Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë, Arsim Gërxhaliu, paralajmëroi se së shpejti do të nisin gërmimet te miniera e Shtavalit në Serbi, ku dyshohet se ka trupa të personave të zhdukur nga lufta në Kosovë.
Gërxhaliu foli të shtunën në një konferencë për media në Prishtinë, së bashku me përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Persona të zhdukur.
“Në Serbi [gjatë vitit 2020] kemi kontrolluar tri lokacione, në mesin e të cilave është Kizhevaku si lokacioni i pestë i gjetjes së mbetjeve mortore. Kemi qenë edhe në Kozarevë të Novi Pazarit… si dhe kemi bërë kontrollin e Shtavalit, gjithashtu një minierë, ku dyshohet se ka një varrezë, të cilës do t’i qasemi pas Kizhevakut”, tha Gërxhaliu, duke raportuar për punën e bërë gjatë këtij viti.
Varreza masive në Kizhevak është e pesta me viktima shqiptare që është zbuluar në territorin e Serbisë.
Deri më tash, nga Kizhevaku janë nxjerrë mbetjet mortore të 4-5 personave. Gërxhaliu tha se kërkimet atje do të vazhdojnë vitin e ardhshëm, pasi të përmirësohen kushtet e motit.
Ai po ashtu tha se gjatë vitit 2020, në Kosovë janë kontrolluar nëntë lokacione, ku janë gjetur 11 trupa të personave të zhdukur.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Ramë Manaj, tha se pandemia e koronavirusit e ka stagnuar punën e këtij komisioni.
Ai tha se ka pritur nga Bashkimi Evropian që ta rrisë presionin ndaj Serbisë, për të dhënë informacione për të zhdukurit.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, rreth 6,500 persona kanë qenë të zhdukur.
Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.
Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë./REL