NGA LINDA KARADAKU
Më 3 tetor, një zhvillim shumë i rëndësishëm, nxori në pah një përpjekje të qartë rajonale amerikane për të mbështetur zhvillimin e sektorit energjitik në rajon, me synim, diversifikimin e burimeve të energjisë. Kryeministri Edi Rama nënshkroi në Tiranë një memorandum bashkëpunimi ekonomik me Nënsekretarin e SHBA për Zhvillimin Ekonomik, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach dhe tha se bëhej fjalë për një marrëveshje bashkëpunimi ekonomik mes SHBA dhe Shqipërisë.
“Memorandumi që nënshkruam sot për bashkëpunimin ekonomik faktikisht do të ndikojë ndjeshëm në hapjen e një kapitulli të ri për investimet e drejtpërdrejta jo vetëm amerikane, por edhe të huaja në Shqipëri. Do të rrisë eksportet shqiptare dhe do të fusë në rrugën përfundimtare të realizimit ndërtimin e HEC-it të Skavicës. Gjë që e kthen Shqipërinë nga një vend i pasur nga burimet energjetike, por i varur nga moti, në një vend sovran në aspektin e prodhimit të energjisë” tha Rama.
Paralel me Tiranën, një ditë më parë, ndihmës-sekretari i Shtetit për Energjetikë dhe Resurse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francis R. Fanon, kishte folur po për tregun e energjisë me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, duke paralajmëruar lidhjen energjetike midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut për furnizimin e vendit me gaz natyror. Amerikanët kërkojnë krijimin e një tregu të qëndrueshëm energjitik midis vendeve të rajonit dhe do ta mbështesin Maqedoninë e Veriut që të shndërrohet në një aktor rajonal në fushën e energjetikës.
“Shohim evoluimin e një zhvillimi të ri energjetik. Greqia, si shtet, paraqet një lloj lideri për sa i përket infrastrukturës për marrjen e këtyre burimeve, por ne shpresojmë t’i lidhim vendet më të vogla me një treg më të madh që do të mundësojë përparimin transformues ekonomik të vendit dhe të të gjithë rajonit” tha ai.
Harta energjitike përfshin interkonektorin që lidh Greqinë dhe Bullgarinë, dhe që do të jetë përcjellës I gazit përmes Bullgarisë e më pas përmes Maqedonisë së Veriut. Maqedonia e Veriut do të përfshihet në ndërtimin e terminalit të gazit natyror të lëngshëm, pranë qytetit grek Aleksandropulos. Kryeministri maqedonas Zoran Zaev e ka përparësi energjitikën dhe premton masa konkrete për lidhje me burime energjetike edhe jashtë kufijve të shtetit, për të shërbyer edhe si hab për shpërndarjen e gazit edhe në vendet e tjera të rajonit.
“Me mbështetjen e SHBA-së, si partneri ynë strategjik dhe aleat në NATO, Maqedonia e Veriut në periudhën e ardhshme do të iniciojë disa projekte që do të jenë të rëndësishme për vendin dhe rajonin. Bëhet fjalë për përfshirjen e vendit në ndërtimin e terminalit të gazit natyror të lëngshëm pranë Aleksandropulos, një projekt që krijon mundësi për furnizim të përhershëm dhe të qëndrueshëm të gazit në vendin tonë, i cili do të bëhet një pikë nga ku do të shpërndahet gazi në rajon dhe vendet që do të tregojnë interes” tha Zaev.
Rreth 55 milionë euro është kostoja për ta lidhur Maqedoninë e Veriut me gazsjellësin në Aleksandropulos, nga të cilat 13 milionë euro të pakthyeshme për këtë projekt janë siguruar nga fondet evropiane. Serbia është gjithashtu e interesuar për gazin, këtë herë për gazin e lëngët. E përditshmja serbe Danas raportonte gjerësisht për atë që e quan pika 8! “Megjithëse më e shkurtër, pika 8 e marrëveshjes së Uashingtonit- normalizimi ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës, mund të jetë më shpërthyesja. Sepse gazi po rrjedh prej tij. Gaz natyror i lëngshëm, LNG.”
“Të dy palët do të diversifikojnë furnizimin e tyre me energji”, thuhet në pikën që tashmë ka tërhequr vëmendjen e publikut bashkë me ndërtimin e autostradës dhe hekurudhës nga Beogradi në Prishtinë dhe në portin shqiptar në Detin Adriatik. “Është porti i Durrësit, i cili me këtë Marrëveshje fitoi statusin e një pike qendrore të marrëdhënieve ekonomike në Evropën Jugore.”
