Me entuziazmin e fitores kundër Moldavisë dhe me siguritë që i dha loja në “Air Albania”, kombëtarja e Shqipërisë i jep sot në mbrëmje dorën e fundit përgatitjeve për sfidën tjetër të qershorit, atë me Ishujt Faroe.
Një ndeshje po aq e rëndësishme për kuqezinjtë në misionin e tyre për të siguruar një vend në finalet e Euro 2024.
Përfaqësuesja shqiptare mbërriti në Ishujt Faroe pasditen e së dielës, ndërsa kishte kohe vetëm për akomodimin në hotel, pasi menjëherë zbriti në fushë për seancën e parë stërvitore në transfertë.
Për shkak të udhëtimit të gjatë, Silvinjo dhe stafi i tij nuk i ngarkuan fizikisht lojtarët, që iu nënshtruan një stërvitjeje të lehtë dhe të fokusuar më shumë te puna me topin.
Vetëm sot në mbrëmje, kuqezinjtë kanë në program seancën e fundit në stadiumin e ndeshjes, ku Silvinjo do të ketë akoma më të qarta idetë e tij për formacionin që do të zbresë në fushë nga minuta e parë për ndeshjen e së martës, e treta për Shqipërinë në Grupin E eliminator të Euro 2024.
Po ashtu, trajneri brazilian do të flasë përpara mediave në konferencën zyrtare përpara sfidës. / h.ll/abcnews.al