Anton Shkoza nuk është thjesht ish-kampion xhudoje. Ai është një aktor i drejtpërdrejtë i historisë moderne shqiptare, një rebel me shpirt luftëtari dhe themeluesi i xhudos shqiptare. Prej më shumë se tre dekadash, ky sport është jeta e tij, një mision që e ka ndarë sot edhe me tre fëmijët e tij, kampionë absolutë në xhudo.
Në një kohë kur sistemi komunist i “ngushtonte” rrugët e sportit dhe të jetës, Anton Shkoza u shpall hapur kundërshtar i regjimit. Familja e tij u godit rëndë: më 19 janar 1988, akti i guximshëm i kushëririt Donat Shkoza, që theu traun e doganës së Hanit të Hotit me makinën e Degës së Punëve të Brendshme, çoi në burgosjen politike të vëllait të tij. Viti 1990 e gjeti Anton Shkozën në aktivitetet antikomuniste, deri te rënia e bustit të Enver Hoxhës.
Ai ishte i pranishëm në hapjen e Kishës Katolike dhe të Xhamisë së Plumbit në Shkodër më 15 nëntor 1990, në hapjen e kishës në Vau Dejës më 6 dhjetor dhe më 13 dhjetor, ditën e rrëzimit të bustit të diktatorit, ishte para ish-Komitetit Ekzekutiv të rrethit. I shpallur kundërshtar i regjimit, për t’i shpëtuar arrestimit u detyrua të largohej në Greqi.
Pas kthimit në atdhe, nisi një kapitull historik për sportin shqiptar. Në vitin 1992 u kthye në Shkodër dhe krijoi klasat e para të xhudos, ndërsa në vitin 1993 hapi palestrën e parë të xhudos në Shqipëri, në Vau Dejës, me ekipet e Vllaznisë dhe Vau Dejësit. Në vitin 1995, Shqipëria përfaqësohet për herë të parë në Kampionatin Ballkanik të Xhudos, ndërsa Anton Shkoza përfaqëson vendin në Lojërat Olimpike Mesdhetare në Bari.
Në vitin 1998, përfaqësoi Policinë Shqiptare në Kampionatin e Parë Botëror të Xhudos për Policinë në Kuvajt. Një vit më pas, kur ishte i përzgjedhur nga Komiteti Olimpik për Lojërat Olimpike “Sidney 2000”, një aksident fatal gjatë stërvitjes i dëmtoi kolonën vertebrore dhe i ndryshoi jetën përgjithmonë, por jo shpirtin. Anton Shkoza nuk hoqi dorë kurrë nga xhudoja. Sot, në Shkodër, ai drejton Akademinë e Parë të Xhudos në Shqipëri, duke ndërtuar breza kampionësh.


