Giampaolo gati për derbin: Milani im luan për tifozët, i njoh mirë Interin dhe Conten

schedule15:48 - 20 Shtator, 2019

schedule 15:48 - 20 Shtator, 2019

Qyteti i Milanos është gati për derbin midis Milanit dhe Interit. Këtë sezon kalendari i ka ballafaquar dy “armiqtë” e përjetshëm që në javën e katërt. Kuqezinjtë e Marco Giampaolos ndodhen në kuotën e 6 pikëve dhe nesër në mbrëmje do të tentojnë fitoren përballë zikaltërve të Antonio Contes.

Trajneri i Milanit ka folur në konferencën për shtyp, duke u ndalur te derbi, skuadra e tij dhe kundërshtari. Java ka kaluar e qetë për kuqezinjtë, të cilët do të bëjnë të pamundurën për t’iu dhuruar tifozëve një mbrëmje për t’u mbajtur mend.

Giampaolo analizon edhe Interin, flet për Antonio Conten, me të cilin do të përballet për herë të parë, dhe e mbyll me një koment për Paquetën dhe Contin.

TRIUMFI – “Nuk duhet të harrojmë kurrë faktin që ne luajmë për tifozët dhe gjithçka e bëjmë për ta. E di çfarë do të thotë t’iu dhurosh atyre një fitore në derbi. Kënaqësia e një triumfi të tillë për mua zgjat vetëm një orë, por e di mirë se çfarë ndodh me tifozët.”

OBJEKTIVI – “Ambicia jonë është të luajmë mirë dhe të fitojmë. Ky është gjithmonë objektivi im. Fitoret të ndihmojnë për të ecur përpara. Për mua nevojitet të fitosh dhe të bindësh. Ne punojmë për këtë gjë.”

INTERI – “Janë një skuadër që luajnë gjithmonë njësoj dhe nuk pres surpriza në këtë aspekt. Natyrisht që çdo ndeshje është e ndryshme, por zikaltrit tentojnë të bëjnë gjithmonë futbollin e tyre, pavarësisht kundërshtarit që kanë përballë.”

CONTE – “E njoh mirë Conten. Ai po aplikon tek Interi futbollin e tij. Nuk jemi përballur kurrë më parë me njëri-tjetrin, por i njoh idetë e tij për futbollin.”

PAQUETA – ”Kam diskutuar me Lucas dhe nuk ka patur asnjë debat. Është puna juaj t’i ekzagjeroni gjërat, por ishte vetëm një bisedë normale.”

CONTI – ”Nesër luan Conti, i cili ka një shans të rëndësishëm. Është një djalë që po stërvitet shumë dhe është rritur shumë në krahasim me disa muaj më parë. Në mbrojtje ai e di se duhet të përmirësohet dhe po punon për këtë. Ka pasur përmirësime në fakt dhe nesër do e tregojë.”

SKUADRA – ”I kam parë mirë djemtë gjatë javës. Nuk kam vënë re nervozizëm. Ju kërkoj gjithmonë që të zbaviten në mënyrë të përgjegjshme. Kur ishim fëmijë lumturoheshim kur pasonim topin dhe një shpirt i tillë nuk duhet të humbasë kurrë. Futbolli është i bukur kur e luan me entuziazëm.” /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!