Gazetari i njohur pakistanez qëllohet për vdekje nga policia në Kenia

schedule08:12 - 25 Tetor, 2022

schedule 08:12 - 25 Tetor, 2022

Një hetim ka nisur në Kenia pasi gazetari i njohur pakistanez Arshad Sharif u qëllua për vdekje nga policia në një postbllok të dielën.

Ai mbeti i plagosur rëndë teksa ishte pasagjer në një automjet në lëvizje, sipas një deklarate të policisë.

Sharif nuk mundi t’i mbijetonte plagëve.

Sharif ishte një kritik i ushtrisë pakistaneze, si dhe një mbështetës i zëshëm i kryeministrit të rrëzuar Imran Khan.

49-vjeçari ishte larguar nga Pakistani në gusht pasi u ankua për ngacmim.

Ai kishte qenë më parë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Dubai përpara se të udhëtonte për në Kenia. Nuk dihet saktësisht se çfarë po bënte në vendin e Afrikës Lindore.

Gazetarët në qytetin pakistanez të Karaçit mbajtën një protestë në rrugë për vrasjen e tij të hënën.

Mbikëqyrësi i policisë së Kenias, Autoriteti i Pavarur i Mbikëqyrjes së Policisë (Ipoa), tha se kishte dërguar ekipin e tij të reagimit të shpejtë në vendin e të shtënave në qarkun Kajiado pranë kryeqytetit, Nairobi.

Ekipi do të hetojë “vrasjen e dyshuar policore të një shtetasi pakistanez”, u tha gazetarëve kryetarja e Ipoa, Ann Makori.

Një deklaratë e policisë tha se shpreh keqardhje për “incidentin e pafat”.

Oficerët kishin vendosur bllokimin e rrugës teksa po kërkonin një makinë të vjedhur.

“Mjeti i të ndjerit kaloi afër postbllokut të policisë. Pikërisht atëherë ata qëlluan kundër tyre,” shton deklarata.

Kryeministri i Pakistanit Shehbaz Sharif shkroi në Twitter se ishte “thellësisht i pikëlluar nga lajmi tronditës i vdekjes tragjike të gazetarit Arshad Sharif”.

Në një mesazh të shkurtër në Twitter, gruaja e Sharifit, Javeria Siddique tha se ajo kishte humbur një “mik, bashkëshort dhe gazetarin e saj të preferuar”.

Duke bërë thirrje për një “hetim të duhur gjyqësor”, ish-kryeministri Khan tha se ishte “i tronditur” nga ajo që ai e përshkroi si “vrasje”, duke shtuar se ai “pagoi çmimin përfundimtar për të thënë të vërtetën”.

Khan u hoq nga pushteti në prill pasi humbi një votë mosbesimi. Sharif, i cili kishte mbështetur zotin Khan, më pas filloi të ankohej se Agjencia Federale e Hetimit të vendit po e ngacmonte atë dhe ai u largua nga vendi.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!