Gjatë rrëfimit në emisionin “Pas Mesnate”, Gëzim Bulçari, spala e parë e orkestrës së Teatrit të Operës dhe Baletit, është ndalur dhe te puna në opera.
Ai është bërë nostalgjik dhe ka treguar se dita e parë e tij në gropën e orkestrës ka qene shumë e vështirë, pasi i ranë disa partitura dhe nuk po dinte se si të vijonte.
Pavarësisht të gjithash, Gëzimi e konsideron veten me shumë fat, që iu dha mundësia për të punuar në opera, pasi është diçka që çdo artist e ëndërron.
“Në opera është puna më e vështirë, por dhe më e bukur, kam pasur fat nga kjo anë. Tani që bëj diferencën, puna në opera është fantastike, nuk e ndërroja për asgjë. Të them të drejtën, kur kam hyrë në ditën e parë në gropë, më kanë ikur disa faqe të partiturës dhe nuk e dija se çfarë ishte lart, balet apo opera, nuk po e kuptoja se ça ishte. Kishte 20 minuta që ne luanim dhe unë nuk e dija se ça ishte lart. Ishte dita e parë dhe më ra direkt të futesha në gropë, pa prova. Ishte e vështirë, por që me kalimin e kohës gjithçka ndryshoi. Me të thënë të drejtën, unë kam pasur fat dhe më është dhënë mundësia, sepse ka shumë njerëz që duan muzikën, por nuk kanë pasur mundësi”, u shpreh ndër të tjera violinisti./abcnews.al