipëri për takime me përfaqësues të LSI të organizuara nga kompania lobuese.

 

Pagesa 100 mijë dollarë nga një kompani Offshore

Në janar të 2017-ës, edhe pse e lidhur me një kompani tjetër lobimi që zgjaste deri në fund të të njëjtit vit, Lëvizja Socialiste për Integrim, lidh një tjetër kontratë me kompaninë MCkeon Group inc.

Kjo kontratë ishte 6-mujore dhe pagesa ishte 15 mijë dollarë në muaj. SPAK thotë se pas një muaji nga lidhja e kësaj kontrate, ajo është ndërprerë në shkurt, por pavarësisht kësaj, në dy muaj të tjera, Ilir Meta dhe LSI kanë marrë shërbime pasi për llogari të tyre është lidhur një kontratë me kompaninë Dorelita Limited.

DOSJA E SPAK

Dorelita Limited ka angazhuar Grupin McKeon, për të kryer aktivitete politike në emër të Ilir Metës dhe se aktivitetet lobuese te Grupit McKeon të zhvilluara në muajin Prill 2017, u kryen në mbështetje të Ilir Metës. Grupi McKeon ka sqaruar në deklaratën me shkrim se në 14 Shkurt 2017, kishte ndërprerë regjistrimin e tij në FARA në emër të LSI-së dhe Ilir Metës. Në datën 24 Mars 2017, Dorelita Limitet kishte angazhuar Grupin McKeon për të kryer aktivitete politike në emër të klientit të saj Ilir Meta, anëtar i LSI-së. Nisur nga fakti se kontrata midis Dorelita Limited dhe Grupit McKeon ka zgjatur dy muaj dhe tarifa mujore e përcaktuar në kontratë ishte 50 mijë USD, arrihet në konkluzionin se Dorelita Limited ka paguar 100 mije USD, rrjedhimisht Ilir Meta ka paguar 100 mijë USD, para të cilat nuk janë deklaruar nga Ilir Meta ne Deklaratën e Interesave Private Vjetore të vitit 2017, dhe nuk janë pasqyruar në pasqyrat financiare që partia LSI ka depozituar në KQZ.

 

Miqtë nuk lënë në baltë LSI-në

Miku i mirë duket në ditë të vështira dhe duket se ish-presidenti dhe ish -bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi kanë ditur të zgjedhin miqtë.  Edhe për një tjetër kontratë lobimi e lidhur nga LSI me kompaninë JPM Strategic Solution, SPAK thotë se janë paguar para nga njerëz të lidhur me ta, si Ardian Shatku dhe shtetasja Ema Çoku, kjo e fundit e marr nën hetim.

Hetimi i kryer, ka treguar se LSI ka deklaruar pagesa për këtë kompani gjatë vitit 2017 dhe 2019, ndërkohë që prej vitit 2016, ajo që ka pagesa të rregullta ndaj kompanisë së lobimit është kompania e Ardian Shatkut.

Më herët se viti 2013, rezulton se edhe Ema Çoku nëpërmjet kompanisë së saj B.S.K SHPK ka bërë pagesa që sipas SPAK janë bërë prej saj për llogari të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe që lidhen me çështjet e lobimit.

Lidhjet, grupi i hetimit i bën edhe nga të dhënat që kanë rezultuar nga komunikimet që Monika Kryemadhi ka me shtetasin Ardian Shatku, ku në njëri prej tyre flitet për ardhjen në Shqipëri të shtetasit John Moreira, drejtuesi i kompanisë së lobimit JPM Strateguic Solution.

Mesazhi i Arian Shatkut për Monika Kryemadhin: E kisha John në Tiranë jo vetëm për të prezantuar sesionin e strategjisë që është shumë kritike për ju dhe IM pasi tregon vizionin, punën ekipore dhe metrikat për ta matur atë. Ai do të inkurajojë të gjithë ministrat dhe drejtorët që të punojnë së bashku nën një vizion të IM. Ju lutemi bëjeni të ndodhë që John të mund të qëndrojë edhe një ditë ose dy.

