Gazprom: Nuk ka garanci që Evropa do t’i mbijetojë këtij dimri

schedule21:46 - 12 Tetor, 2022

schedule 21:46 - 12 Tetor, 2022

Kreu i gjigantit shtetëror rus të energjisë Gazprom ka paralajmëruar vendet evropiane për pasojat që mund t’u vinë nga “injorimi” i energjisë ruse. Nuk ka “asnjë garanci” se Evropa do ta mbijetojë këtë sezon dimëror, bazuar në rezervat e saj aktuale të gazit, tha të mërkurën CEO i Gazprom, Alexei Miller.

Duke folur në konferencën e Javës së Energjisë së Rusisë në Moskë, Miller pohoi se gazi në magazinat nëntokësore të Gjermanisë do të mjaftojë vetëm për dy deri në dy muaj e gjysmë.

Nivelet evropiane të depozitimit të gazit janë rreth “90% plot dhe ne jemi në krye të “klasës” në këtë aspekt,” tha të mërkurën Ministri çek për Industrinë dhe Tregtinë Jozef Síkela, pas një takimi të ministrave të energjisë të Bashkimit Evropian në Pragë.

Kujtojmë se kriza energjetike e Evropës po thellohet ndërsa Rusia kufizon më tej eksportet e gazit natyror, duke i detyruar qeveritë të shpenzojnë miliarda për të mbrojtur bizneset dhe konsumatorët nga rritja e faturave ndërsa rajoni rrëshqet drejt recesionit. /abcnews.al/