Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur njoftoi se për dy ditë me radhë ka kryer gërmime në një lokacion në rajonin e Rahovecit, ku janë gjetur mbetje mortore, që dyshohet se mund t’iu përkasin viktimave të luftës.
Sipas njoftimit, dje në lokacionin që njihet nga banorët lokalë si Përzhina dhe që gjendet afër varrezave të qytetit, u gjetën dy pjesë eshtërore që janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim.
Ndërkaq, sot u gjetën “mbetjet mortore të të paktën një individi” që mund t’iu përkasin viktimave të luftës që mund të jenë në listën e personave të zhdukur.
“Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces, mbeten të përkushtuara në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe në informimin e rregullt të opinionit publik, duke respektuar ndjeshmërinë e procesit dhe dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre”, u tha në njoftim.
Muajt e fundit janë kryer gërmime në disa lokacione, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998/99.

