Të gjithë tifozët e Milanit po presin rikthimin e skuadrës së tyre të zemrës kompetitive si dikur. Edhe pse këtë vit kuqezinjtë u kualifikuan për në Europa League, Uefa e përjashtoi klubin nga Milano për shkak të rregullave të Fair Play Financiar. Drejtori i përgjithshëm i Milanit, Ivan Gazidis, në një intervistë të fundit shprehet se duhet durim për ta rikthyer “Djallin” aty ku e ka vendin.
“Ne tani kemi vetëm një synim. Të kemi një Milan të denjë për të garuar në nivelet më të larta të futbollit italian dhe europian, i cili të luajë në një nga stadiumet më moderne në botë dhe të futet në fushë vetëm për fitore. Të gjithë e dimë historinë që ky klub ka, por në vitet e fundit gjërat janë vështirësuar disi.”, deklaron Gazidis për “La Gazzetta dello Sport”.
“Ka pasur humbje të mëdha, si në rezultatet në fushe dhe në arkat e klubit. Që kur Elliott e mori drejtimin, ne jemi një nga kompanitë që investojmë më shumë në botë. Duhet të jemi të kujdesshëm nga FFP, sidomos në ditët e sotme. Nuk duam që të vuajmë një tjetër përjashtim nga Europa. Asnjë ëndërr nuk është e pamundur, por të gjitha ëndrrat kërkojnë angazhim, përpjekje dhe durim”, mbyll CEO i Milanit. /abcnews.al