Sa i përket diversifikimit të burimeve të furnizimit, Marrëveshja e Uashingtonit do të thotë fundi i monopolit të Rusisë në tregun e gazit serb dhe hapja e derës për këtë burim energjie nga vendet e tjera, përfshirë gazin natyror të lëngshëm, LNG, nga Shtetet e Bashkuara. Duke interpretuar marrëveshjen e Uashingtonit, kryeministrja serbe Ana Brnabiç shpjegoi se gazi I lëngshëm amerikan mund të transferohet në një nga portet greke ose në ishullin Krk të Kroacisë. Ky port grek është Alexandroupolis, ku kompania Gastrade ndërtoi një terminal lundrues të gazit të lëngshëm dhe njoftoi pranverën e kaluar kapacitetin e rezervuar prej 2.6 miliardë metra kub gaz për 15 vitet e ardhshme ndërkohë që kapaciteti i plotë është 5.5 miliardë. Ideja e Greqisë ishte që sistemi i saj kombëtar i shpërndarjes të furnizonte tregjet me gaz të lëngshëm në Greqi dhe në Evropën Juglindore dhe që kompanitë shtetërore të gazit, DEPA në Greqi, Bulgartransgas në Bullgari dhe Srbijagas në Serbi, të zotëronin 20 përqind të aksioneve të terminalit secila, me pjesën tjetër të financuar nga ndërmarrjet private.
Me vendim të Qeverisë në Sofje, ndërmarrja Bulgartransgas u bë pronari i një të pestës së këtij terminali në fillim të këtij viti. Bullgaria harxhon rreth 3.5 miliardë metra kub gaz në vit dhe në Aleksandropolis ka rezervuar 500 milion metra kub gaz në vit dhjetë vjet më parë. “Vitin e ardhshëm ne do të jemi të pavarur nga gazi. Ky është diversifikim i vërtetë” tha Bojko Borisov.
Në Beograd, autoritetet serbe pretenduan se nuk morën ndonjë ofertë zyrtare nga Athina për të marrë pjesë në atë projekt, por ministri serb i energjisë Aleksandar Antiç, deklaroi në fund të vitit të kaluar se “Të gjithë tubacionet e gazit dhe terminalet e gazit të lëngshëm në rajon, dhe veçanërisht terminali në Alexandroupolis, do të mundësojnë burime shtesë të furnizimit me gaz”.
Terminali i gazit të lëngshëm në Krk, i cili do të funksionojë që në 1 Janar 2021, u përmend gjithashtu si një vend tjetër i mundshëm i furnizimit. Kapaciteti i terminalit është 2.6 miliardë metra kub në vit dhe kompania “LNG Croatia” njoftoi se i gjithë kapaciteti është dhënë me qira për tre vitet e ardhshme. Aplikimi i fundit erdhi nga Poëerglobe Qatar LLC, i cili dha me qira një pjesë të kapacitetit deri në sezonin 2034-2035.
Shfrytëzimi i plotë i kapacitetit në Krk, mbushja solide e rezervuarit në Alexandroupolis dhe parashikimet e analistëve të pavarur mbi rritjen e interesit në dhënien me qira të terminaleve LNG hapin derën për investitorët për të ndërtuar një terminal të ri LNG pak në jug të Krk, me idenë e kompletimit të të ashtuquajturës ofertë gazi LNG Adriatik.
Kjo është ajo ku Marrëveshja e Uashingtonit mund të hyjë në lojë dhe megjithëse nuk përmendet qartë në Marrëveshje, portit të Durrësit i është dhënë një rol kryesor. Modernizimi i këtij porti, si pika përfundimtare e Korridorit 8 pan-Evropian, filloi disa vjet më parë me mbështetjen financiare të BERZH-it, EIB-së dhe BE-së.
Qeveria e Shqipërisë vendosi të zhvendoste vazhdimin e zgjerimit të portit të Durrësit në Porto Romano, rreth 6.5 kilometra larg, për arsye mjedisore dhe sigurie. Kompania aksionare Romano Port Sh.a mori një koncesion 30-vjeçar për të ndërtuar një port dhe park energjetik për naftën dhe një terminal për gazin e lëngshëm që ka përfunduar në vitin 2009. Kohët e fundit kanë filluar përgatitjet për zgjerimin e portit të Porto Romanos në mënyrë që të mund të strehojë të gjitha llojet e anijeve që hyjnë në Mesdhe.
Durrësi, si një destinacion investimi dhe një ndërfaqe jetike infrastrukturore e rajonit, u përmend përsëri pas iniciativës së dalë nga procesi i Berlinit për ndërtimin e autostradës Beograd – Nish – Prishtinë – Tiranë – Durrës.
Marrëveshja e Uashingtonit synon Durrësin/Porto Romanon për një terminal të ri ku gazi I lëngshëm amerikan do të shkarkohet dhe rigjenifikohet dhe prej andej do të transportohet në tregjet e Shqipërisë, Greqisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës përmes tubacionit të ardhshëm të gazit, por edhe përmes hekurudhës.
Përveç lidhjes së gazit me Greqinë dhe Malin e Zi, është planifikuar një tubacion gazi Shqipëri-Kosovë me gjatësi 260 kilometra, ndërtimi i të cilit do të kushtojë rreth 210 milion euro. Mendohet se do të transportojë gazin që vjen përmes Gazsjellësit Trans-Anadolian (TANAP) dhe Trans-Adriatik (TAP), por ka gjithashtu kapacitetin për të marrë gazin e lëngshëm nga Porto Romano. Megjithëse është konceptuar si një tubacion gazi Shqipëri-Kosovë, ALKOGAP parashikohet të trefishojë kapacitetin e tij nëse zgjatet deri në Nish dhe përdoret për të furnizuar vendet e tjera në rajon.
