Gjendet helikopteri i zhdukur me 5 marinsa amerikanë në bord

schedule08:21 - 8 Shkurt, 2024

schedule 08:21 - 8 Shkurt, 2024

Ekipet e shpëtimit lokalizuan të mërkurën një helikopter të Korpusit të Marinsave, të zhdukur në mëngjes me 5 marinsa amerikanë në bord, që po udhëtonte nga shteti i Nevadës drejt Kalifornisë, e cila vazhdon të goditet nga stuhia me përmasa historike.

Sipas mediave amerikane, helikopteri është gjetur rreth orës 9 në Luginën Pine, rreth 70 kilometra larg San Diegos, por sipas ekipeve të shpëtimit reshjet e borës po vështirësojnë përpjekjet e shpëtimit.

Marinsat ishin në helikopterin e llojit CH-53E “Super Stallion” i cili u ngrit nga Baza Ajrore ushtarake “Creech”, në veriperëndim të Las Vegasit, ku po merrnin pjesë në një stërvitje dhe po ktheheshin në bazën ajrore të marinsave “Miramar” në San Diego.

Zyra e sherifit të qarkut të San Diegos u njoftua në orën 1 pas mesnatës se helikopteri ishte vonuar në bazë dhe se për herë të fundit ishte parë në Luginën Pine, një rajon malor pranë Pyllit Nacional në Kllivlend, rreth 50 kilometra në lindje të qytetit të San Diegos.

Helikopteri CH-53E “Super Stallion” është helikopteri më i madh dhe më i rëndë i ushtrisë.

Ai mund të transportojë ushtarë dhe pajisje në terren dhe mot të vështirë, përfshirë gjatë natës, sipas informacioneve të Korpusit të Marinsave.

Dy helikopterë të tillë ishin përdorur për shpëtimin e stafit amerikan dhe aleatëve nga ambasada amerikane gjatë luftës civile në Mogadishu, Somali në vitin 1990.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!