Gjendet një tjetër varr masiv në Bucha, viktimat u torturuan e më pas u qëlluan me plumb në kokë

schedule21:08 - 13 Qershor, 2022

schedule 21:08 - 13 Qershor, 2022

Shtatë trupa, disa prej tyre me këmbë të lidhura, janë gjendur në një varr pranë qytetit të Bucha-s. Lajmin e ka bërë të ditur policia rajonale e vendit.

“Shtatë civilë janë torturuar nga rusët dhe më pas janë ekzekutuar në mënyrë frikacake me një plumb në kokë”, ka shkruar në Facebook shefi i policisë rajonale të Kievit, Andriy Nebytov.

“Ky varr u zbulua sot në një zonë ku trupat ruse ishin të vendosura pranë fshatit Myrotske”, shkruan ai, duke shtuar se policia “po punon për identifikimin e trupave.”

Kujtojmë se qyteti i Bucha-s u pushtua nga trupat ruse gjatë javëve të para të pushtimit. Pasi qyteti u çlirua në fillim të prillit, u gjetën të paktën 500 trupa të vdekur, shumë prej tyre në varre të improvizuara dhe masive.

Rusia, e cila u tërhoq nga qyteti më 30 mars, ka hedhur poshtë vazhdimisht akuzat për krime lufte në Bucha, duke këmbëngulur se ato janë “falsifikime” nga Ukraina, e mbështetur nga aleatët e saj në Perëndim. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!