Një fitore 6-0 krijon entuziazëm, por Gennaro Gattuso nuk ndryshon kurrë stil dhe shfaqet modest dhe realist. Napoli i tij mposhti Genoan me rezultat tenistik ditën e djeshme dhe ndan kreun e renditjes bashkë me Milanin e Veronën.
Në prononcimin e dhënë për Radio Rai 1, Gattuso analizon sfidën, vlerëson kundërshtarin dhe dhuron komplimente për Victor Osimhen, sulmuesin 21-vjeçar nga Nigeria që kushtoi 70 milion euro.
“I pranojmë komplimentet, por rezultati nuk tregon realitetin. Në pjesën e parë kishim shumë fat, pasi ata mund të na ndëshkonin. Skuadra ia doli më pas të finalizojë të gjithë rastet e krijuara.
Genoa zhvilloi një ndeshje shumë të mirë deri në momentin që shënuam golin e dytë. Ishin vendosur shumë mirë në fushë dhe na vunë në vështirësi.
Osimhen? Arrijmë të krijojmë hapësira në momentin që Victor sulmon në thellësi. Na ka munguar një lojtar i tillë sezonin e kaluar, është një vlerë e shtuar për ne“, thekson Gattuso. /abcnews.al