Data 7 shkurt e vitit 2014 është hera e fundit kur te Tirana kanë festuar fitoren në derbi. Një gol spektakolar i brazilianit Gilberto mjaftoi për të thyer Partizanin, që sapo ishte kthyer në Superiore. Tifozët e kuq nuk e pritën mirë atë disfatë, ndërkohë që ish-kapiteni Ertan Demiri u garantoi se në atë përballje nuk kishte pasur tolerim.
Nga atëherë te Tirana nuk kanë festuar dot, ndërkohë që prej atij Partizani ka mbetur vetëm një lojtar dhe ai është kapiteni Alban Hoxha. Portieri, tifozët dhe drejtuesit, janë dëshmitarët e vetëm të asaj disfate, që është pasuar me rezultate pozitive në vazhdim.
Te Tirana të “mbijetuarit” janë më shumë. Ilion Lika është sërish pjesë e bardhebluve, ashtu sikurse edhe kapiteni Erando Karabeci. Gentian Muça është futbollisti tjetër që ka festuar pas atij derbi në “Qemal Stafa”. Të tre këta futbollistë priten titullarë edhe nesër, kurse Dorian Kërçiku me shumë mundësi e nis nga stoli.
Renaldo Kalari është ai që ka ndryshuar krah. Asokohe ishte në fushë dhe festonte me Tiranën, kurse tani është ndihmës i trajnerit Franko Lerda. Gjatë këtyre viteve ka festuar derbi të shumtë, por si “dem i kuq” në fushën e blertë. /abcnews.al


