Në një intervistë për “L’Equipe”, sulmuesi francez i Milanit, Olivier Giroud, ka prekur më shumë faktin e gjysmëfinales me Interin në Champions League.
“Bomberi” francez thekson se do të jenë dy ndeshje fantastike dhe me plot emocione, pa favorit, por ai bën të ditur se kur shkon në gjysmëfinale të këtij kompeticioni, e fiton.
Ta nisim nga rinovimi i kontratës. Si ndiheni që në moshën thuajse 37-vjeçare keni besimin e një klubi si Milani?
E shoh si një shpërblim për gjithçka kam bërë në thuajse dy sezone me Milanin. U ambientova shpejt, fitova një titull dhe falë besimit reciprok e pamë rinovimin si diçka të natyrshme për aventurën tonë.
A ju ka tunduar ndonjë ofertë në këto muaj kuqezi?
Pas Kupës së Botës mund të më shkonte mendja diku apo të mendoja për ndonjë rrugë të re në jetën time, por ideja fikse në kokë ishte Milani dhe vijimi i karrierës këtu deri në vitin 2024.
Sa i kënaqur jeni për këtë aventurë deri tani?
Të them të drejtën nuk e prisja të përjetoja gjithë këto emocione kur firmosa për Milanin. E dija që më priste një sfidë e madhe pas muajve të fundit me Chelsean, por me siguri që nuk e imagjinoja të fitoja një titull apo të isha na gjysmëfinalet e Champions-it. Më mirë se kaq as në ëndërr nuk do ta kisha parë.
Sivjet shanse për titull nuk ka më, por në Champions mund të thoni ende fjalën tuaj…
Sigurisht që kemi ende mundësi për të zbukuruar sezonin dhe unë në të vetmin rast që kam luajtur në gjysmëfinale, më pas e kam fituar turneun siç ishte në rastin me Chelsean… Duam ta mbyllim mes katër të parave, të synojmë diçka më shumë se gjysmëfinalja në Champions. Ndaj Napolit u tremba për një moment, pasi kisha shpërdoruar dy mundësi, por për fat korrigjova gjithçka falë edhe ndihmës së Leaos. E të mendosh që në pushim të pjesëve Meret ma pranoi se dinte ku do të kisha goditur.
Ja që Leao nuk ju la në pengje?
Është fantastik, e kur niset me topin në këmbë nuk e ndal dot askush. E dija që do të më shërbente. Jemi një skuadër pa solistë dhe të gjithë sakrifikuam. Atë ndeshje vuajta shumë, sepse kisha dhimbje në tendinën e Akilit, që më pengoi të luajë ndaj Leçes.
Çfarë prisni nga derbi në këtë fazë të Champions-it?
Ka për të qenë një ndeshje shumë e ndierë e Milano do të jetë zjarr. Ndeshje fantastike, nga e cila Italia do të ketë një përfaqësuese në finale. Qyteti do të përjetojë emocione shumë të forta dhe besoj se edhe ne futbollistët.
Pas dy humbjesh radhazi a mendoni se mund të kualifikoheni kundër Interit?
Nuk jemi favoritë, por nuk kemi qenë kurrë. Si për titullin vjet, ashtu edhe ndaj Napolit deri një javë më parë. Jemi një skuadër fantastike, e cila po çon në vendin që i takon emrin e Milanit.
Çfarë ju kërkon Pioli?
Që të sakrifikojmë për njëri-tjetrin. Ne sulmuesit duhet të jemi mbrojtësit e parë dhe duhet të ushtrojmë trysni me vrull të madh. Soliditeti është pika e fortë e këtij Milani, por edhe Menja na ndihmon jashtëzakonisht shumë. Ka karizëm dhe transmeton besim dhe qetësi. Është shumë i rëndësishëm për ne./ h.ll/abcnews.al