Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) vendosi të enjten se Hungaria ka shkelur ligjet e BE-së duke e bërë më të vështirë për azilkërkuesit të aplikojnë për mbrojtje, raporton DW.
Pas shërthimit të Covid, Budapesti prezantoi rregulla të reja duke i detyruar azilkërkuesit të udhëtojnë fillimisht në ambasadat hungareze në Serbi ose Ukrainë për të aplikuar për një leje udhëtimi.
Autoritetet hungareze më pas mund të vendosin nëse do t’i lejojnë migrantët të hyjnë në Hungari për të paraqitur zyrtarisht një kërkesë për azil.
Komisioni Evropian, dega ekzekutive e BE-së, e çoi Hungarinë në gjykatë lidhur me masën, duke argumentuar se hapi shtesë shkelte ligjet e bllokut dhe të drejtat e emigrantëve.
Qeveria e kryeministrit Viktor Orban është përplasur shpesh me vendet anëtare të BE-së për trajtimin e azilkërkuesve si dhe shkeljet e shtetit të së drejtës.
Gjykata e lartë e BE-së mbajti anën e Komisionit Evropian. Sipas ligjit të BE-së, të 27 shtetet anëtare janë të detyruara të kenë procedura të përbashkëta për dhënien e azilit.
Gjykata tha se veprimet e Hungarisë po privonin në mënyrë efektive njerëzit që kërkonin mbrojtje nga e drejta e tyre për “qasje efektive, të lehtë dhe të shpejtë” në procedurën e azilit.
Gjyqtarët gjithashtu gjetën se rregullorja, e miratuar gjatë pandemisë, nuk ishte një masë efektive për të parandaluar përhapjen e koronavirusit./abcnews.al