Gjendet një person i pajetë në Durrës, qytetari godet me grusht policin

schedule11:56 - 21 Dhjetor, 2021

schedule 11:56 - 21 Dhjetor, 2021

Një 44-vjeçar është gjetur i vdekur në banesë nga familjarët paraditen e sotme. Policia njofton se E. V., 44 vjeç u gjet pa jetë rreth orës 11:30 në lagjen nr. 18 Durrës, dhe paraprakisht dyshohet se ka ndërruar jetë nga shkaqe natyrale. Ndërkohë që gjatë 24 orëve të fundit në qytetin bregdetar janë arrestuar pesë persona dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Një 44-vjeçar u arrestua pasi pas sherrit në terminalin e pasagjerëve në portin e Durrësit goditi me grusht punonjësin e policisë.

Njoftimi i policisë së Durrësit

Nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve në DVP Durrës u arrestua në flagrancë shtetasi A. R., 36 vjeç, banues në Norvegji dhe u procedua penalisht shtetasja F. H., 24 vjeçe, banuese në Turqi, pasi në PKK Port Durrës, shtetasi A. R. ka ndihmuar 24-vjeçaren, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në DVP Durrës bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit në kërkim A. P., 32 vjeç, banues në Lezhë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, më datë 13.12.2021, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të licencuara”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit në kërkim L. V., 24 vjeç, banues në Krujë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Krujë, më datë 17.07.2021, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, shtetasin S. B., 44 vjeç, banues në Durrës, pasi në terminalin e pasagjerëve në PKK Durrës, ka goditur me grusht, për shkak të detyrës, punonjësin e Policisë të Kufirit.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 46 vjeç, banues në Xhavzotaj Durrës, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi.

/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!