Giampaolo rikthehet në stol, ish-trajneri i Milanit mund të punojë me Hysajn

schedule17:57 - 7 Gusht, 2020

schedule 17:57 - 7 Gusht, 2020

Torino ka zyrtarizuar në stolin e saj trajnerin Marco Giampaolo. Tekniku italian ndërpreu kontratën e tij me Milanin dhe tashmë do të jetë në krye të klubit nga Torino të paktën për dy sezone. Paga e tij do të jetë plot 1.5 milionë euro në sezon dhe ka qenë vetë klubi që ka zyrtarizuar akordin me një deklaratë për shtyp.

“Klubi i Futbollit Torino është shumë i lumtur të njoftojë se ka arritur marrëveshjen me Marco Giampaolon për të drejtuar ekipin e parë. Trajneri ka firmosur një kontratë dy-vjeçare. Presidenti Urbano Cairo i uron atij dhe stafit sa më shumë fat. Punë të mbarë dhe gjithmonë Forza Toro,” shkruhet në deklaratën e klubit.

Giampaolo ka drejtuar në karrierën e tij klube si Catania, Siena, Cagliari, Cesena, Brescia, Empoli, Sampdoria përpara se të kalonte te një ekip i madh siç është Milani. 53-vjeçari u shkarkua nga drejtuesit kuqezinj në muajin tetor dhe në vendin e tij erdhi Stefano Pioli, i cili u konfirmua pak ditë më parë sërish në stolin e Milanit.

Pas trajnerit është radha e merkato te lojtarët. Një ndër objektivat e klubit të Serie A është Elseid Hysaj, i cili cilësohet si afrimi i duhur për krahun e djathtë të mbrojtjes. Drejtuesit e Torinos vijojnë negociatat me homologët e Napolit dhe shkodrani i kombëtares kuqezi mund të punojë me Giampaolon në të ardhmen./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!