Një sondazh i bërë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare nga RTV Dukagjini ka nxitur dy partitë politike, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës, që të ndërpresin bashkëpunimin me këtë medium, duke e akuzuar që në kohë fushate po mbështet një parti politike, në këtë rast Lëvizjen Vetevendosje, dhe po përhap lajme të rreme.
Por, sipas drejtorit të këtij televizioni, Ermal Panduri,gjuha e përdorur nga këto dy parti është linçuese dhe po rrezikon punonjësit e kësaj medie.
“Përmes kësaj gjuhe që po e përdorin partitë politike po rrezikojnë qindra gazetarë që punojnë në terren. Ne ndihemi të rrezikuar që të kryejmë punën tonë. Gjuha që është përdorur sot na demotivon për të vazhduar punën që bëjmë dhe na demotivon të themi atë që e shohim me sy”, thotë Panduri për Radion Evropa e Lirë.
Në sondazhin e bërë nga RTV Dukagjini, të cilit po i referohen subjektet politike, e që po kërcënojnë me mospjesëmarrje në debate, Panduri thotë se televizoni që ai udhëheq, i ka respektuar të gjitha kriteret që kërkohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM).
Bazuar në Rregulloren e KPM-së, mediat për një sondazh janë të obliguara të bëjnë të ditur se kush është: porositësi, kryerësi, numri i respodentëve dhe margjina e gabimit, që, sipas Pandurit, të gjitha këto janë respektuar.
“Debatet politike gjatë gjithë kohës në RTV Dukagjini, kanë qenë të balancuara politikisht dhe do të vazhdojnë̈ të jenë të tilla. Ne nuk mund të shërbejmë si platformë për të qëruar hesapet politike dhe nuk i shërbejmë frustrimit politik të ndonjë individi nga ndonjë subjekt politik”, thotë Panduri.
Në anën tjetër, juristja e së drejtës së mediave, Flutura Kusari, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjuha e përdorur nga partitë politike përbën një rrezik për gazetarët në Kosovë.
“Fushata denigruese e lansuar sot(e enjte) nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kundër RTV Dukagjini është e rrezikshme dhe përbën sulm ndaj lirisë së medieve. Gjuha e përdorur sot duke i quajtur fake news (lajme të rreme) dhe duke e ndërlidhur aktivitetin e gazetarëve me Serbinë është thirrje për dhunë dhe i bën target të sulmeve gazetarët e këtij mediumi”, thotë Kusari.
Në këtë kohë të fushatës parazgjedhore, shton Kusari, “militantët e partive politike janë aktivizuar dhe partitë politike duhet të kenë kujdes me gjuhën që përdorin pasi që, sipas saj, me lehtësi mund të nxisin veprime kriminale ndaj gazetarëve”.
“Nëse një parti politike i denoncon publikisht mediat, atëherë përkthyer në praktikë, kjo i bie që një militant i kësaj partie apo ndonjë partie tjetër mendon që është në rregull që t’i sulmojë mediat dhe ajo do të përkthehet edhe në dhunë fizike”, thotë Kusari.
Partitë politike që janë të pakënaqura me përmbajtjen e televizioneve, shton Kusari, duhet t’i ndjekin rrugët ligjore dhe jo t’i linçojnë gazetarët.
Të enjten, Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media ku është njoftuar që Partia Demokratike e Kosovës shkëput çdo komunikim me RTV Dukagjinin.
Kjo parti emisionet në RTV Dukagjin i ka quajtur propaganduese dhe manipuluese.
“Radiotelevizioni Dukagjini ka kohë që është shndërruar në zyre të propagandës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe tëAlbin Kurtit, por kjo gjë tashmë e ka arritur kulmin. Ekrem Lluka (pronar i RTV Dukagjini) dhe Albin Kurti janë bërë bashkë, krejt e njëjtë, të pandashëm dhe të bashkuar krejtësisht për qëllime të pista dhe biznesore”, tha shefi i shtabit të kësaj partie, Betim Gjoshi.
Sipas PDK-së, llogaritë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të RTV Dukagjinit menaxhohen nga i njëjti person, i njëjti ekip, nga e njëjta zyre dhe me të njëjtat pajisje.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës nëpërmjet një komunikatë për media thotë se RTV Dukagjini, po përdor të gjithë potencialin e vet mediatik për t’i shërbyer një partie politike, përkatësisht, siç thotë LDK-ja, “në shërbim të Lëvizjes Vetëvendosje”.
“LDK-ja nuk synon të ndërhyjë në pavarësinë redaktoriale të mediave, por as nuk toleron fushatën fake neës (lajme të rreme) ndaj saj. Prandaj, paralajmëron se në qoftëse RTV Dukagjini vazhdon me propagandë të tillë, që duket sheshazi se ka për qëllim të ndikojë dhe orientojë votat e qytetarëve për një parti të caktuar, LDK-ja do ta rikonsiderojë bashkëpunimin me RTV Dukagjini, në mënyrë që mos të bëhemi pjesë e abuzimit informativ me pasoja për votuesit tanë dhe për qytetarët e Kosovës”, thuhet në një komunikatë të kësaj partie.
Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reguar lidhur me deklaratat e këtyre dy partive. AGK-ja vlerëson se ky është presion i drejtpërdrejtë në politikat redaktoriale dhe formë direkte e presionit publik.
“Duke i akuzuar mediet se po favorizojnë një subjekt politik, i bëjnë ato target të sulmeve. AGK-ja u bën thirrje partive politike që nëse kanë ankesa në drejtim të ndonjë mediumi, t’i drejtojnë ato tek organet kompetente. Kjo mënyrë e qasjes së subjekteve politike ndaj medieve, për AGK-në, përbën sulm ndaj lirisë së shprehjes”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Ndryshe raporti më i ri i Human Rights Watch, i publikuar më 13 janar ka vlerësuar se gazetarët në Kosovë kanë vazhduar të jenë caqe të frikësimit dhe kërcënimeve në mediat sociale, si dhe të sulmeve fizike.
“Midis janarit dhe shtatorit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka regjistruar 18 raste të kërcënimeve dhe dhunës kundër gazetarëve dhe mediave, përfshirë pesë sulme fizike kundër gazetarëve dhe dhjetë kërcënime. Policia ka qenë duke hetuar katër raste të regjistruara në kohën e shkrimit [të raportit]”, thekson Human Rights Watch./REL