Gega: Kampionati të fillojë aty ku u ndalua, kam një sugjerim për klubet shqiptare

schedule20:18 - 30 Mars, 2020

schedule 20:18 - 30 Mars, 2020

Ish-trajneri i Partizanit, Skënder Gega, ka nisur një aventurë të re si trajner në Jordani. Megjithatë, vetëm pak orë qëndroi me skuadrën, pasi Koronavirus u përhap dhe të gjithë u futën në izolim. Gega udhëtoi drejt Amerikës, aty ku ndodhet momentalisht. Në një lidhje direkte me emisionin Studio Sprint në ABC News, Gega tha: “Pas disa ditësh në Tiranë, u largova për në Jordani. E çuditshme është se gjatë gjithë rrugës, njerëzit ishin në radhë me maska. Kur zbrita në Oman, ishte jetesa normale, në të gjithë Jordaninë. Brenda 24 orëve, ndryshoi gjithçka, u bllokua gjithçka. Po rritet numri i njerëzve të prekur edhe në Jordani.

Unë mendoj se ne shqiptarë jemi njerëz që e duam jetën, por në fakt duhet të respektojmë ligjet dhe situatat që krijohen, asnjë gjë nuk është shkruar që në fillim. Gjërat vijnë dhe dalin gjatë rrugës. Mesazhi im është që çdo njeri të ruajë veten, kështu ruan dhe njerëzit që e rrethojnë. Vetëm kështu mund të kalojmë këtë situatë.

Kam lexuar edhe variantet që UEFA dhe FIFA kanë publikuar. Unë do të dëshiroja që të fillojë gara aty ku ka ngelur. Në Jordani, ka filluar vetëm java e parë, nuk prish asnjë balancë. Për sa i përket Shqipërisë, ishte në kulmin e kampionatit. Tirana po bënte shumë mirë dhe u shkëput në krye. Unë personalisht mendoj se është e padrejtë, sepse ekipet nuk i kanë mbaruar projektet e tyre. Jam i mendimit që gara të vazhdojë dhe gjithsecili të marrë atë që ka dhënë gjatë vitit.

Edhe me ekipin tim jemi munduar të flasim. U izoluan të gjithë. Por kemi 2-3 persona, plus dhe kapitenin e ekipit, që menaxhojnë këtë situatë. Në Shqipëri, shtëpitë janë shumë të vogla dhe është shumë e vështirë të stërvitesh në shtëpi. Mund të bësh ushtrime, por nëse nuk bën vrap me kilometra, është e vështirë. Unë do të sugjeroja nëse më lejohet: Në Amerikë, përdoren palestrat, është një industri e madhe. Në këto momente, çdo njeri po e shfrytëzon shtëpinë me veglat që kanë: pista lëvizje, ku mund të bëhen shumë kilometra. Nëse klubet mund të lidhen me palestrat në Shqipëri, të marrin pistat e vrapimit për lojtarët e tyre./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!