Duke grumbulluar të dhëna nga sistemi TIMS, por edhe komunikimet e Monika Kryemadhit me Eriol Brahimllarin, hetuesit thonë se kanë konfirmuar që Moreira ka shërbyer për LSI që prej vitit 2015.

DOSJA E SPAK

Moreira ka kryer aktivitet për llogari të LSI-së edhe në vitin 2015 dhe kohë kur është shoqëruar nga Eriol Brahimllari (në datën 22 Tetor 2015, ora 10.24, me automjetin me targa AA164BX). Nga ana e organit procedues është dokumentuar se për vitin 2013 dhe 2015, John Moreira është shoqëruar nga një funksionar i LSI-së, rezervimi i qëndrimit në Hotel Rogner për periudhën 2014-2017 është kryer në emër kompanisë Unifi Comunication INC dhe një pjesë e shpenzimeve për vitin 2015 dhe 2016 janë paguar nga Adrian Shatku.

Por miku i mirë i LSI-së nuk është vetëm biznesmeni Shatku, por edhe Ema Çoku. Kjo e fundit përveç një pagese për kompaninë JPM Stragic Solution, prej 12 mijë dollarësh, rezulton të ketë paguar edhe aktivitet për partinë dhe dhënë hua dhe shuma parash familjes Kryemadhi.

DOSJA E SPAK

Ema Çoku është lidhje e afërt familjare me shtetasit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Kjo shtetase nëpërmjet punonjëses së saj, Vera Bazi, ka paguar në vitin 2013, për aktivitet argëtues të LRI-së, shumën 4 103 605 lekë, ka paguar në vitin 2013 me derdhje cash në bankë për llogari të Hotel R., ka bërë donacione në vlerën 7 000 Euro. Kompania B.S.K shpk e Ema Çokut, ka paguar në vitin 2013, shpenzimet e akomodimit në Hotel Rogner për shtatë shtetas të huaj midis të cilëve edhe John Moreira dhe Patrick Faust, shumën 1 142 000 lekë. Janë dokumentuar edhe pagesat e kryera nga shtetasja Vera Bazi, (e punësuar pranë kompanisë B.S.K shpk) për llogari të Lëvizjes Rinore për Integrim. Në datën 30 prill 2013 ka derdhur cash ne llogarinë e Hotel Rogner, shumën 10 000 Euro për shërbimin “ushqim dhe pije, banket i LRI-së”. Gjithashtu, Vera Bazi në datën 11 qershor 2014 ka derdhur cash në një bankë shumën 300 000 lekë për shërbimin “event i organizuar ne datën 10 qershor 2013 nga LRI” dhe në datën 25 shtator 2014, ka derdhur cash shumën 363 910 lekë për shërbimin “event i organizuar ne datën 10 qershor 2013 nga LRI”.

Prej disa muajsh, madje edhe në sallën e gjyqit, kryeprokurori i SPAK, që është edhe një nga prokurorët e çështjes, Altin Dumani, po sulmohet rregullisht nga Ilir Meta. Por vetë Dumani, mori bekimin nga Meta, si President i Republikës, më 19 dhjetor 2019, kur mori detyrën. Por pas këtij shtrëngimi duarsh, gjithçka do të ndryshonte për Ilir Metën dhe familjen e tij.

“Ndiq paratë”. Kjo frazë nisi të bëhej e famshme pas filmit të vitit 1976, “All the President’s Men”. Aty dëshmohej se si mund të zbulohej korrupsioni politik duke shqyrtuar transfertat e parave.

Sot, kjo frazë është teoria thelbësore e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, tashmë e vënë në praktikë nga SPAK. Të fuqishmit po bien një e nga një nga froni. Tetorin e vitit 2023 ishte radha e ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit dhe familjes së tij. Fiks një vit pas tij, edhe Ilir Meta e Monika Kryemadhi patën të njëjtin “fat”.

Dy prej familjeve më të fuqishme për vite e vite me radhë, sot po japin llogari para drejtësisë. Berisha që vuri gjithë shtetin në shërbim të familjes së tij dhe Meta që përdori pushtetin për të vjedhur shtetin. Në të dy rastet, emëruesi i përbashkët është korrupsioni.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!