Komandanti ushtarak amerikan që po vëzhgon nga afër grumbullimin e forcave ushtarake të Rusisë në Krime dhe përgjatë kufirit të Ukrainës tha se ka vetëm një gjasë “të ulët deri mesatare” që forcat ruse në të vërtetë të fillojnë një operacion pushtimi.
Gjenerali i Forcave Ajrore Tod Wolters, komandanti i Komandës Evropiane të forcave amerikane, i bëri komentet gjatë një seance dëgjimore me ligjvënësit të enjten në Uashington, ku paralajmëroi se manovrimi i Kremlinit mbetet “shqetësim i madh”.
“Kemi të bëjmë me një forcë shumë të madhe tokësore”, u tha Wolters anëtarëve të Komisionit të Forcave të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, duke mos pranuar të jepte shifra.
“Ka gjithashtu një grumbullim të një force të konsiderueshme ajrore dhe detare”, tha ai. “Vigjilenca jonë është në nivel të lartë”, shtoi gjenerali amerikan.
Shtëpia e Bardhë, Pentagoni dhe NATO kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur një shpjegim nga Rusia për lëvizjet e trupave, duke hedhur poshtë insistimin e Moskës se po grumbullonte forcat për një stërvitje ushtarake.
Ata gjithashtu i kanë bërë thirrje Rusisë që të ulë tensionet, duke theksuar se ky është grumbullimi më i madh i trupave ruse që nga pushtimi dhe aneksimi i Krimesë në vitin 2014, pjesë e një “modeli provokimesh agresive”.
Duke dëshmuar para ligjvënësve të mërkurën, zyrtarët amerikanë të zbulimit thanë se qëllimi i Rusisë mbetet i paqartë. Drejtori i CIA-s William Burns tha se Moska thjesht mund të përpiqet të sinjalizojë Ukrainën dhe Perëndimin se ata duhet të respektojnë fuqinë e saj ushtarake, por ai paralajmëroi se grumbullimi “ka arritur pikën ku gjithashtu mund të sigurojë bazën për një ndërhyrje të kufizuar ushtarake”.
Zyrtarë të tjerë të lartë të inteligjencës amerikane e kanë përshkruar situatën si të pasigurt.
“Rusët janë pozicionuar për t’i dhënë vetes opsione”, tha Gjeneral Lejtnant Scott Berrier, shef i Agjencisë së Inteligjencës në Departamentin e Mbrojtjes, gjatë dëshmisë para ligjvënësve, përkrah drejtorit të CIA-s William Burns. “Ata në të vërtetë mund të jenë duke u përgatitur për një seri stërvitjesh që mund të fillojnë në çdo moment, ose mund të vendosin, ndoshta të bëjnë një sulm me objektiv të kufizuar”, shtoi ai.
Megjithatë, Gjenerali Wolters tha të enjten se mund të ketë shenja se kërcënimi po zvogëlohet, duke iu referuar aktivitetit përgjatë linjave të furnizimit rus “që është stabilizuar”.
“Mendoj se, me prirjen që unë shoh tani, gjasat e një sulmi do të fillojnë të zbehen”, tha ai, kur u pyet se si situata mund të evoluojë në tre-katër javët e ardhshme.
Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara njoftuan një paketë ndihmash ushtarake prej 125 milionë dollarësh për Ukrainën, duke përfshirë armë mbrojtëse vdekjeprurëse “për të ndihmuar forcat e Ukrainës të ruajnë integritetin territorial të vendit”.
Duke folur në Bruksel të mërkurën, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha se Uashingtoni do të “shqyrtonte vazhdimin” e ndihmës për Kievin në fushën e mbrojtjes./VOA