Një shofer ambulance në Spitalin Rajonal të Beratit ka gjetur vdekjen mbrëmjen e djeshme.
60-vjeçari Shkëlqim Metolli është gjetur pa jetë në banesë nga të afërmit e tij. Mësohet se Metolli kishte disa ditë që ndodhej me raport në shtëpi, për shkak se ishte i sëmurë.
Ai kishte shfaqur shenja të dukshme të Covid-19 dhe për shkak se jetonte i vetëm, familjarët i kishin kërkuar të bënte tamponin por nuk kishte pranuar. Disa ditë pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore,të cilën po e trajtonte në shtëpi me medikamente,Metolli ka pësuar një arrest kardiak dhe ka gjetur vdekjen.
Burime të brendshme nga Spitali Rajonal i Beratit bëjnë me dije se është kërkuar nga ana e familjarëve ekzaminimi i kufomës për të mësuar nëse ishte i prekur apo jo nga Covid-19.
Dyshimet se shoferi i ambulancës ishte i prekur nga Covid-19 janë hedhur edhe nga kolegët e tij dhe mjekët e spitalit,që konfirmojnë se Metolli kishte shfaqur edhe gjatë ditëve të fundit të punës shenja të lodhjes fizike dhe temperaturë të vazhdueshme.
Shkëlqim Metolli punonte prej 34-vjetësh si shofer ambulance në Spitalin Rajonal të Beratit, ndërsa këtë vit kishte punuar në vijën e parë të luftës kundër Covid-19, duke transportuar çdo ditë të sëmurët në gjendje të rënduar nga Spitali i Beratit drejt spitaleve Covid në Tiranë.
60-vjeçari Shkëlqim Metolli u përcoll sot nga familjarët për në banesën e tij të fundit,nën masat Anti-covid. /abcnews.al/