Gati për pushime? Kujdes nga këto ushqime që shkaktojnë alergji

schedule11:48 - 11 Gusht, 2020

schedule 11:48 - 11 Gusht, 2020

Nga Dr. Maria Zoto*

Çfarë është Alergjia ushqimore?

Një reaksion alergjik ndaj ushqimeve ndodh kur sistemi imunitar reagon ndaj një ushqimi ose proteine ushqimore duke e konsideruar atë gabimisht si të rrezikshëm. Alergjia ushqimore shfaqet shpesh tek ata individë që kanë histori familjare për alergji.

Gjithashtu, nëse dikush vuan nga Dermatiti Atopik apo rrufa alergjike ka më shumë rrezik të bëj alergji ushqimore.

Dr.Maria Zoto

9 ushqimet më të shpeshta që shkaktojnë alergji janë: qumështi, veza, mielli, soja, kikiriku, frutat e thata, peshku si dhe frutat e detit me guackë, susami.

Alergjia ushqimore shfaqet më shpesh në fëmijërinë e hershme, por mund të prekë çdo moshë. Ȅshtë vlerësuar se në SHBA vuajnë nga alergjia ushqimore rreth 5% e adultëve dhe 8% e fëmijëve.

Megjithëse pjesa më e madhe e alergjive ushqimore që shfaqen në fëmijëri kalojnë me kalimin e viteve, pra me rritjen, si psh. qumështi, veza, rezulton që shumë alergji të tjera janë persistente.

Ushqimet qe shkaktojne alergji

Mund të ndodh që alergjia ndaj ushqimit të filloj edhe pasi ushqimi është konsumuar më parë pa problem.

Ajo që duhen theksuar është që Alergjia ushqimore nuk është e njëjtë me Intolerancën ushqimore duke qenë se jo pak herë ndodh që nuk bëjnë dallimin midis të dyjave, prandaj është e rëndësishme që gjithmonë të këshilloheni me mjekët specialistë të fushës.

A është e rrezikshme Alergjia nga ushqimet?

Edhe pse 9 janë ushqimet më të shpeshta të cilat japin alergji, Alergjia mund të shfaqet ndaj çdo lloj ushqimi dhe në çdo moshë. Pavarësisht nga mosha apo ushqimi përgjegjës, alergjia është gjithmonë e rrezikshme dhe si e tillë duhet vlerësuar.

Shumica e reaksioneve fillojnë me simptoma që shfaqen në lëkurë si skuqje, enjtje apo urtikarie por jo gjithmonë ndodh kështu. Situatat (simptomat) më serioze janë;  rënia e tensionit arterial apo vështirësia në frymëmarrje, të cilat mund të jenë deri në jetëkërcënuese. Ky rrezik shtohet sidomos në rastet kur pacientët me alergji ushqimore vuajnë njëkohësisht edhe me Astëm alergjike.

Simptomat nga Alergjia ushqimore fillojnë të shfaqen zakonisht nga disa minuta deri 1-2 orë pas konsumimit të ushqimit. Reaksionet variojnë nga të lehta deri në reaksione të rënda, deri të rrezikshme për jetën që në të tilla raste quhet anafilaksi.

Duhet të keni parasysh që reaksionet mund të bëhen të paparashikueshme, pra fillojnë me simptoma të lehta por shumë shpejt mund të përkeqësohen. Gjithashtu ndodh që fëmijët më të vegjël, për arsye të moshës, nuk arrijnë të  shpjegojnë qartë simptomat, prandaj prindërit duhet të jenë shumë të kujdesshëm, të mirëinformuar dhe mbi të gjitha të kërkojnë ndihmë të specializuar.

Edhe sot qe flasim nuk ekziston akoma  një trajtim për Alergjinë ushqimore dhe e vetmja mënyrë për të parandaluar reaksionet alergjike është shmangia totale ( moskonsumimi) e ushqimeve prej të cilave  keni alergji.

Çfarë duhet të bëni kur udhëtoni apo ju duhet të konsumoni ushqim jashtë shtëpisë?

Udhëtimet dhe konsumimi i ushqimit jashtë, sidomos gjatë pushimeve të Verës, bën që të shtohet rreziku për personat me alergji ushqimore, kjo për faktin që edhe pse mund të tregoheni shumë të kujdesshëm, konsumimi aksidental i ushqimit/eve ndaj të cilave keni alergji mund të rrezikoj jetën.

Për këtë është e rëndësishme që të:

  • kërkoni për restorante që kanë eksperiencë në shërbimin e klientëve me alergji ushqimore
  • kërkoni informacion të detajuar mbi përbërësit e pjatës si dhe deklaroni ushqimin/et ndaj të cilave keni alergji
  • sigurohuni të keni medikamentet e urgjencës me vete si dhe planin e shkruar ne rast simptomash sipas mjekut
  • informohuni për një mjek alergolog afër vendit ku do të qendroni

 

*Mjeke Alergologe/Imunologe

Spitali Hygeia : 04 23 90 000                                                                                                                            

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!