Gërryente shtratin e lumit Mat për të përfituar interte, shpallet në kërkim administratori i biznesit në Kurbin

schedule13:12 - 1 Shkurt, 2024

schedule 13:12 - 1 Shkurt, 2024

Administratori i një biznesi në Kurbin është shpallur në kërkim nga policia, pasi i janë sekuestruar 6 mjete të rënda. Mësohet se 48-vjeçari gërryente me mjetet e tij shtratin e lumit Mat, për të përfituar inerte ilegalisht.

Ndërkohë, Policia e Shtetit apelon për të gjitha subjektet, që veprimtarinë e marrjes së inerteve, në shtretërit e lumenjve, ta kryejnë sipas kushteve dhe kufijve të përcaktuar në dispozitat ligjore dhe në lejet përkatëse. Në çdo rast të konstatimit të shkeljes së këtyre akteve, do t’iu sekuestrohen mjetet dhe do t’iu ndalohet vijimi i kësaj veprimtarie.

Njoftimi i Policisë:

Vijojnë kontrollet gjatë ditës dhe natës, për të parandaluar, konstatuar dhe goditur rastet e gërryerjes së shtratit të lumit Mat, për të përfituar interte, në kundërshtim me ligjin.

Finalizohet operacioni i koduar “River Cries 2”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Lezhë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të IKMT-së.

Sekuestrohen 6 mjete të rënda (5 kamionë dhe 1 ekskavator) që i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Punohet për kapjen e një 48-vjeçari që u identifikua nga Policia, si administrator i biznesit për llogari të të cilit punonin mjetet e rënda.

Si rezultat i kontrolleve dhe patrullimeve 24/7, të mbështetura të puna e inteligjencës policore dhe që kryhen në të gjithë territorin e rrethit, me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Lezhë, në bashkëpunim me ata të Drejtorisë së Përgjithshme të IKMT-së, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “River Cries 2”.

Gjatë natës, në afërsi të lumit Mat, u gjetën 5 kamionë dhe 1 ekskavator, me të cilat gërryhej shtrati i këtij lumi dhe transportoheshin inertet e përfituara ilegalisht.

Në vijim të veprimeve procedurale u identifikua dhe u shpall në kërkim administratori i subjektit për llogari të të cilit punonin mjetet e rënda, shtetasi 48 vjeç, banues në Laç. Vijon puna për kapjen e tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!