Gazetari dhe biri i Mbretit!

schedule10:21 - 6 Maj, 2022

schedule 10:21 - 6 Maj, 2022

Ka ardhur koha të mos tentojmë më të fshihemi pas gishtit. Duhet ta pranojmë njëherë e përgjithmorë; gazetaria e lirë nuk ekziston! Kumti është dramatik, por të vërtetën është më mirë ta shohim në sy!

Sipas përkufizimit, “free press”, shtypi (gazetaria) e lirë është e drejta e gazetave, revistave, televizioneve dhe portaleve, pra e medias në përgjithësi, për të raportuar lajmet pa u kontrolluar nga qeveria! A i kontrollon qeveria mediat në Shqipëri? Mbase jo drejtpërdrejt, por indirekt po. Sepse përndryshe, media nuk do të ekzistonte!

Nëse furnizojmë ekuacionin me të njohura, do të thonim që kjo media e cila nuk mund të kontrollohet nga qeveria për të qenë e lirë, diku do “të hajë”, pra tek privati, i cili pothuajse në të gjitha rastet është një biznes i përmasave shumë të mëdha. Si është bërë kaq i madh ky biznes dhe si do të rritet akoma? Duke pasur partner qeverinë, e cila është korruptuar (të gjitha qeveritë janë të korruptuar, kush më shumë e kush më pak).

Qeveria e korruptuar, krijon korsi preferenciale biznesi për grupet e mëdha që kontrollojnë media të rëndësishme, me kushtin që këto media të jenë pro saj, ose minimalisht të mos dëmtojnë marrjen dhe mbajtjen e pushtetit.

Të jemi të qartë, fajin nuk e kanë bizneset që paguajnë këto media, në fund të fundit një biznes mund të gjykohet moralisht, sepse ka dalë për të bërë para me të gjitha mënyrat që ia lejon ligji. Faji është i qeverive të korruptuara, të cilat abuzojnë me fuqinë që kanë marrë nga votat e popullit, duke kontrolluar informacionin, lajmet dhe opinionet që kanë të bëjnë me punët e saj, që në të shumtën e rasteve janë paudhësira.

Studiuesit e kësaj lënde mbase kanë mbërritur në konkluzionin që në një sistem të tillë të funksionimit të shoqërisë njerëzore, pra në kapitalizëm dhe ekonomi tregu, ku gjithçka ka për qëllim final përfitimin e shpejtë material, është e pamundur që media të funksionojë ndryshe.

Një gazetar vërtetë i lirë, mund të ishte biri i një mbreti, ndonjë princ, i cili është i mbrojtur nga çdo rrezik dhe punon thjesht për qejf e lavdi. Të tjerët janë të gjithë të brishtë dhe rrogëtarë! /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!