Një 62-vjeçar, baneus në Sheqëz është vënë në pranga pasi tentoi që të mbillte fidanë kanabisi në një zonë të pyllëzuar. H .Q., është arrestuar në flagrancë pasi gjatë kontrolleve të ushtruara nga policia, gjeti një zonë e hapur rishtaz për të kultivuar kanabis. Më tej, policia ka gjetur edhe fidanë kanabisi të kultivuar në gota plastike dhe disa fidanë të tjerë të mbjellë në tokë.
Po ashtu, në gjendje të lirë është proceduar kryeplaku i fshatit Goraj, pasi gjatë ushtrimit të detyrës nuk ka ushtruar kontroll territori për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Njoftimi i policisë:
Kuçovë, Berat
Vijon kontrolli intensiv i territorit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të kanabisit.
Finalizohet operacioni policor anti-kanabis i koduar “Goraj”.
Vihet në pranga një shtetas, autor i dyshuar i tentativës për kultivim të kanabisit.
Procedohet penalisht kryeplaku i fshatit Goraj.
Në vijim të punës për kontrollin e territorit, me qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor antidrogë të koduar “Goraj”.
Në kuadër të këtij operacioni, në një zonë të pyllëzuar të hapur rishtas për të kultivuar kanabis, u kap në flagrancë dhe u arrestua për kryerjen e veprës penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, shtetasi H .Q., 62 vjeç, lindur dhe banues në Sheqëz, Njësia Administrative Lumas.
Gjatë kontrollit të ushtruar me këmbë, shërbimet e Policisë gjetën të kultivuar në gota plastike fidanë kanabis dhe disa fidanë të tjerë të mbjellë në tokë.
Po në vijim të veprimeve të para hetimore u procedua në gjendje të lirë, për shpërdorim detyre, kryeplaku i fshatit Goraj, shtetasi R. D., pasi gjatë ushtrimit të detyrës si kryeplak i fshatit Goraj nuk ka ushtruar kontroll territori për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorin e Rrethit Gjyqësor Berat, për ndjekje të mëtejshme. /abcnews.al/