Gjasula: Dy javë izolim ja vlejnë për Kombëtaren, unë mes liderëve kuqezi

schedule09:37 - 9 Nëntor, 2020

schedule 09:37 - 9 Nëntor, 2020

Konfirmohet një senator i mesfushës për ndeshjet e nëntorit ndaj Kazakistanit dhe Bjellorusisë. Mesfuhsori i Hamburg, Klaus Gjasula në një intervistë për Supersport konfirmon se do të jetë në Tiranë të martën dhe flet gjatë për situatën e tij te Hamburgu dhe gjendjen e kombëtares.

Ai do duhet të karantinohet për 14 ditë kur të kthehet në Germani, por bashkë me klubin kanë arritur marrëveshje dhe mesfushori ka vendosur të humbasë dy ndeshje me Hamburgun për tu bashkuar me Kombëtaren në dy betejat e fundit të Ligës së Kombeve.

HAMBURGU – “E kemi nisur shumë mirë kampionatin dhe jemi në vendin e parë, pra pretendentët kryesorë për t’u ngjitur në Bundesligë. Skuadra është e kompletuar dhe jemi në rrugën e duhur. Unë e nisa titullar në dy ndeshjet e para, por kohët e fundit nuk kam luajtur nga minuta e parë.

Ndikoi lodhja, pasi këtë verë thuajse nuk bëra fare pushime dhe këtu nëse gabon një herë, humb vendin në formacion. Megjithatë unë po punoj shumë në stërvitje dhe shpresoj që të rikthehem sërish në formacion”.

 

KRAHASIMI – “Paderborn ishte një klub i vogël dhe pa shumë pritshmëri, ndaj mund të punohej shumë qetë, ndërsa te Hamburgu presioni është shumë i madh. Sezonin e kaluar këta ishin pranë ngritjes në Bundesligë, por mjaftuan dy ndeshje të gabuara që presioni të rritej shumë dhe të bënin një sërë gabimesh. Mediat këtu janë shumë të ndjeshme ndaj skuadrës”.

 

NË NDESHJET E NËNTORIT? – “Po, do të vij në Tiranë ditën e martë dhe ndoshta nuk do jem gati për miqësoren me Kosovën, por do të jem në dispozicion të trajnerit për sfidat ndaj Kazakistanit e Bjellorusisë.

Këtu ka një rregull, që kur kthehesh nga një vend tjetër, duhet të futesh dy javë në karantinë, por unë kam rënë dakord me drejtuesit e klubit që të vij edhe me këtë kusht sepse Kombëtarja ka dy ndeshje shumë të rëndësishme dhe e mora parasysh që do humb një apo dy ndeshje me Hamburgun”.

 

LIDER I KOMBËTARES? – “Mendoj se jam një nga liderët e skuadrës kombëtare, për vetë moshën që kam dhe eksperiencën. Bashkë me disa të tjerë aty, jemi liderë dhe na takon neve që të udhëheqim skuadrën në fushë. Ndonjëherë kemi bërë edhe gabime, por duhet të mbajmë kokën lart dhe t’u japim zemër edhe më të rinjve”.

NDESHJET E TETORIT – “Po, i kam parë të dyja dhe kam vënë re që kemi dominuar ndaj kundërshtarëve. Në ato ndeshje kam kuptuar që ne i kemi të gjitha mundësitë të fitojmë ndaj tyre, pasi kemi treguar se jemi më të fortë”.

 

Klaus Gjasula

RINOVIMI I KOMBETARES– “Kemi shumë futbollistë të rinj e të talentuar, që luajnë nëpër Europë dhe që shumë shpejt do të jenë një vlerë e shtuar për Kombëtaren. Synimi ynë është të fitojmë dy ndeshjet e radhës, për ta mbyllur Nations League në vendin e parë në grup, por edhe po nuk ia dolëm, nuk është fundi i botës. Mund të them me bindje që vitet e ardhshme kanë për të qenë shumë të mira për Kombëtaren Shqiptare”, u shpreh Gjasula. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!