Gërryen shtratin e lumit Mat, arrestohet pronari i ekskavatorit, nën hetim shoferët e kamionëve

schedule08:41 - 23 Korrik, 2021

schedule 08:41 - 23 Korrik, 2021

Pronari i një ekskavatori është arrestua nga Policia në Mat pasi akuzohet se kishte gërryer shtratin e lumit Mat. Gjithashtu janë procedura penalisht edhe drejtuesit e dy kamionëve që transportonin inertet.

Në pranga është vënë Artur Lika, 40 vjeç, banues në Milot, Kurbin, pasi u konstatua duke gërryer me ekskavator shtratin e lumit.

Nën hetim janë vënë Shyqyri Shuaipi, 39 vjeç dhe Dashamir Zenelaj, banues në Tiranë, drejtuesit e mjeteve kamion që shërbenin për transportimin e inerteve, si dhe inspektori Aleksandër Uku.

“Vijojnë kontrollet intensive nga shërbimet e Policisë në DVP Lezhë dhe të Komisariateve në varësi, për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore. Gërryenin shtratin e lumit në mënyrë të paligjshme, arrestohet në flagrancë pronari i ekskavatorit, procedohen penalisht 2 drejtuesit e kamionëve që transportonin inertet.

Gjithashtu, procedohet penalisht inspektori për Ujërat në Drejtorinë Rajonale të Mjedisit Lezhë, për shpërdorim detyre.  Bllokohen mjetet e rënda ekskavatorë që shërbenin për të gërryer shtratin e lumit Mat, 2 kamionë me inerte dhe një automjet.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e DVP Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kurbin, bazuar edhe në informacionet e marra për disa persona që gërryenin shtratin e lumit Mat, duke marrë zhavorr dhe inerte në mënyrë të paligjshme, kanë ushtruar kontrolle përgjatë shtratit të lumit.

Gjatë kontrollit u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi A. L., 40 vjeç, banues në Milot, Kurbin, pasi u konstatua duke gërryer me ekskavator shtratin e lumit.

Gjithashtu u kapën dhe u proceduan penalisht shtetasit Sh. Sh., 39 vjeç dhe D. Z., banues në Tiranë, drejtuesit e mjeteve kamion që shërbenin për transportimin e inerteve pa dokumentacionin përkatës, të cilët u sekuestruan nga shërbimet e Policisë.

Po në vijim të veprimeve u procedua penalisht edhe shtetasi A. U., 54 vjeç, banues në Lezhë, më detyrë inspektor për Ujërat në Drejtorinë Rajonale të Mjedisit Lezhë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi nuk ka ushtruar kontrollin konform ligjit për inspektimin, monitorimin dhe kontrollin e subjekteve në shtratin e lumit Mat.

Strukturat vendore të Policisë Lezhë janë të angazhuara maksimalisht për evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore. Kontrollet do të vijojnë për evidentimin dhe penalizmin e çdo subjekti që tenton të marrë inerte pa leje në shtratin e lumit Mat apo që kryen krime mjedisore, si ndërtime pa leje, prerje të paligjshme të pyjeve, ndotje të ambientit dhe lumenjve apo zjarrvënie të qëllimshme në pyje dhe kullota”, njofton policia./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!