Gazment Bardhi: Për çfarë na duhet SPAK kur nuk heton grupin “Bajri”?!

schedule12:45 - 7 Shkurt, 2020

schedule 12:45 - 7 Shkurt, 2020

Gjykata e Posaçme vendosi sot që dosja “Bajri” të transferohet në Shkodër, pasi u rrëzua akuza kryesore ndaj tyre për “grup të strukturuar kriminal”.

Për këtë zhvillim ka reaguar numri II i PD-së, Gazment Bardhi. Ai thotë se kjo është një tjetër provë se SPAK-u po dështon.

Gazment Bardhi:Lufta ndaj krimit të organizuar është prioritet madhor kombëtar për integrimin europian. Ajo nuk bëhet as me propagandë dhe as me regji të orkestruar nga nevoja e Edi Ramës për të mbuluar dështimin. Lufta ndaj krimit të organizuar kërkon vullnet politik dhe institucione të përgjegjshme. SPAK u krijua me fokus të veçantë luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, por rastet konkrete, po e faktojnë si një shtojcë të Qeverisë në mbrojtjen e zyrtarëve të korruptuar dhe bandave kriminale.

Pas refuzimit për të hetuar dosjen e zgjedhjeve në Dibër, refuzimi për të çuar para drejtësisë organizatën mafioze me lidhje shtetërore të Bajrave në Shkodër, është një tjetër provë e dështimit të SPAK.

Çdo qytetar shkodran, por edhe partnerët ndërkombëtarë, e dinë se Bajrat janë një organizatë mafioze, përgjegjëse për disa krime të rënda të kryera brenda dhe jashtë vendit.

Nëse SPAK nuk heton Bajrat dhe organizatat të tilla kriminale, nuk heton vjedhjen e votave, nuk heton korrupsionin në rritje të Qeverisë, atëherë ekzistenca e këtij institucioni bëhet e panevojshme!”

Pasi u rrëzua akuza kryesore për “grup kriminal”, Abc News mëson se tashmë të arrestuarit Safet Bajri, Ilir Bajri, Behar Bajri, Astmer Bilali, Ismet Idrizi, Emrah Plaku dhe Enver Bajri do te hetohen vetëm për armembajtje pa leje, trukim të ndeshjeve  dhe ndërtim të paligjshem. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!