COVID i mori jetën, ministra e deputetë mesazhe për gazetarin: Jetoi një ëndërr, ishte frymëzim

schedule16:46 - 15 Mars, 2021

schedule 16:46 - 15 Mars, 2021

Sot ndërroi jetë gazetari Arben Kosturi, njëherazi edhe kryetar i shoqatës së romëve në Korçë. Ai nuk arriti që të fitonte betejën me sëmundjen duke u shuar në një nga spitalet COVID në Tiranë. Mesazhet ngjushëlluese për familjen kanë qenë të shumta. Ministri Niko Peleshi shkruan se Kosturi do i mungojë shoqërisë civile dhe Korçës.

Lamtumirë Arben Kosturi!  Jetove një jetë kuptimplotë me një ëndërr dhe një mision. Le pas një familje të mirë dhe një kontribut të vyer për gjuhën, kulturën dhe traditat e komunitetit rom. Do t’i mungosh shoqërisë civile dhe qytetit tonë”.

Një postim prekës ka bërë edhe deputetja Vasilika Hysi, që thotë se Kosturi ishte një mik i mirë që punoi pa u lodhur për të mbrojtur të drejtat e njeriut, të romëve dhe egjyptianëve në veçanti.

Pandemia nuk kursen së rrëmbyeri këto ditë miq dhe shokë të mirë… Pas dr. Geri Husit, prof. Vjollca Karapicit, sot ndahet një tjetër mik, një njeri teje i dobishëm për shoqërinë, një mbrojtës i të drejtave tē njeriut dhe i minoriteteve në veçanti, Arben Kosturi.

Arbeni, miku me të cilin kam punuar për mëse 20 vjet, ka kontribuar pa u lodhur për të  promovuar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut, të romëve dhe egjyptianëve në veçanti. Betejat për njohjen e minoritetit Rom, për parandalimin e veçimit dhe formave të tjera të diskriminimit të Romëve, integrimi dhe rritja e angazhimit të komunitetit në vendimmarrje, emisionet në gjuhën Rome, promovimi i traditave dhe kulturës Rome, beteja për të parandaluar martesat e hershme të vajzave Rome janë disa nga betejat e Arbenit dhe miqve të tij.

Arbeni ka qenë dhe do të mbetet frymëzim për shumë të rinj dhe të reja të minoritetit Rom dhe Egjyptianë që sot janë veprimtarë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve në veçanti.

Prehu në paqe o mik i mirë, që nuk lodheshe duke adresuar problemet e komunitetit dhe ishe aq pozitiv dhe bashkëpunues në betejat për zgjidhjet e tyre. Përpjekjet e tua për integrimin më të mirë të minoritetit Rom do të vijojnë nga të gjithë ata që ke frymëzuar dhe jo vetëm” mbyllet postimi i Hysit./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!