Gjeorgjia mes të kaluarës sovjetike dhe të ardhmes perëndimore

schedule18:09 - 29 Qershor, 2024

schedule 18:09 - 29 Qershor, 2024

Gjeorgjianët po përgatiten për zgjedhjet vendimtare të këtij viti, mes frikës në Perëndim se qeveria po largohet nga ambicia kushtetuese për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Siç njofton nga Tbilisi korrepondenit i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, Gjeorgjia duket se është përfshirë në një debat mbi të kaluarën e trazuar të shekullit të 20 dhe të ardhshmen të lidhur me Perëndimin.

Qyteti i Gorit ofron një pamje tronditëse të së kaluarës së errët të Gjeorgjisë. Aty ka lindur diktatori sovjetik Josif Stalin, përgjegjës për vdekjen e rreth 30 milionë njerëzve. Muzeu i qytetit u ndërtua në vitin 1957, katër vjet pas vdekjes së tij.

Pjesa më e madhe e muzeut duket më shumë si një tempull. Në një sallë të heshtur të tij është vendosur busti i diktatorit të vdekur.

Në një dhomë të vogël, të shtuar në vitin 2010, shfaqet një përmbledhje e krimeve të Stalinit, kampet e punës, varfëria, krizat ushqimore dhe vrasjet e miliona qytetarëve, përfshirë gjeorgjianë.

Megjithatë, një sondazh i bërë në vitin 2012 tregoi se rreth 45 për qind e gjeorgjianëve kishin një qëndrim pozitiv ndaj Stalinit.

Ky monument befasues i diktatorit sovjetik është simbol i luftës së Gjeorgjisë për të rehabilituar të kaluarën e saj të trazuar dhe shpesh të dhunshme. Është një histori që jehon ende sot, ndërsa vendi përpiqet të vendosë për drejtimin e ardhshëm.

Shtatëdhjetë e një vjet pas vdekjes së Stalinit, Rusia ende po përpiqet të ushtrojë kontroll mbi ish-republikën sovjetike. Pak kilometra në veri të Gorit shtrihet vija kufitare e territoreve të pushtuara nga Rusia. Trupat e saj ende kontrollojnë 20 për qind të territorit gjeorgjian pas një lufte civile në fillim të viteve 1990 dhe një sulmi rus në 2008.

“Është e rëndësishme që të mos kalohet vija kufitare e territoreve të pushtuara. Nëse kaloni në anën tjetër, ndaloheni nga forcat ruse”, thotë fermeri Gela Bolatashvili.

Më tej në lindje përgjatë maleve të Kaukazit, një pamje më e ndryshme e të ardhmes së Gjeorgjisë. Kakheti njihet si vendlindja e verës, ku ajo është prodhuar për rreth tetë mijë vjet.

Qendra Nekresi prodhon 50 mijë shishe në vit, që eksportohen në mbarë botën, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Francën dhe Korenë e Jugut. Drejtuesit e saj synojnë të pesëfishojnë prodhimin e verës në vitet e ardhshme.

“Ne po synojmë t’i shesim prodhimet tona në tregjet e huaja, veçanërisht në Evropë. Anëtarësimi i mundshëm i Gjeorgjisë në Bashkimin Evropian do të ishte një përparim i rëndësishëm për biznesin tonë”, thotë Nara Silagadze, menaxhere e qendrës Nekresi.

BE-ja ka investuar mbi dy miliardë dollarë para publike dhe private në Gjeorgji në kuadër të strategjisë së saj “Porta Globale”, duke përfshirë qendrën Nekresi.

“Hoteli që po ndërtojmë është me teknologji të gjelbër dhe BE-ja ka vendosur të bashkëpunojë me ne dhe të mbështesë ndërtimin e tij”, thotë zonja Silagazde.

Qeveria gjeorgjiane këmbëngul se dëshiron të anëtarësohet në BE deri në vitin 2030. Por Brukseli ka shprehur shqetësim se masat e fundit kufizuese ndaj shoqërisë civile po e kthejnë Gjeorgjinë drejt Rusisë, duke vënë në dyshim anëtarësimin e saj në BE.

Gjeorgjianët janë krenarë për kulturën dhe trashëgiminë e tyre. Por ata ndodhen në një betejë mes rehabilitimit të historisë së tyre të debatueshme dhe një të ardhmeje ende të papërcaktuar./VOA