Pas tragjedisë në Gjenova, ekspertët japin alarmin se në të gjithë Italinë janë në rrezik të shemben rreth 60% e urave. Kjo situatë ka ardhur për shkak të shkurtimeve të fondeve për mirëmbajtjen.
Italia përshkohet nga mbikalime rrugore dhe ura si “Morandi”, që u shemb me 14 gusht në Gjenova duke shkaktuar viktima të shumta. Ura në të cilat çdo ditë kalojnë mijëra makina të tonazhit të rëndë. Dhe shumë shpesh bëhet fjalë për infrastruktura të vjetra, që kanë mbi 50 vite që janë ndërtuar. Ato janë ndërtuar kryesisht nga beton arme, i cili bëhet shumë i rrezikshëm gjatë dekadave. Ajo në Gjenovë është shëmbja e katërt që nga viti 2017: një ngjarje e tillë ndodhi pranë Ankonës dhe tjetra në afërsi të Kuneos. Ndërsa shembja e parë u regjistruar në afërsi të Lekos.
“Në vitet ’60 nuk merrej parasysh që betoni arme degradohet”, shpjegon për Korriere Dela Sera, Diego Zoppi, anëtar i Këshillit kombëtar të Arkitektëve. “Tashmë rastet e shembjeve po marrin një karakter shumë shqetësues – shprehet Antonio Okiuci, nga Këshilli Kombëtar Italian i Kërkimeve, pasi dhjetra mijëra ura në Itali kanë tejkaluar jetëgjatësinë për të cilën janë projektuar. Ura Morandi është një rast studimi pasi nuk ka asgjë të përjetshme”.
Ekspertët japin alarmin se në rrezik gjendet një tjetër urë e projektuar nga Rikardo Morandi, në Siçili, e mbyllur në 2017-n për frikë shembjeje. Gjithashtu edhe në Firence dhe Katanzaro ka ura që mund të kenë një fat të tillë si ajo në Gjenova. ekspertët japin alarmin se në të gjithë Italinë, 60% e urave apo mbikalimeve rrugore rrezikojnë shembjen. Një shifër kjo shumë e frikshme, sipas tyre. Kjo gjendje ka ardhur për shkak se në 2014-n nuk kanë më fonde për mirëmbajtje dhe investime.
Ndërkohë, përveç ekspertëve italianë, edhe specialistë të huaj kanë dhënë opinionin e tyre lidhur me rrëzimin e urës. I kontaktuar nga BBC, Sterxhos Mitulis, profesor i specializuar për ndërtimin e urave në Universitetin Sërrej të Anglisë, ka deklaruar se faktorët ambjentalë mund të kenë ndikuar në dobësimin e parakohshëm të strukturës, që ishte llogaritur të mbante deri në 100 vjet. “Një faktor mund të jetë afërsia me detin, një tjetër fakti se ura ndodhej në një zonë të industrializuar dhe ndotja mund të ketë përshpejtuar degradimin e saj”, ka thënë Mitulis. Gjithashtu specialist të tjerë thonë se në shembjen e urës ka ndikuar edhe mirëmbajtja si dhe trafiku I rënduar./abcnews.al