Gati “Çelësi shqiptar”, 17 ton vepra më e madhe e artit në Shqipëri e sjellë nga Milot

schedule12:20 - 10 Maj, 2024

schedule 12:20 - 10 Maj, 2024

Për pak javë do të shikojë dritën e diellit…

Për momentin po shikon veç dritën e shkëndijave të saldimit…

Do të jetë vepra më e madhe e artit në Shqipëri dhe nuk do të peshojë pak, por 17 ton

Është ngjizur në Itali, por babai i kësaj vepre është aq shqiptar, sa edhe emrin e artit ja ka dhënë vetes: Milot.

E në fakt, rastësia ka bërë që jo fort larg zonës urbane të Milotit, autori i saj të gjejë strehën që i jep formë idesë së tij të çmendur, “çelësit shqiptar” që shumë shpejt do të vendoset në hyrje të Shkodrës, nën hijen e Rozafës shekullore.

Alfred Mirashi- Milot, është një ndër qindra mijëra shqiptarët e larguar nga atdheu që iu “rrinte ngushtë” në fillim të viteve ’90 për tu vendosur në Itali.

Me çmime kombëtare në Itali e ndërkombëtare pothuajse nga cdo kontinent, Miloti tashme është shndërruar ne një artist mjaft i identifikueshëm. “Kali i tij i betejës” është çelësi dhe simbolikat e tij ekstravagante. Ai tek çelësi ka gjetur të djeshmen, të sotmen e të ardhmen të ngërthyera në një pike, ka gjetur kurajon, mistikën, provokimin, ekzagjerimin, vulën e tij artistike. Prej vitesh çelësi i Milotit simbolizon hapjen e portave, te kufijve dhe te çdo pengesë tjetër që mund t’i shfaqet njerëzimit

Pas dy veprave të suksesshme në Napoli e në Kinë, kishte ardhur momenti që Shqipëria të kishte vulën e tij..

Çelësi shqiptar “shtëpinë” e tij është paracaktuar ta ketë në Shkodër, jo fort larg Bexhistenit historik. Atje pritet të lartësohet duke u bërë kështu ne një farë mënyre një çelës për gjithkënd hyn e del nga qyteti i dashnisë…

Mes 140 aplikanteve, Miloti hapi dyert e Shqipërisë me çelësin e tij…

I nxitur edhe nga mistika, legjendat dhe historia shoqërojnë këtë çelës si hajmali.

Prej kohësh ky çelës gjigand gjendet në një prej piacave më historike të Napolit, ku është vizituar nga qindra mijëra turistë të kuriozuar nga përmasat gjigande të veprës së punuar nga autori me origjinë shqiptare. Për Milotin, ky është çelësi i parë për Shqipërinë, por jo i fundit punim i tij.

Ai do ta mbushe botën me çelësa “të papërdorshëm”, por simbolike në mënyrë që ky mesazh të kuptohet nga të gjithë, sepse çdo njeri duhet të realizojë ëndrrat dhe të luft0jë për to.

Sa për kritikët? Mesazhi mbetet po ai…/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!