Gjendja e fushës në “Air Albania Stadium”, si FSHF nuk e tha të vërtetën

schedule17:32 - 23 Nëntor, 2019

schedule 17:32 - 23 Nëntor, 2019

Federata Shqiptare e Futbollit nuk tha të vërtetën për fushën e Arenës së re në kryeqytet. Tapeti i barit kishte nevojë për 90 ditë kohë që të ishte gati, jo për dy muaj siç ishte deklaruar më parë.

Në çdo moment, thuhej shprehja standarde “çdo gjë do të jetë gati”. Ky ishte refreni në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) për ecurinë e punimeve në Arenën e re, por gjendja e fushës ishte ndryshe në prag të duelit me Francën.

Burime në Federatë bëjnë me dijë për ABC News se tapeti i vendosur në “Air Albania Stadium” kishte nevojë për 90 ditë, që të bëhej gati për të pritur një ndeshje futbolli. Kjo, ndryshe nga shumica e fushave të vendosura në stadiumet e tjerë të Shqipërisë, që kanë nevojë për 45 ditë kohë, maksimumi 2 muaj.

Shtrimi i tapetit nisi në 10 shtator dhe përfundoi në 17, pra fiks dy muaj përpara duelit me Francën në eliminatoret e Europianit. Kjo do të thotë se deri në 17 nëntor, kur edhe u zhvillua përballja, do të mungonte edhe 1 muaj që terreni të ishte në kushtet e duhura.

Kjo u duk qartë, qoftë në ndeshjen e kontrollit mes ekipeve të femrave të Vllaznisë dhe Apolonisë, por po ashtu edhe në atë Shqipëri-Francë. Tashmë, në Federatë po presin gjykimin e specialistit grek që u mor me shtrimin e tapetit të barit.

Nga përgjigja e tij dhe nga analiza e terrenit do të vendoset se kur do të luhet sërish në “Air Albania Stadium”. Ekziston mundësia që stadiumi të presë ndeshje vetëm në muajin shkurt të vitit të ardhshëm, por ndoshta mund të bëhet një përjashtim për derbin Partizani-Tirana javën që vjen. /ABC NEWS ALBANIA 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!