Marrëveshja nga Uashingtoni specifikon se Korporata Financiare Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (DFC) do të jetë një shërbim financiar për atë paketë infrastrukture, por edhe për projekte shtesë dypalëshe, sic janë terminali dhe tubacioni i gazit. Dhe Exim Bank do të kreditojë blerjen e gazit të lëngshëm më të lirë amerikan, për tu mbyllur gojën atyre që në Serbi pretendojnë se gazi rus është më i lirë.
Por gazi i lëngshëm amerikan nuk është i rëndësishëm vetëm për këto vende. Çmimi i ulët ishte, për shembull, arsyeja pse Turqia importoi gaz të lëngshëm nga SHBA dy herë e gjysmë më shumë në prill të këtij viti sesa në të njëjtin muaj të një viti më parë. Turqia plotëson një të tretën e nevojave të saj për gaz duke blerë gaz natyror të lëngshëm. Përveç konsumit të brendshëm, Turqia pret që së shpejti të bëhet një qendër rajonale për shpërndarjen dhe shitjen e këtij burimi energjie në tregjet e Evropës Jugore. Kompania e ndërtimit Enka po përgatit ndërtimin e një terminali të ri të gazit të lëngshëm në Izmir.
BE po rrit gjithashtu furnizimin me gazin e lëngshëm amerikan dhe importet e saj u rritën pesë herë vitin e kaluar. Për shkak të kërkesës në rritje, operatori polak i infrastrukturës së gazit Gaz-System filloi zgjerimin e terminalit LNG në portin e Svinoujsce tre muaj më parë, i cili do të kushtojë 483 milion dollarë. Kapaciteti i terminalit do të rritet nga pesë në 8,3 miliardë metra kub në 2023.
Por edhe më larg se kaq. Në Lituani, në vitin 2014, pas ndërtimit të terminalit të gazit të lëngshëm dhe mbushjes së tij me gaz natyror të lëngshëm amerikan, shteti arriti të negociojë me kompaninë ruse Gazprom për blerjen e gazit me një çmim 20% më të ulët krahasuar me blerjet e mëparshme. Megjithatë, përvojat e Polonisë, Greqisë, Lituanisë, Turqisë, Bullgarisë dhe Kroacisë tregojnë se projekte të tilla strategjike të infrastrukturës bëhen me plane afatgjata dhe sigurisht nuk janë të lehta.
Përshembull, pas më shumë se një dekade nga shpallja e pavarësisë, Kosova arriti zyrtarisht më 29 shtator daljen zyrtare nga ish-blloku jugosllav I energjisë, në të cilin bëjnë pjesë Serbia, Mali I Zi dhe Maqedonia e Veriut, dhe iu bashkangjit bllokut energjitik me Shqipërinë. U desh miratimi I Grupit Rajonal të Evropës Kontinentale, që marrëveshja midis Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) dhe Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), të hynte në fuqi.
“Nga e drejta jonë dhe mbështetja e miqve u bë i mundur pavarësimi energjetik” tha Hoti. Kjo marrëveshja energjitike i hap rrugë Kosovës për t’u integruar në tregun rajonal të energjisë dhe për të vënë në funksion linjën energjetike të interkoneksionit Kosovë – Shqipëri, prej 400 kilovatësh dhe me një shtrirje prej 241.1 kilometrash, e cila është inaguruar në qershor të vitit 2016. RAMA: “Është një projekt strategjik për zhvillimin e dy vendeve. Sot hapim një kapitull të ri drejt integrimit të dy vendeve. Projekti duhej të përfundonte që në vitin 2011”.
Linja e tensionit të lartë 400 kV Kosovë-Shqipëri me një gjatësi totale prej 241.1 km, do të financohej nga qeveria gjermane në të dyja vendet, përmes bankës KfW. Për pjesën e Kosovës, me një hua dhe kontribut financiar në vlerën e përgjithshme prej 33.5 milion Euro, nga e cila €16.5 milion grant + €17 milion kredi. Qeveria Gjermane nëpërmjet KfË gjithashtu do të financonte edhe pjesën e linjës në anën e Shqipërisë. Shteti serb kishte shfrytëzuar që nga viti 2008 deri më 2019, rrjetin e transmisionit të Kosovës duke mbledhur rreth 65 milionë euro. Përfitimi nga futja në bllokun Kosovë – Shqipëri, pritet të jenë rreth 4 milionë euro në vit, nga të cilat 1.4 milionë euro për Shqipërinë dhe 2.6 milionë euro për Kosovën. Kosova bazuar në kapacitete linjiti dhe Shqipëria me kapacitete gjeneruese hidro janë komplementare me njëra-tjetrën në një treg të madh në zhvillim. Por vlera strategjike e kësaj linje shkon përtej dy vendeve, duke rritur kapacitetet e transmetimit midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe rajonit; duke rritur sigurinë dhe besueshmërinë e sistemeve energjitike të dy vendeve dhe duke optimalizuar dy sistemet për shfrytëzimin e burimeve të energjisë./ db/Abcnews.al