Gjeorgji, protesta kundër projektligjit të qeverisë për “agjentët e huaj”

schedule16:57 - 29 Prill, 2024

schedule 16:57 - 29 Prill, 2024

Mijëra banorë protestuan në Tbilisi të Gjeorgjisë për të kundërshtuar një projektligj të ri për median, që sipas kritikëve synon të shuajë lirinë e shtypit në vend. Propozimi, i ashtuquajtur “ligji për agjentët e huaj”, ashpërson rregullat për mediat dhe organizatat e shoqërisë civile që marrin financime të huaja. Bashkimi Europian ka paralajmëruar se miratimi i tij do ketë pasoja për procesin integrues të Gjeorgjisë.

Të dielën në mbrëmje rrugët e kryeqytetit Tbilisi u mbushën përsëri nga protestuesit gjeorgjianë që kundërshtojnë projektligjin që detyron mediat dhe organizatat jo fitimprurëse që të regjistrohen se janë në ndikim të huaj në rast se më shumë se 20 për qind e fondeve për veprimtarinë e tyre, financohet nga jashtë.

Mes mijëra protestuesve valëviteshin flamuj të Gjeorgjisë dhe të Bashkimit Europian.

Kritikët thonë se projektligji do të pengojë synimet e kahershme të Gjeorgjisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
Ata e kanë cilësuar atë si “ligji rus”, sepse Moska po zbaton një legjislacion të ngjashëm për të stigmatizuar mediat e pavarura dhe organizatat të cilat konsiderohen si kundërshtare të Kremlinit.
“Jam e zemëruar dhe disi e trishtuar, por më së teprëmi jam e lumtur që sot kanë dale kaq shumë njerëz. Jam krenare për të gjithë këta njerëz sepse është fantastike që kaq shumë vetë besojnë tek e njëjta kauzë”, shprehet protestuesja Salome Tevodorashvili.

Partia në pushtet, “Ëndrra Gjeorgjiane” dhe aleatët e saj, thonë se projekligji është i nevojshëm për rritjen e transparencës tek organizatat e shoqërisë civile.

“Shteti i së drejtës dhe parimi i transparencës janë dy vlera themelore si në Gjerogji dhe në Europë, janë vlera të përbashkëta. Besojmë se mbrojtja e tyre do të ndihmojë integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian”, shprehet Rati Ionatamishvili, deputet i partisë “Ëndrra Gjeorgjiane”.

Deputeti opozitar dhe kryetari i Partisë së Qytetarëve, thotë se projektligji nuk do të miratohet.

“Kjo është situatë e vështirë, por nuk kam dyshim që ky projektligj do të dështojë dhe në fund, do të çojë në rrëzimin e Partisë Endrra Gjeorgjiane, parti që është qartësisht pro ruse. Ne nuk mund të bëjmë paqe me urdhra që vijnë nga Moska”, shprehet ai.

Ekspertët thonë se protestat dhe zgjedhjet e pritshme parlamentare do të jenë përcaktuese për Gjeorgjinë.

“Gjeorgjia tani gjendet në udhëkryq, rezultati i këtyre protestave dhe zgjedhjet parlamentare do të jenë vendimtare mbi drejtimin që do të marrë Gjerogjia për vitet e ardhshme. Pas agresionit rus ndaj Ukrainës, gjërat kanë ndryshuar në vendet ish-sovjetike dhe Gjeorgjia tani duket se ndodhet mes autoritarizmit dhe mundësisë për të qenë pjesë e BE-së”, thotë Korneliy Kakachia nga Instituti Politik, Gjeorgji.

Në një deklaratë të shpërndarë më herët gjatë këtij muaji, Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrel tha se miratimi i projekligjit do të kishte pasoja negative mbi rrugën integruese të Gjeorgjisë.

Edhe pse Presidentja e Gjerogjisë Salome Zourabichvili pritet të vendosë veton ndaj projektligjit në rast se miratohet nga Parlamenti, partia në pushtet mund ta rrëzojë atë nëse mbledh 76 vota. Pas këtij akti, kryetari i parlamentit mund të firmosë miratimin e ligjit./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!