Muaji tetor do të jetë impenjativ për kombëtaren shqiptare. Kuqezinjtë e Edi Rejës do e nisim me miqësoren e 7 tetorit kundër Armenisë, teksa më pas është radha e dy dueleve në Nations League.
11 tetori sjell Kazakistanin në Shqipëri, ndërsa tre ditë më vonë udhëtojmë drejt Vilniusit për t’u përballur dhe tentuar “hakmarrjen” ndaj Lituaniasë vendase. Trajneri italian do të bëjë publike listën e lojtarëve të grumbulluar ditën e nesërme, teksa ka zgjedhur të mos grumbullojë 5 lojtarë.
Elseid Hysaj (u ndëshkua me të kuqe në takimin e fundit), Bekim Balaj dhe Sokol Cikalleshi ishin të pranishëm në fejesën e Odise Roshit (është edhe i dëmtuar) përpara sfidës ndaj Lituanisë dhe bashkë me fierakun janë pezulluar nga kombëtarja, duke mos pasur mundësinë të luajnë në këto tre ndeshje.
Në vend të tyre pritet të grumbullohen emra si Albi Doka (Gorica), Jon Mersinaj (Lokomotiva Zagreb) dhe Sherif Kallaku (Lokomotiva Zagreb). Një ftesë do të marrë edhe Giacomo Vrioni. Sulmuesi i Juventusit pritet të rikthehet sërish në kombëtaren e madhe pas plot dy viteve. /abcnews.al